T’i bëjmë ballë sëmundjes së Alcajmerit
«BURRI im, Alfi, ishte drejtor i një miniere ari në Afrikën e Jugut,—shpjegon Sali.—Mbeta e shtangur kur më tha se donte të dilte në pension. Qe vetëm 56 vjeç dhe ishte njeri i palodhur e shumë i shkathët. Më vonë, nga kolegët e tij zbulova se Alfi kishte filluar të bënte gabime të çuditshme në gjykim. Shpesh ata ia kishin mbuluar këto gabime.
Pasi doli në pension, blemë një hotel. Meqë Alfit i vinte shumë ndoresh, menduam se do të ishte i zënë duke meremetuar vendin. Por, në vend të kësaj ai merrte gjithnjë punëtorë të rastit.
Po atë vit e morëm mbesën tonë trevjeçare për pushime në bregdetin e Durbanit. Asaj i pëlqente shumë të kërcente në rrjetën elastike, e cila gjendej tamam përballë apartamentit tonë, nga ana tjetër e rrugës. Një pasdite, rreth orës 16.30, Alfi e çoi mbesën për të kërcyer në rrjetën elastike dhe tha se do të kthehej pas gjysmë ore. Por vajti ora 19.00 dhe ata ende nuk ishin kthyer. I telefonova policisë, por ata thanë se nuk fillonin të kërkonin personat që kishin humbur pa kaluar 24 orë nga zhdukja e tyre. Atë natë mendova se do të çmendesha, pasi vazhdoja të imagjinoja se i kishin vrarë. Aty nga dreka e ditës tjetër, u dëgjua një trokitje në derë dhe s’ishte askush tjetër veç Alfit me mbesën në krahë.
‘Ku ishit?’—thashë.
‘Mos u zemëro me mua,—m’u përgjigj.—Nuk e di ku ishim.’
‘Gjyshe,—shpjegoi mbesa,—ne humbëm.’
Imagjino, të humbësh vetëm duke shkuar në anën tjetër të rrugës! Edhe sot e kësaj dite nuk e di se ku fjetën atë natë. Sidoqoftë, një miku im i gjeti dhe i drejtoi në apartamentin e duhur.»
Pas këtij incidenti, Sali e çoi Alfin te një neurolog, i cili verifikoi se ai vuante nga demenca (humbja e aftësive intelektuale). Siç u zbulua më vonë, Alfi kishte sëmundjen e Alcajmerit, për të cilën deri tani nuk njihet ndonjë mjekim ose kurim i efektshëm.a Gazeta britanike New Scientist thotë se sëmundja e Alcajmerit është «vrasësi i katërt më i madh në botën e zhvilluar pas sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe hemorragjisë cerebrale». Ajo është quajtur «sëmundja kryesore kronike e pleqërisë». Por sëmundja e Alcajmerit mund të godasë edhe relativisht herët në jetë, siç ndodhi me Alfin.
Me gjithnjë e më shumë njerëz që jetojnë më gjatë në vendet e pasura, parashikimet për numrin e atyre që do të vuajnë nga demenca janë alarmuese. Sipas një studimi, mes viteve 1980 dhe 2000, mund të ketë një rritje prej 14 përqind në Britani, një rritje prej 33 përqind në Shtetet e Bashkuara dhe një rritje prej 64 përqind në Kanada. Në vitin 1990, një dokumentar në televizionin australian pohonte: «Përllogaritet se në Australi tani ka 100.000 njerëz me sëmundjen e Alcajmerit. Por, nga fundi i shekullit, do të ketë 200.000.» Në vitin 2000, rreth 100 milionë njerëz në mbarë botën do të vuajnë nga sëmundja e Alcajmerit.
Çfarë është sëmundja e Alcajmerit?
Edhe pse po bëhen kërkime mbi një numër shkaqesh të mundshme, shkaku kryesor i sëmundjes së Alcajmerit mbetet i panjohur. Gjithsesi, dihet se sëmundja e Alcajmerit përfshin shkatërrimin gradual të qelizave të trurit, kështu që pjesë të trurit mund të dëmtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pjesët më të prekura janë ato që kanë të bëjnë me kujtesën dhe aftësinë e të menduarit. Qelizat e sistemit nervor që kanë të bëjnë me ndjenjat preken herët në sëmundje, duke dhënë si pasojë ndryshime në personalitet. Pjesë të tjera të trurit mund të kursehen deri vonë: pjesët që kanë të bëjnë me shqisën e të parit, e të prekurit si edhe korteksi lëvizor, i cili drejton aktivitetin muskulor. Këto ndryshime, shpjegon një revistë (Scientific American), «i hapin rrugë pamjes klasike e tragjike të një personi që mund të ecë, të flasë dhe të hajë, por që nuk arrin ta marrë vesh botën».
Zakonisht sëmundja zgjat nga 5 deri në 10 vjet, por disa herë mund të shkojë më shumë se 20 vjet. Me përparimin e saj, viktimat mund të bëjnë gjithnjë e më pak gjëra. Përfundimisht, ato mund të arrijnë deri aty sa të mos njohin më njerëzit e tyre të dashur. Në stadet përfundimtare, të sëmurët shpesh zënë shtratin dhe nuk mund të flasin ose të ushqehen vetë. Sidoqoftë, shumë viktima vdesin nga shkaqe të tjera para se të arrijnë këto stade përfundimtare.
Edhe pse fillimi i sëmundjes së Alcajmerit është pa dhimbje fizike, ai shkakton shumë dhimbje emocionale. Kuptohet, në fillim disa nuk duan ta përballojnë atë, duke shpresuar se problemi do të largohet.b Mirëpo, po t’i bëjmë ballë kësaj sëmundjeje dhe të mësojmë se si ta lehtësojmë dhimbjen emocionale që shkakton ajo, do të nxjerrim më shumë përfitim. «Do të doja ta kisha ditur më parë se si mund të ndikojë te pacienti dobësimi i kujtesës»,—tha Berti, gruaja 63-vjeçare e të cilit ka sëmundjen e Alcajmerit. Po, është e dobishme që familjet të mësojnë diçka mbi natyrën e sëmundjes së Alcajmerit, si edhe mbi strategjitë për ta përballuar atë. Ju lutemi bashkohuni me Zgjohuni! në shqyrtimin e këtyre faktorëve dhe të tjerëve në dy artikujt vijues.
[Shënimet]
a Sëmundja e Alcajmerit e ka marrë emrin nga Alois Alcajmeri, një mjek gjerman që e përshkroi për herë të parë sëmundjen në vitin 1906, pasi kishte bërë autopsinë e një pacienti që kishte vuajtur nga demenca e rëndë. Mendohet se sëmundja e Alcajmerit është shkaktare e më shumë se 60 përqind të rasteve me demencë, duke prekur 1 në 10 njerëz mbi moshën 65 vjeçare. Një tjetër lloj demence, demenca multi-infarkte, shkaktohet nga hemorragji cerebrale të vogla, të cilat dëmtojnë trurin.
b Kujdes: Para se të nxirret përfundimi se një person ka sëmundjen e Alcajmerit, është i nevojshëm një kontroll i tërësishëm mjekësor. Rreth 10 deri në 20 përqind e rasteve me demencë janë pasojë e sëmundjeve të kurueshme. Sa për diagnostikimin e sëmundjes së Alcajmerit, një libër (How to Care for Aging Parents) shpjegon: «Sëmundja e Alcajmerit mund të diagnostikohet me siguri vetëm duke studiuar trurin gjatë autopsisë, por mjekët mund t’i përjashtojnë mundësitë e tjera e pastaj të bëjnë një diagnozë me anë të procesit të eliminimit.»
[Diçitura në faqen 4]
Në vitin 2000, rreth 100 milionë njerëz në mbarë botën do të vuajnë nga sëmundja e Alcajmerit