Sektet—Çfarë janë ato?
ISHTE 28 shkurt 1993. Më shumë se njëqind agjentë të forcave të rendit bastisën një kompleks ndërtesash ku strehoheshin dhjetëra burra, gra dhe fëmijë. Synimi ishte të kërkonin armë të fshehura ilegalisht dhe të arrestonin një kriminel të dyshimtë. Megjithatë, këta njerëz u habitën, kur një breshëri plumbash fluturoi drejt tyre nga brenda ndërtesave. Ata u përgjigjën me zjarr.
Kjo ndeshje ballë për ballë la dhjetë të vdekur dhe disa të plagosur. Gjatë 50 ditëve të mëpasshme, qindra agjentë të tjerë e rrethuan këtë kompleks me një numër të mjaftueshëm armësh, për të filluar një luftë të vogël. Kundërveprimi përfundoi në një lumë gjaku që la 86 të vdekur, duke përfshirë të paktën 17 fëmijë.
Por, kush ishte armiku? Një ushtri trafikantësh droge? Një fraksion gueril? Jo. Siç mund ta dish, «armiku» ishte një grup fetarësh të dedikuar, anëtarë të një sekti. Kjo tragjedi e bëri këtë bashkësi të panjohur në rrafshirën e Teksasit qendror, në SH.B.A., epiqendrën e vëmendjes ndërkombëtare. Institucionet e shtypit dhe të informacionit i mbushën valët e radios dhe faqet gazetave me një lumë raportesh, analizash dhe komentesh mbi rreziqet që vinin nga sektet fanatike.
Publikut iu kujtuan raste të mëparshme, në të cilat anëtarë sektesh ishin çuar drejt vdekjes nga udhëheqësit e tyre: vrasjet e Mansonit në Kaliforni në vitin 1969; vetëvrasja masive e anëtarëve të një sekti në Xhonstaun, në Guajana, në vitin 1978; pakti vrasje-vetëvrasje i projektuar nga Park Soon, udhëheqës i një sekti në Kore, në vitin 1987, i cili shkaktoi vdekjen e 32 anëtarëve. Në mënyrë domethënëse, pjesa më e madhe e këtyre njerëzve pohonin se ishin të krishterë dhe e shprehin hapur besimin e tyre në Bibël.
Është e kuptueshme se përse shumë që e respektojnë Biblën si Fjalën e Perëndisë, janë tmerruar nga keqpërdorimi i paturpshëm i Shkrimeve nga këto sekte. Si rezultat, me kalimin e viteve janë formuar qindra organizata me qëllim që të pengojnë shtimin e sekteve dhe të ekspozojnë praktikat e tyre të rrezikshme. Ekspertë në qëndrimin e sekteve parathonë se ardhja e mijëvjeçarit të ri për pak vite mund të sjellë shtimin e sekteve. Një revistë javore vëren se sipas grupeve kundra sekteve, ka qindra sekte që «janë gati të të rrëmbejnë trupin, të të kontrollojnë mendjen, të të korruptojnë shpirtin. . . . Disa janë të armatosura, por pjesa më e madhe konsiderohen si të rrezikshme. Ato të joshin dhe të zhvatin, vendosin se me kë do të martohesh dhe të përgatitin funeralin».
Çfarë është një sekt?
Termi sekt apo «kult» (nga anglishtja cult, që shpesh përdoret në kuptim përbuzës në vendet që flasin anglisht) përdoret gjerësisht nga shumë që ndoshta nuk i kuptojnë mirë ngjyrimet e tij. Për të penguar konfuzionin, disa teologë e shmangin përdorimin e këtij termi.
The World Book Encyclopedia shpjegon se «tradicionalisht, termi kult i referohet çdo forme adhurimi ose zbatimi ritual». Për nga ky kriter, të gjitha organizatat fetare mund të konsiderohen si kulte. Megjithatë, në përdorimin e zakonshëm të ditëve të sotme, fjala «kult» ka një kuptim tjetër. E njëjta enciklopedi vëren se «që nga mesi i këtij shekulli, reklamimi mbi kultet ka ndryshuar domethënien e termit. Sot, ky term u aplikohet grupeve që ndjekin një udhëheqës të gjallë, i cili përkrah doktrina dhe praktika të pazakonshme».
Duke përkrahur përdorimin e zakonshëm të termit, revista Newsweek shpjegon se kultet «janë normalisht grupe të vogla, anëtarët e të cilave e marrin identitetin dhe qëllimin e tyre nga një individ kryesor i vetëm». Në mënyrë të ngjashme, revista Asiaweek vëren se «vetë termi [kult] është i paqartë, por zakonisht tregon një besim të ri fetar të ndërtuar rreth një udhëheqësi kryesor, i cili shpesh e shpall veten si personifikim të Perëndisë».
Terminologjia e përdorur në një rezolutë të përbashkët në Kongresin e 100-të të shtetit Meriland, në SH.B.A, gjithashtu bën të ditur ngjyrimin përçmues të termit «kult». Rezoluta deklaron se «kulti është një grup ose lëvizje që i jep devotshmëri të veçantë një personi ose një ideje, duke përdorur teknika manipuluese joetike bindjeje dhe kontrolli, me qëllim që të arrijë synimet e udhëheqësve të tyre».
Është e qartë se kultet zakonisht kuptohen si grupe fetare me pikëpamje dhe praktika rrënjësore që bien ndesh me atë që sot pranohet si qëndrim shoqëror normal. Zakonisht, ato i kryejnë aktivitetet e tyre fetare në fshehtësi. Shumë nga këto grupe jetojnë të veçuara në bashkësi. Devotshmëria e tyre ndaj një të vetëquajturi udhëheqës njerëzor është sikur të ishte e pakushtëzuar dhe e veçantë. Shpesh, këta udhëheqës mburren se janë zgjedhur nga Perëndia ose se ata vetë janë të një natyre hyjnore.
Në disa raste, organizatat kundër sekteve dhe mjetet e informacionit i referohen Dëshmitarëve të Jehovait si sekt. Një numër artikujsh në gazetat e fundit i vënë Dëshmitarët tok me grupe fetare të njohura për praktikat e tyre të dyshimta. Por, a do të ishte e drejtë të quheshin Dëshmitarët e Jehovait një grup i vogël fetar? Shpesh, anëtarët e sektit e veçojnë veten nga miqtë, familja dhe madje nga shoqëria në përgjithësi. A e bëjnë këtë Dëshmitarët e Jehovait? A përdorin Dëshmitarët teknika mashtruese dhe joetike për të rekrutuar anëtarët?
Udhëheqësit e sekteve njihen për përdorimin e metodave manipuluese për të kontrolluar mendjet e anëtarëve të tyre. A ekzistojnë prova se Dëshmitarët e Jehovait e bëjnë një gjë të tillë? A zhvillohet adhurimi i tyre në fshehtësi? A ndjekin dhe a nderojnë një udhëheqës njerëzor? Me fjalë të tjera, a janë një sekt Dëshmitarët e Jehovait?
[Burimi i figurës në faqen 3]
Jerry Hoefer/Fort Worth Star Telegram/Sipa Pres