«Mbaroi një punë e gjatë»
PESËDHJETË vjet më parë, një plakë e këndshme ngriti zërin e saj dhe bota e dëgjoi. Ndodhi në Paris, më 10 dhjetor 1948. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ishte mbledhur në Pallatin Chaillot të ndërtuar kohët e fundit, kur kryetarja e Komisionit mbi të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara u ngrit për të mbajtur një fjalim. Me një zë të vendosur, Eleonor Ruzvelt, vejusha e gjatë e ish-presidentit të SHBA-së Franklin D. Ruzvelt, u tha atyre që ishin mbledhur: «Sot qëndrojmë në prag të një ngjarjeje të madhe, si në jetën e Kombeve të Bashkuara, ashtu edhe në jetën e njerëzimit, domethënë në prag të miratimit nga Asambleja e Përgjithshme të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.»
Pasi lexoi frazat kumbuese të hyrjes së Deklaratës dhe 30 nenet e saj, Asambleja e Përgjithshme e adoptoi dokumentin.a Pastaj, për të nderuar udhëheqjen e jashtëzakonshme të znj. Ruzvelt, anëtarët e OKB-së shpërthyen me ovacione, duke u ngritur në këmbë për «First Lady e botës», siç njihej ajo me përzemërsi. Në përfundim të asaj dite të punimeve, ajo shkroi: «Mbaroi një punë e gjatë.»
Nga shumë opinione në një Deklaratë
Dy vjet para kësaj ngjarjeje, në janar 1947, menjëherë pas fillimit të punimeve të komisionit të OKB-së, u bë e qartë se hartimi i një dokumenti të të drejtave të njeriut, ku të ishin dakord të gjithë anëtarët e OKB-së, do të ishte një detyrë e vështirë. Që nga fillimi, mosmarrëveshje të thella e bllokuan komisionin e përbërë nga 18 anëtarë në polemika pa fund. Delegati kinez mendonte se dokumenti duhej të përfshinte filozofinë e Konfucios, një anëtar katolik i komisionit përkrahte mësimet e Tomas Akuinas, Shtetet e Bashkuara përkrahnin Kartën Amerikane të të Drejtave, sovjetikët donin të përfshinin idetë e Karl Marksit, e të gjitha këto ishin vetëm disa nga opinionet e forta që u shprehën!
Grindjet e vazhdueshme të anëtarëve të komisionit vunë në provë durimin e znj. Ruzvelt. Në vitin 1948, gjatë një leksioni në Paris në Sorbonë, ajo përmendi faktin se dikur mendonte që kujdesja për familjen e saj të madhe e kishte vënë në provë deri në fund durimin e saj. Megjithatë, tha ajo për kënaqësinë e auditorit të saj, «drejtimi i Komisionit mbi të Drejtat e Njeriut kërkon edhe më shumë vetëpërmbajtje».
Sidoqoftë, përvoja e saj si nënë me sa duket doli e dobishme. Në atë kohë, një reporter shkroi që mënyra se si i trajtonte znj. Ruzvelt anëtarët e komisionit i kujtonte atij një nënë «që drejton një familje të madhe me djem shpesh të zhurmshëm, disa herë të pabindur, por në thelb me zemër të mirë, të cilët aty-këtu kanë nevojë për disiplinë». (Eleanor Roosevelt—A Personal and Public Life) Por, duke i shtuar hir vendosmërisë së saj, ajo qe në gjendje të fitonte pikë pa i bërë armiq kundërshtarët e saj.
Si rezultat, pas dy vjet mbledhjesh, qindra amendamentesh, mijëra pohimesh dhe 1.400 raundesh votimi praktikisht mbi çdo fjalë dhe çdo klauzolë, komisioni nxori një dokument që rendiste të drejtat e njeriut, të cilat besohej se i përkitnin të gjithë burrave dhe grave. U quajt Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Në këtë mënyrë u krye një mision, i cili disa herë dukej i pamundur.
Shpresa të mëdha
Është e qartë se nuk shpresohej që të gjitha muret e kundërshtimit të shembeshin që me tingullin e kësaj borie të parë. Megjithatë, adoptimi i Deklaratës Universale ngriti shpresa të mëdha. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në atë kohë, dr. Herbert V. Evat nga Australia, paratha se «miliona burra, gra dhe fëmijë në mbarë botën, shumë larg Parisit dhe Nju Jorkut, do t’i drejtohen këtij dokumenti për ndihmë, udhëheqje dhe frymëzim».
Kanë kaluar pesëdhjetë vjet që kur dr. Evat tha këto fjalë. Gjatë kësaj kohe, shumë veta në të vërtetë i janë drejtuar Deklaratës si një udhërrëfyese dhe e kanë përdorur si metër për të matur shkallën e respektimit të të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Çfarë kanë zbuluar kur kanë bërë këtë? A përputhen shtetet anëtare të OKB-së me këtë metër? Cila është gjendja e të drejtave të njeriut në botën e sotme?
[Shënimi]
a Dyzet e tetë kombe votuan pro, asnjë kundër. Megjithatë, sot, të 185 kombet anëtare të OKB-së, duke përfshirë edhe ato që abstenuan në vitin 1948, e kanë miratuar Deklaratën.
[Kutia në faqen 4]
Çfarë janë të drejtat e njeriut?
Kombet e Bashkuara i përkufizojnë të drejtat e njeriut si «ato të drejta që janë të trashëguara në natyrën tonë dhe pa të cilat nuk mund të jetojmë si qenie njerëzore». Të drejtat e njeriut janë përshkruar gjithnjë si «gjuha e përbashkët e njerëzimit» e ky përshkrim është i përshtatshëm. Tamam ashtu si aftësia për të folur një gjuhë është një cilësi e lindur që na bën njerëz, ka edhe nevoja e cilësi të tjera të lindura që na ndajnë nga krijesat e tjera mbi tokë. Për shembull, njerëzit ndiejnë nevojën për njohuri, për t’u shprehur nga ana artistike dhe për të kënaqur gjendjen e tyre emocionale. Një njeri që privohet nga përmbushja e këtyre nevojave bazë detyrohet për të pasur një ekzistencë nën nivelin njerëzor. Për t’i mbrojtur njerëzit nga ky privim, shpjegon një avokate e të drejtave të njeriut, «ne përdorim termin ‘të drejtat e njeriut’ në vend se ‘nevojat e njeriut’, sepse duke folur nga ana ligjore fjala ‘nevojë’ nuk është po aq e fortë sa fjala ‘e drejtë’. Duke e quajtur ‘e drejtë’ ne e ngrejmë plotësimin e nevojave të njeriut në diçka që i përket si moralisht, ashtu edhe ligjërisht çdo qenieje njerëzore».
[Kutia dhe figura në faqen 5]
Deklarata Universale e të drejtave të njeriut
Shkrimtari dhe fituesi i çmimit Nobel, Aleksandër Solzhenicin, e quajti Deklaratën Universale «dokumentin më të mirë» që ka hartuar ndonjëherë OKB-ja. Një vështrim i shkurtër i përmbajtjes së saj tregon se përse shumë veta janë dakord.
Filozofia themelore e Deklaratës bëhet e qartë në nenin 1: «Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe e të drejtave. Ato janë të pajisura me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të veprojnë njëra ndaj tjetrës në një frymë vëllazërie.»
Mbi këtë themel, formuluesit e Deklaratës siguruan dy grupe të të drejtave të njeriut. Grupi i parë theksohet në nenin 3: «Çdo njeri ka të drejtën e jetës, të lirisë dhe të sigurisë së personit të vet.» Ky nen formon bazën për të drejtat civile dhe politike të radhitura në nenet 4 deri në 21. Grupi i dytë bazohet mbi nenin 22, i cili pjesërisht pohon se gjithkush ka të drejtën të presë që t’i plotësohen të drejtat «e domosdoshme për dinjitetin e tij dhe për zhvillimin e lirë të personalitetit të tij». Ky nen mbështet nenet 23 deri në 27, të cilat paraqesin të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore të njeriut. Deklarata Universale ishte dokumenti i parë ndërkombëtar që e pranonte këtë grup të dytë si të përfshirë mes të drejtave themelore të njeriut. Ky ishte, gjithashtu, dokumenti i parë ndërkombëtar që përdorte termin «të drejtat e njeriut».
Sociologia braziliane Ruth Rosha shpjegon me një gjuhë të qartë se çfarë na thotë Deklarata Universale: «S’ka rëndësi se kujt race i përket. S’ka rëndësi nëse je burrë ose grua. S’ka rëndësi se çfarë gjuhe flet, cila është feja jote, cilat janë opinionet e tua politike, nga cili vend vjen ose kush është familja jote. S’ka rëndësi nëse je i pasur apo i varfër. S’ka rëndësi se nga cila pjesë e botës vjen, nëse vendi yt është një mbretëri apo një republikë. Këto të drejta dhe liri janë bërë për t’u gëzuar nga gjithkush.»
Që nga adoptimi i saj, Deklarata Universale është përkthyer në mbi 200 gjuhë dhe është bërë pjesë e kushtetutave të shumë vendeve. Gjithsesi, sot disa udhëheqës mendojnë se Deklarata duhet hartuar edhe një herë. Por Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, nuk është dakord. Një zyrtar i OKB-së citon thënien e tij: «Ashtu si nuk ka nevojë të rishkruhet Bibla ose Kurani, po ashtu nuk ka nevojë të rregullohet Deklarata. Ajo që duhet rregulluar është, jo teksti i Deklaratës Universale, por sjellja e dishepujve të saj.»
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan
[Burimi]
Fotografi e OKB/DPI nga Evan Shnajder (Shkurt 97)
[Figura në faqen 3]
Znj. Ruzvelt, duke mbajtur Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut
[Burimi]
Znj. Ruzvelt dhe simboli në faqet 3, 5 dhe 7: Fotografi e OKB-së