BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/98 f. 6-7
  • Një pamje nga kati i 29-të

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një pamje nga kati i 29-të
  • Zgjohuni!—1998
  • Material i ngjashëm
  • «Mbaroi një punë e gjatë»
    Zgjohuni!—1998
  • Të drejta të njeriut për të gjithë: Një realitet mbarëbotëror!
    Zgjohuni!—1998
  • Të drejtat dhe padrejtësitë e njeriut sot
    Zgjohuni!—1998
  • Të drejta pa përgjegjësi?
    Zgjohuni!—1999
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 12/98 f. 6-7

Një pamje nga kati i 29-të

KUR zbret nga ashensori në katin e 29-të të ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju Jorkut, një tabelë e vogël e kaltër tregon rrugën për në Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR). Kjo zyrë lidhjeje përfaqëson qendrën e OHCHR-së në Gjenevë, Zvicër, pikën qendrore të aktiviteteve të OKB-së për të drejtat e njeriut. Ndërkohë që Meri Robinson, Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut, drejton OHCHR-në në Gjenevë, Elsa Stamatopulo me origjinë greke, është kryetare e zyrës në Nju Jork. Në fillim të këtij viti, znj. Stamatopulo me mirësjellje priti një shkrimtar të redaksisë së Zgjohuni! dhe rikujtoi pesë dekadat e aktiviteteve për të drejtat e njeriut. Ja disa fragmente nga intervista.

Pyetje: Çfarë progresi mendoni se është bërë në çuarjen përpara të të drejtave të njeriut?

Përgjigje: Do t’ju jap tri shembuj të progresit: Së pari, 50 vjet më parë koncepti i të drejtave të njeriut nuk ekzistonte në programin ndërkombëtar, kurse sot ky koncept është i kudondodhur dhe aktiv. Qeveritë që disa dekada më parë nuk kishin dëgjuar kurrë për të drejtat e njeriut, tani po flasin për to. Së dyti, tani kemi një kod ligjor ndërkombëtar ose libër të ligjit, të përbërë nga konventa të shumta që u tregojnë qeverive, të shkruara të zezë mbi të bardhë, detyrimet që kanë ato ndaj nënshtetasve të tyre. [Shiko kutinë «Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut», në faqen 7.] U deshën shumë vite pune të zellshme për ta hartuar këtë kod. Jemi jashtëzakonisht krenarë për të. Shembulli i tretë është se sot, më shumë njerëz se kurrë më parë marrin pjesë në lëvizjet për të drejtat e njeriut dhe janë në gjendje të shprehen me elokuencë mbi çështjet e të drejtave të njeriut.

Pyetje: Cilat janë pengesat?

Përgjigje: Pasi kam punuar për 17 vjet me programet e OKB-së për të drejtat e njeriut, e kam të qartë se përballohemi me probleme të ndërlikuara. Më i madhi prej tyre është se qeveritë i shohin të drejtat e njeriut si një çështje politike në vend se si një çështje humanitare. Ato mund të mos jenë të gatshme të vënë në zbatim traktatet mbi të drejtat e njeriut, sepse ndihen të kërcënuara nga ana politike. Në të tilla raste, traktatet mbi të drejtat e njeriut bëhen letra të vdekura. Një pengesë tjetër ka qenë paaftësia e OKB-së për të parandaluar dhunimet në masë të të drejtave të njeriut në vende të tilla, si në ish-Jugosllavi, Ruandë dhe më së fundi në Algjeri. Paaftësia e OKB-së për të parandaluar masakrat që ndodhën në këto vende ishte një dështim i tmerrshëm. Mekanizmat për të drejtat e njeriut ekzistojnë, por dikush duhet t’i vërë ato në punë. Kush do të jetë ai dikush? Shpesh, po qe se nuk janë në lojë interesat e vendeve që mund të sigurojnë mbrojtje, vullneti politik për të hyrë në veprim që të ndalojë dhunimet mungon.

Pyetje: Çfarë shihni në të ardhmen?

Përgjigje: Në rrugën që të çon në të drejta të njeriut për të gjithë, shoh një kërcënim dhe një premtim. Ajo që më shqetëson është kërcënimi i sjellë nga globalizimi i ekonomisë, gjë që i shtyn korporatat e mëdha të vendosen në vende ku puna paguhet më lirë. Sot, po të jetë nevoja, ne mund t’ua hedhim fajin qeverive për dhunimet e të drejtave të njeriut dhe të bëjmë presion mbi to. Por kujt mund t’ia hedhim fajin për dhunime të të drejtave të njeriut, kur marrëveshjet shumëpalëshe të tregtisë e zhvendosin gjithnjë e më tepër fuqinë nga qeveritë në forcat globale ekonomike? Meqë nuk i kontrollojmë dot këto forca ekonomike, kjo gjë e dobëson pozicionin e organizatave ndërqeveritare, siç është OKB-ja. Duke folur për të drejtat e njeriut, kjo prirje është shkatërruese. Tani më shumë se kurrë është thelbësore që ta bëjmë sektorin privat të interesohet për lëvizjen mbi të drejtat e njeriut.

Pyetje: Dhe premtimi?

Përgjigje: Zhvillimi i një kulture globale për të drejtat e njeriut. Ajo që dua të them është se përmes arsimimit ne duhet t’i bëjmë njerëzit gjithnjë e më të vetëdijshëm për të drejtat e njeriut. Sigurisht, kjo është një sfidë kolosale, pasi përfshin një ndryshim mentaliteti. Ja përse, dhjetë vjet më parë, OKB-ja bëri një fushatë mbarëbotërore të informacionit publik për t’i arsimuar njerëzit në lidhje me të drejtat e tyre dhe shtetet në lidhje me përgjegjësitë e tyre. Përveç kësaj, OKB-ja i ka përcaktuar vitet 1995-2004 si «Dekada për arsimimin mbi të drejtat e njeriut». Kemi shpresë se arsimimi mund të ndryshojë mendjet dhe zemrat e njerëzve. Kjo mund të tingëllojë si Ungjilli, por kur bëhet fjalë për arsimimin mbi të drejtat e njeriut, unë bëhem vërtet besimtare. Shpresoj se bota do ta adoptojë kulturën mbi të drejtat e njeriut si ideologjinë e saj në shekullin që po vjen.

[Kutia në faqen 7]

Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Përveç Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ekziston edhe një Kartë Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Si janë të lidhura këto të dyja?

Po ta krahasoni Kartën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut me një libër prej pesë kapitujsh, Deklarata Universale mund të krahasohet me kapitullin 1 të këtij libri. Kapitujt 2 dhe 3 janë Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike dhe Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore. Kapitujt 4 dhe 5 përmbajnë secili nga një Protokoll fakultativ.

Ndërkohë që Deklarata Universale mendohet se ka vlerë morale, pasi u tregon kombeve atë që pritet të bëjnë, këto katër dokumente shtesë janë detyruese nga ana ligjore, pasi u tregojnë kombeve atë që duhet të bëjnë. Edhe pse puna mbi këto dokumente filloi në vitin 1949, u deshën dekada para se ato të hynin në fuqi. Sot, këto katër dokumente, së bashku me Deklaratën Universale, formojnë Kartën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Përveç Kartës Ndërkombëtare, OKB-ja ka ratifikuar më shumë se 80 traktate të tjera mbi të drejtat e njeriut. Një specialiste mbi të drejtat e njeriut komenton: «Prandaj, është një gabim të mendohet se traktatet mbi të drejtat e njeriut në Kartën Ndërkombëtare janë më të rëndësishmet. Për shembull, Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës, e vitit 1990, është dokumenti më i ratifikuar e më universal i OKB-së, e megjithatë nuk bën pjesë në Kartën Ndërkombëtare. Termi ‘Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut’ u shpik më tepër për qëllime publiciteti sesa si një koncept formal. E patjetër edhe ju do të jeni dakord, kjo është një frazë që të mbetet në mendje.»a

[Shënimi]

a Në kohën e shkrimit, 191 kombe (183 kombet anëtare të OKB-së plus 8 kombe që nuk janë anëtare) e kanë ratifikuar Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës. Vetëm dy kombe nuk e kanë ratifikuar: Somalia dhe Shtetet e Bashkuara.

[Figura në faqen 6]

Elsa Stamatopulo

[Burimi]

Fotografi e OKB/DPI, J. Isaac

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo