REHOBOTI
[vende të gjera].
1. Emri që i vuri Isaku një pusi që hapi. (Zn 26:22) Disa studiues janë orvatur të tregojnë se Rehoboti mund të jetë Ruheibehi (Horvat-Rehovoti [Ba-Negevi]), rreth 35 km në jugperëndim të Beer-Shebës. Këta emra ngjasojnë me njëri-tjetrin. Kur i vuri emrin pusit, Isaku tha se tani Perëndia u kishte dhënë një vend mjaft të madh. Ai dhe barinjtë e tij mund të ishin të frytshëm pa penguar të tjerët dhe pa i penguar kush.
2. Qytet që nuk i dihet vendndodhja. Prej andej vinte Shauli, një nga mbretërit e parë edomitë. (Zn 36:31, 37; 1Kr 1:43, 48) Në të dyja rastet që përmendet ky qytet, thuhet «Rehoboti, që është afër Lumit». Në Bibël zakonisht «Lumi» nënkupton Eufratin. (Ps 72:8; 2Kr 9:26; krahaso Da 23:31 dhe Lp 11:24.) Prandaj, disa gjeografë kanë sugjeruar si vendndodhje të mundshme dy vende afër pikës ku bashkohen lumenjtë Kabur dhe Eufrat. Mirëpo kjo do të nënkuptonte se Shauli ishte nga një qytet shumë larg territorit të Edomit. Disa gjeografë të sotëm mendojnë se ‘Lumi’ në këto dy raste është një lumë në Edom ose pranë kufijve të tij, si për shembull, Zeredi (Vadi-el-Hasaʼ), që derdhet në pikën më jugore të Detit të Vdekur. Gjeografi J. Simons hedh hipotezën se qyteti ndodhej afro 37 km në juglindje të skajit të Detit të Vdekur.