Nga lexuesit tanë
Mësojmë fëmijët të duan krijimin Si pjesë e stërvitjes që u japim fëmijëve, ne përpiqemi të kultivojmë te ta çmueshmërinë për bukurinë natyrore që Jehovai e siguron me kaq dashuri. Na pëlqen të përdorim artikujt që dalin rregullisht në Zgjohuni!, të tillë si «Trumcaku Xheni: Zog i vockël, këngë e fuqishme.» (8 shtator 1998, anglisht) Fëmijët tanë reagojnë me entuziazëm! Është një gëzim ta ndajmë këtë informacion me ta.
K. A., Shtetet e Bashkuara
Ëndrra të këqija I çmova vërtet këshillat e dhëna në «Ëndrrat e këqija, të zakonshme te fëmijët» në pjesën «Një vështrim rreth botës». (8 shtator 1998, anglisht) Fëmijët e mi shohin ëndrra të këqija dhe unë u kam thënë gjithmonë të mos flasin për to, por thjesht të kthehen në krevat e të flenë. Tani, me këshillat e dhëna, mund ta përballoj më mirë këtë problem. Ju lutem, vazhdoni të botoni informacione të tilla të dobishme.
R. N., Zimbabve
Luanë vrasës Më pëlqeu me të vërtetë artikulli «‘Ekspresi i çmendur’ i Afrikës Lindore». (tetor 1998) Por nuk ishit të saktë kur thoshit se luanët njerëzngrënës ishin një mashkull e një femër. Ata ishin të dy meshkuj.
K. B., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» gaboi në këtë pikë dhe e çmojmë sqarimin.—BOT.
Sëmundja e Alcajmerit Unë drejtoj një skuadër kërkuesish mbi sëmundjen e Alcajmerit për një firmë të madhe farmaceutike. Kështu që e lexova me interesin më të madh serinë e jashtëzakonshme «Sëmundja e Alcajmerit: Të lehtësojmë dhimbjen». (tetor 1998) Më bëri shumë përshtypje trajtimi i plotë që i kishit bërë këtij problemi shëndetësor publik që po përhapet. Gjithashtu, si plak kongregacioni, këshillat praktike në këta artikuj më janë dukur të paçmuara.
S. S., Shtetet e Bashkuara
Artikujt më prekën në zemër, sepse mamaja ime ka më shumë se dhjetë vjet që vuan nga sëmundja e Alcajmerit. Ju falënderoj me gjithë zemër që e keni trajtuar këtë argument me takt dhe respekt për ata që vuajnë prej kësaj sëmundjeje.
E. M., Itali
Një koleg i punës që është abonuar në Zgjohuni! më dha këtë numër të revistës, pasi babai im ka sëmundjen e Alcajmerit. Më preku veçanërisht artikulli «Të ruajmë dinjitetin e pacientit». Mendoj se theksimi i kësaj pike nuk është asnjëherë i tepërt. Faleminderit për këshillat në kohën e duhur. Jam e sigurt se ky artikull ka ndihmuar shumë njerëz.
M. P., Kanada
Dëshiroj t’ju falënderoj me gjithë zemër për artikujt. Qysh nga viti 1986, kur mamanë time e diagnostikuan me sëmundjen e Alcajmerit, ne kemi lexuar shumë literaturë rreth këtij problemi. Megjithatë, artikujt tuaj ia kalojnë gjithçkaje që kemi lexuar kur bëhet fjalë për ngrohtësinë, ndjenjat dhe empatinë. Keni shumë të drejtë kur thoni se ata që janë prekur nga sëmundja e Alcajmerit kanë nevojë deri në fazën e fundit të sëmundjes për dashuri dhe kujdes të butë. Mamaja ime nuk është në gjendje të hajë ose të flasë. Por artikulli na jep forcën që t’i tregojmë asaj edhe më shumë dashuri dhe përzemërsi.
H. E., Austri
Si president i Shoqatës Braziliane të Sëmundjes së Alcajmerit, dëshiroj t’ju përgëzoj për artikujt. Ju e përshkruanit sëmundjen e Alcajmerit dhe ndikimin e fuqishëm që ka ajo mbi familjet në një mënyrë të qartë. Ishit të kujdesshëm për ta respektuar të sëmurin si një person dhe paraqitnit ngjarje të jetuara, duke treguar se dashuria mbetet trajtimi më i mirë.
V. K., Brazil