Të drejta pa përgjegjësi?
«NJOHJA e dinjitetit që u përket të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore dhe njohja e të drejtave të tyre të barabarta e të patjetërsueshme përbën themelin e lirisë, të drejtësisë dhe të paqes në botë.» Kështu thuhet në hyrjen e Deklaratës Universale të Të Drejtave të Njeriut, e cila në dhjetor 1998 shënoi përvjetorin e saj të 50-të. Megjithatë, kohët e fundit, 24 ish-presidentë dhe kryeministra, përfaqësues të të gjitha kontinenteve, kanë sugjeruar që përveç kësaj deklarate, Kombet e Bashkuara duhet të miratojnë një deklaratë universale të përgjegjësive të njeriut. Pse shumë njerëz ndiejnë nevojën për një projekt të tillë?
«Të drejtat dhe përgjegjësitë janë si vëllezërit siamezë. Është për të ardhur keq që gjysmë shekulli më vonë ky fakt është harruar ose konsiderohet i pafavorshëm. Shumë njerëz kërkojnë të drejtat e tyre, pa ndier nevojën që t’u përmbahen përgjegjësive të lidhura me to»,—shpjegon profesori Zhan-Klod Suaje, anëtar i Komisionit Evropian për Të Drejtat e Njeriut. Kjo shpërfillje e detyrave ndihet nga shumë njerëz. «Ekziston një dëshirë e dukshme, veçanërisht midis të rinjve, për ndonjë lloj projekti mbi të ardhmen, një koleksion idealesh të pranuara gjerësisht, me anë të të cilave të merret në shqyrtim dhe të zbutet mekanizmi i lakmisë, i egoizmit, i humbjes së një fryme bashkëpunimi, që duket se po pushtojnë botën. . . . Ky debat në rritje rreth nevojës për një etikë globale është një pranim i faktit se diçka po humbet»,—vëren e përditshmja e Parisit International Herald Tribune. Si pasojë, politikanë, teologë dhe filozofë kanë diskutuar mbi një «projekt të etikës universale», siç e quan Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, që të mbyllë të çarën dhe të përcaktojë se cilat janë përgjegjësitë e njeriut. Megjithatë ata kanë ndeshur disa vështirësi.
Ndërkohë që është relativisht e lehtë të përcaktosh se cilat janë të drejtat e njeriut që duhen mbrojtur, nuk është gjithnjë e lehtë të përcaktosh se cilat përgjegjësi të njeriut duhen pranuar nga të gjithë. Megjithatë, disa prej vlerave në Deklaratën e propozuar të Përgjegjësive e kanë burimin në të përhershmen dhe universalen Rregullë të Artë, të dhënë rreth dy mijë vjet më parë nga Jezui: «Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre.»—Mateu 7:12.
Ndonëse ka qenë shpesh burimi i frymëzimit të ligjeve që mbrojnë të drejtat e njeriut, Bibla thekson nocionin e përgjegjësisë personale. «Ai, pra, që di të bëjë mirë dhe nuk e bën, bën mëkat»,—deklaroi dishepulli Jakov. (Jakovi 4:17) Ashtu si Jezui kërkoi mënyra për t’u bërë mirë të tjerëve, edhe të krishterët e vërtetë përpiqen t’u bëjnë mirë njerëzve. Duke mos u mjaftuar thjesht me ushtrimin e të drejtave të tyre, ata e kuptojnë se bashkë me të drejtat vijnë edhe përgjegjësitë dhe se çdonjëri prej nesh është përgjegjës përpara Perëndisë për veprimet e veta.