MAKAHU
Emri i disa individëve dhe i një mbretërie.
[1-4: ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «shtrydh».]
1. Një nga fëmijët e Nahorit, vëllait të Abrahamit, dhe të konkubinës së tij Reuma. Fëmija duhet të ketë qenë djalë, meqë nga emri i tij erdhi emri i një mbretërie dhe i banorëve të saj.—Zn 22:23, 24; 2Sa 10:6, 8.
2. I ati ose një paraardhës i Hananit, një burri të fuqishëm të forcave ushtarake të Davidit.—1Kr 11:26, 43, Dio.
3. I ati ose një paraardhës i Shefatiahut, një princi të Izraelit që u caktua prijës i simeonitëve kur Davidi organizoi shërbimin ndaj mbretit.—1Kr 27:1, 16, 22.
4. I ati i Akishit, mbretit të Gathit, tek i cili ia mbathën skllevërit e Shimeit në fillim të mbretërimit të Solomonit. (1Mb 2:39) Ky Makah mund të jetë Maoku i përmendur te 1 Samuelit 27:2.—Shih MAOKU.
5. Mbretëri e vogël në Palestinën Veriore në kohën e pushtimit izraelit, e quajtur edhe Makath. Siç duket, ajo zonë duhej përfshirë në territorin e fisit të Manaseut, por Shkrimet tregojnë se izraelitët nuk ua morën pronat banorëve të atjeshëm, kështu që ata vazhduan ‘të banonin mes Izraelit’. (Lp 3:14; Js 13:13) Zakonisht Makahu përmendet bashkë me mbretërinë fqinje të Geshurit e me sa duket ndodhej në veri të asaj mbretërie dhe në kufi me rajonin e Bashanit. (Js 12:5) Në përgjithësi mendohet se shtrihej nga shpatet jugore të malit të Hermonit deri poshtë në basenin Hula dhe nga lumi Jordan deri në skajin e shkretëtirës së Sirisë në lindje, pra zinte kryesisht pjesën veriore të krahinës së sotme të Golanit.
Makahu ishte mbretëri aramaite (siriane), dhe popullsia e tij ndoshta vinte nga biri i Nahorit me të njëjtin emër. (Zn 22:24; 1Kr 19:6) Kur amonitët dolën të luftonin kundër mbretit David, i morën me pagesë ushtarë mbretit të Makahut dhe të tjerëve. Numri i vogël i trupave të Makahut në krahasim me ato të aleatëve të tjerë mund të tregojë se mbretëria makathite ishte e vogël. (2Sa 10:6-8) Fitorja e Joabit kundër amonitëve dhe aleatëve të tyre sirianë u pasua nga një fitore tjetër e mbretit David kundër sirianëve. (2Sa 10:13-19) Nga historitë e mëvonshme duket se në fund mbretëria e Makahut ra nën sundimin e mbretërisë së Damaskut.