JONATANI
[Jehovai ka dhënë].
Ekuivalenti në shqip i dy emrave hebraikë Johnathán dhe formës më të gjatë Jehohnathán.—Shih JEHONATANI.
1. Levit që shërbeu si prift i adhurimit të rremë në shtëpinë e Mikesë në Efraim dhe, më vonë, te danitët. Në kapitujt 17 dhe 18 të Gjykatësve përmendet shpesh një djalë i ri levit që te Gjykatësit 18:30 quhet «Jonatani, biri i Gershomit, që ishte biri i Moisiut». Fakti që më parë paraqitet si «nga familja e Judës» mund të nënkuptojë thjesht se ai banonte në Betlehem, qytet në territorin e Judës.—Gjy 17:7.
Jonatani endacak përfundoi te shtëpia e Mikesë në malet e Efraimit. Mikea kishte bërë një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe e kishte vënë në shtëpinë e vet. Jonatani pranoi të shërbente si prift për shtëpinë e tij, edhe pse nuk ishte nga familja e Aaronit e për adhurim përdorej një shëmbëlltyrë. Më vonë, kur pesë danitë po kërkonin një vend për fisin e tyre, takuan Jonatanin. Ata i kërkuan që të pyeste Jehovain nëse do t’u shkonte mbarë dhe Jonatani, në emër të Tij, u dha një përgjigje pohuese.
Atëherë 600 danitë, bashkë me familjet dhe bagëtitë e tyre, u nisën drejt veriut. Rrugës kaluan nga shtëpia e Mikesë dhe i morën objektet e adhurimit me gjithë shëmbëlltyrën e gdhendur. Ata ia mbushën mendjen Jonatanit egoist që të shkonte me ta dhe më mirë të bëhej prifti i tyre sesa prifti i një familjeje të vetme. (Gjy 17:7–18:21) Jonatani «me bijtë e tij u bënë priftërinj të fisit të danitëve gjer ditën kur banorët e atij vendi i morën në mërgim». (Gjy 18:30) Disa komentues mendojnë se në këtë varg bëhet fjalë për një nga pushtimet e kësaj krahine, si ai nga Tiglath-Pileseri III, ose të të gjitha fiseve të veriut në vitin 740 p.e.s. (2Mb 15:29; 17:6) Mirëpo, meqë librin e Gjykatësve duket se e ka shkruar Samueli, ky varg duhet të ketë lidhje me një periudhë më të hershme. Te Gjykatësit 18:31 thuhet se danitët e mbajtën shëmbëlltyrën e gdhendur «për aq ditë sa shtëpia e Perëndisë së vërtetë qëndroi në Shiloh». Kjo tregon periudhën së cilës mund t’i referohet vargu 30 dhe përforcon akoma më shumë mendimin se pjesëtarët e shtëpisë së Jonatanit shërbyen si priftërinj deri kur Arkën e morën filistinët. Disa janë të mendimit se vargu 30 duhet të jetë ‘deri ditën që arkën e morën në mërgim’. (1Sa 4:11, 22) Por në këtë përfundim—se sa zgjati priftëria e familjes së Jonatanit—mund të arrihet edhe pa ndryshuar tekstin, sepse nga vargu 30 mund të nënkuptohet që, në njëfarë mënyre, banorët e vendit u çuan në mërgim kur u mor Arka.
2. Djali i madh dhe i preferuar i mbretit beniaminit Saul; duket se e ëma ishte Ahinoami, bija e Ahimaazit. (1Sa 14:49, 50) Jonatani njihet mbi të gjitha për miqësinë e sinqertë dhe për mbështetjen që i dha Davidit si mbretit të emëruar nga Jehovai.
Fillimisht ai shfaqet si komandant trim i një mijë luftëtarëve në vitet e para të mbretërimit të Saulit. (1Sa 13:2) Kështu në atë kohë duhet të ketë qenë të paktën 20 vjeç dhe, kur vdiq rreth vitit 1078 p.e.s., ishte gati 60 vjeç. (Nu 1:3) Davidi ishte 30 vjeç kur vdiq Jonatani. (1Sa 31:2; 2Sa 5:4) Pra, duket se ka qenë 30 vjet më i madh se miku i tij, Davidi. Natyra dhe mendësia e Jonatanit shpjegohen fare mirë me faktin që ishte tashmë i rritur kur Sauli u bë mbret. Gjatë viteve të formimit ai mund të jetë ndikuar nga i ati i cili, deri në momentin kur u zgjodh mbret, tregoi modesti, bindje dhe respekt për Jehovain e për masat që kishte marrë ai.—1Sa 9:7, 21, 26; 10:21, 22.
Herën e parë që përmendet, Jonatani është duke luftuar kundër garnizonit të filistinëve në Gebë, ku me guxim u prin drejt fitores një mijë luftëtarëve pothuaj të paarmatosur. Si kundërpërgjigje, armiku mblidhet në Mikmash. Fshehurazi, Jonatani bashkë me shqytarin e vet largohen nga Sauli e burrat e tij dhe i afrohen pararojës së armikut. Vetëm me këtë Jonatani tregon trimëri, aftësi për të ngjallur besim te të tjerët, por edhe se pranon drejtimin e Jehovait, sepse para se të veprojë, pret një shenjë nga Ai. Dy luftëtarët e guximshëm vrasin rreth 20 filistinë. Kjo çon në një betejë të madhe dhe në fitore për Izraelin. (1Sa 13:3–14:23) Ndërsa beteja vazhdon, Sauli tregohet i rrëmbyer dhe e vë popullin në be duke thënë se çdo njeri që do të hajë diçka para se të mbarojë lufta është i mallkuar. Por Jonatani nuk di gjë për këtë dhe ha pak mjaltë. Më vonë, kur del para Saulit, ai nuk përpiqet t’i bëjë bisht vdekjes për shkeljen e bërë. Mirëpo populli e shpëton, sepse ka parë që Perëndia atë ditë ishte me Jonatanin.—1Sa 14:24-45.
Këto bëma dëshmojnë qartë se Jonatani ishte një luftëtar i guximshëm, i zoti dhe i fortë. Ai dhe Sauli me të drejtë janë përshkruar si «më të shpejtë se shqiponjat» dhe «më të fuqishëm se luanët». (2Sa 1:23) Jonatani ishte harkëtar i mbaruar. (2Sa 1:22; 1Sa 20:20) Cilësitë e tij burrërore mund të kenë bërë që Sauli ta kishte veçanërisht për zemër. Duket se ata ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin. (1Sa 20:2) E megjithatë, kjo lidhje nuk ia kaloi zellit që Jonatani kishte për Perëndinë dhe besnikërisë ndaj shokut të tij, Davidit.
Davidin e kishin çuar në oborrin e mbretit Saul që të luante muzikë për të, ngaqë fryma e Jehovait ishte larguar prej tij dhe e kishte pushtuar një frymë e keqe, e këtë mund ta ketë vërejtur edhe Jonatani. Ndonëse i ri, Davidi ishte «trim, i fuqishëm e luftëtar», prandaj Sauli «e deshi shumë dhe e bëri shqytarin e vet».—1Sa 16:14-23.
Miqësia e veçantë e Jonatanit me Davidin filloi pak pasi ky vrau Goliadin. Ky akt i guximshëm në mbrojtje të popullit të Jehovait duhet ta ketë prekur thellë Jonatanin. Kur dëgjoi fjalët e Davidit, «shpirti i Jonatanit u lidh me shpirtin e [tij] dhe Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet». (1Sa 18:1) Dy luftëtarët trima dhe shërbëtorët e devotshëm të Perëndisë ‘bënë besëlidhje’ për një miqësi. Jonatani e shihte se Davidi kishte frymën e Perëndisë. (1Sa 18:3) Ai nuk u bë xheloz e nuk e pa Davidin si rival, siç bëri Sauli. Përkundrazi, respekti që tregoi për mënyrën si i drejtonte ngjarjet Perëndia ishte një shembull i shkëlqyer për mikun e tij më të ri. Jonatani nuk u bashkua me të atin për të vrarë Davidin, por e paralajmëroi dhe u përpoq të ndërmjetësonte për të te Sauli. Kur Davidi u detyrua të arratisej, Jonatani e takoi dhe të dy bashkë bënë një besëlidhje me qëllim që Davidi të mbronte atë dhe shtëpinë e tij.—1Sa 19:1–20:17.
Jonatani i foli prapë Saulit për Davidin, por kjo gjë për pak sa nuk i solli vdekjen, pasi, i tërbuar, Sauli i vërviti të birit një heshtë. Ashtu siç e kishin lënë, Jonatani dhe Davidi u takuan në një arë ku gjoja biri i mbretit kishte shkuar për t’u stërvitur me hark. (1Sa 20:24-40) Dy miqtë treguan edhe një herë se mes tyre kishte një lidhje të ngrohtë miqësie dhe «filluan ta puthnin njëri-tjetrin e të qanin për njëri-tjetrin» siç kanë bërë edhe burra të tjerë, e madje siç bëhet edhe sot në disa vende. (1Sa 20:41; Zn 29:13; 45:15; Ve 20:37) Më vonë Jonatani e takoi Davidin për herë të fundit në Horesh «që ta forconte në emër të Perëndisë»; atje përtërinë besëlidhjen që kishin bërë.—1Sa 23:16-18.
Askund në Bibël nuk tregohet se Jonatani ndoqi të atin në fushatat e tij kundër Davidit. Por, në betejën kundër filistinëve, armiqve të Perëndisë, Jonatani luftoi deri në pikën e fundit të gjakut; vdiq në të njëjtën ditë me dy vëllezërit dhe të atin. Filistinët i varën kufomat e tyre në murin e Beth-Shanit. Mirëpo, burrat trima të Jabesh-Galaadit i hoqën që andej dhe i varrosën në Jabesh. Më vonë, Davidi i mori eshtrat e Saulit e të Jonatanit që andej dhe i çoi në Zela. (1Sa 31:1-13; 2Sa 21:12-14; 1Kr 10:1-12) Ai vajtoi shumë për vdekjen e mikut të tij të ngushtë Jonatan, madje ia mori një kënge të përvajshme për Saulin dhe Jonatanin me titull «Harku». (2Sa 1:17-27) Mbreti David u tregua mjaft mirëdashës me birin e çalë të Jonatanit, Mefiboshetin, i cili ishte pesë vjeç kur i vdiq i ati. Më pas, ai pati një vend të përhershëm në tryezën e mbretit. (2Sa 4:4; 9:10-13) Linja e pasardhësve të Jonatanit vazhdoi për breza të tërë.—1Kr 8:33-40.
3. Bir i kryepriftit Abiatar; shërbeu si korrier i Davidit kur ky ia mbathi nga Jerusalemi gjatë rebelimit të Absalomit, megjithëse më vonë duket se mori anën e Adonijahut rebel. I ati i Jonatanit, Abiatari, kishte shoqëruar Davidin, mbretin e ardhshëm, kur Sauli e kishte nxjerrë jashtë ligjit, dhe më vonë u bë kryeprift. Në kohën kur Absalomi uzurpoi fronin, Davidi dërgoi Abiatarin dhe Sadokun prapë në kryeqytet që të mblidhnin të dhëna. Ky është rasti kur përmendet për herë të parë në tregimin biblik prifti Jonatan, biri i Abiatarit. Ai dhe Ahimaazi, biri i Sadokut, duhej t’i çonin Davidit lajme të rëndësishme nga ana e baballarëve të tyre dhe nga Hushai. (2Sa 15:27-29, 36) Dy korrierët nuk mund të hynin në qytet, përndryshe do t’i njihnin, kështu pritën te një krua ose pus që quhej En-Rogel, jo larg qytetit. Kur u duk se Absalomi e pranoi këshillën e Hushait, dy korrierët që ishin në pritje, Jonatani dhe Ahimaazi, u informuan për çdo gjë. U nisën me nxitim që t’ia tregonin mbretit, por rrugës i zbuluan e i ndoqën dhe për pak sa nuk i kapën. Me ndihmën e një gruaje u fshehën në një pus derisa kaloi rreziku e pastaj shkuan te Davidi dhe e këshilluan të kalonte Jordanin.—2Sa 17:15-22.
Nga fundi i jetës së Davidit, i biri, Adonijahu, komplotoi që të bëhej mbret në vend të Solomonit dhe Abiatari u bashkua me të. Ndoshta i ndikuar nga i ati, Jonatani kaloi në anën e Adonijahut. Ishte pikërisht Jonatani që gjatë banketit i solli uzurpuesit lajmin turbullues se Davidi kishte zbuluar komplotin dhe kishte bërë mbret Solomonin. Më tej Bibla nuk thotë asgjë tjetër për Jonatanin. Atë mund ta kenë syrgjynosur bashkë me të atin. Megjithatë, sido që të ketë vajtur puna, detyra e kryepriftit nuk mbeti në familjen e tij.—1Mb 1:41-43; 2:26, 27.
4. Nip i mbretit David; ai vrau një gjigant që sfidonte Izraelin në Gath. (2Sa 21:20, 21; 1Kr 20:6, 7) Ky Jonatan përmendet si bir i Shimeas ose Shimeit, vëllait të mbretit David. Meqë te 2 Samuelit 13:3 si bir i Shimeahut, vëllait të Davidit, përmendet një Jehonadab, disa komentues mendojnë se bëhet fjalë për të njëjtin person.—Shih JEHONADABI nr. 1.
5. Një nga burrat e fuqishëm të ushtrisë së Davidit. Ishte biri i Shageut, hararitit.—2Sa 23:8, 32; 1Kr 11:26, 34.
6. Bir i Uziahut, përgjegjës për thesarin e mbretit David «në fushë, në qytete, në fshatra dhe në kulla» që ishte veçmas thesarit që mbreti kishte në Jerusalem. (1Kr 27:25) Jonatani përmendet pas Azmavetit, ruajtësit të thesarit të mbretit, dhe para atyre që ishin përgjegjës për caktime të veçanta, si për vreshtat apo ullishtat.—1Kr 27:25-28.
7. Burrë me kuptueshmëri, sekretar dhe këshilltar i mbretit David. (1Kr 27:32) Në tekstin masoretik lidhja e gjakut mes Jonatanit dhe Davidit tregohet nga fjala hebraike dohdh, që zakonisht do të thotë «xhaxha, ungj». Mirëpo, meqë në Shkrime përmendet dy herë një nip i Davidit me emrin Jonatan, ka të ngjarë që kjo fjalë këtu të jetë përdorur në kuptimin e gjerë të «të afërmit», në këtë rast «nip», siç del në Përkthimin Bota e Re. Pra duhet të jetë Jonatani nr. 4.
8. Një nga krerët e forcave ushtarake që ishin anembanë vendit kur Nabukodonosori pushtoi Jerusalemin në vitin 607 p.e.s.; bir i Kareahut dhe vëlla i Johananit. Pasi Gedaliahun e caktuan mbi njerëzit që kishin mbetur në vend, Jonatani dhe udhëheqësit e tjerë ushtarakë të vendit shkuan ta takonin dhe ai i siguroi se s’do të ishin në rrezik. (Jr 40:7-10) Me sa duket Jonatani ishte edhe një nga ata që paralajmëruan Gedaliahun për rrezikun e një atentati, por ky nuk ia vuri veshin.—Jr 40:13-16.
9. Një nga dy bijtë e Jadës dhe pasardhës i Judës nga Hezroni e Jerahmeli. I vëllai, Jeteri, vdiq pa lënë bij, kurse Jonatani kishte dy, Pelethin dhe Zazën.—1Kr 2:3, 25, 26, 28, 32, 33.
10. Një izraelit nga familja e Adinit; i biri, Ebedi, u kthye në Jerusalem nga Babilonia me Ezdrën në vitin 468 p.e.s.—Ezd 8:1, 6.
11. Bir i Asahelit; ndoshta kundërshtoi propozimin e Ezdrës që judenjtë e kthyer të largonin gratë e huaja. Megjithatë, është hedhur mendimi, se ky kundërshtim nuk ishte ndaj sugjerimit të Ezdrës, por ndaj procedurës që do të ndiqej për ta zbatuar atë.—Ezd 10:15, shën., NW.
12. Bir i Jojadës dhe nip i kryepriftit Eliashib. (Ne 12:10, 11) Ka mendime se në vargun 11 duhet të jetë «Johanan» në vend të «Jonatan» meqë Nehemia 12:22, 23 thotë se Johanani ishte ‘bir i Eliashibit’ dhe «bir» mund të nënkuptojë edhe «nip».—Shih JOHANANI nr. 7.
13. Prift, kreu i shtëpisë atërore të Malukut në ditët e kryepriftit Jojakim.—Ne 12:12, 14.
14. Bir i Shemajahut nga familja e Asafit dhe i ati i Zakarisë; prift i cili i ra trumbetës në procesionin që eci mbi murin e rindërtuar të Jerusalemit.—Ne 12:31, 35, 36.