Ata nuk përmbahen nga të dëshmuarit
1 Emri ynë, Dëshmitarë të Jehovait, na identifikon dhe përshkruan atë që ne bëjmë. Ne japim dëshmi për shkëlqesitë e Perëndisë tonë Jehova. (Isa. 43:10-12) Kushdo që bëhet pjesëtar i kongregacionit duhet të marrë pjesë në dhënien e dëshmisë. Kryesisht, të dëshmuarit bëhet përmes shërbimit tonë publik, i cili përfshin vizitat nga shtëpia në shtëpi, veprën në rrugë, kryerjen e rivizitave dhe drejtimin e studimeve biblike. Me të drejtë, të gjithë ne jemi të nxitur të arrijmë një pjesëmarrje të plotë.—1. Kor. 15:58.
2 Megjithatë, disa pjesëtarë të kongregacionit janë të kufizuar në atë që mund të bëjnë. Sëmundjet serioze apo dobësia mund t’i mbajë ata të kufizuar. Farefisi kundërshtar mund të paraqesë pengesa tepër të vështira. Një i ri mund të jetë i shtrënguar nga një prind jobesimtar. Individët që jetojnë në zona të izoluara, pa mjete transporti, mund të mendojnë se është gati e pamundur të dëshmohet. Druajtja e natyrshme mund të shkaktojë që personat e turpshëm të ngurrojnë. Disa lajmëtarë që janë ndodhur në këto situata apo të ngjashme me këto, mund të ndihen se nuk janë në lartësinë e të krishterëve pasi ajo që ata mund të bëjnë është shumë më e vogël në krahasim me atë që bëjnë të tjerët dhe më e vogël se ajo që ata dëshirojnë me të vërtetë të bëjnë. Nuk ka asnjë arsye për të nënvlerësuar përpjekjet e tyre. (Gal. 6:4) Ata mund të ngushëllohen duke ditur se Jehovai është i kënaqur kur ata japin më të mirën e tyre në çfarëdo situate që mund të gjenden.—Luka 21:1-4.
3 Duke gjetur një mënyrë për të marrë pjesë: Mijëra përvoja që kanë ndodhur tregojnë se si individë të gjendur në rrethana të vështira nuk kanë lejuar që pengesat t’i ndalojnë ata nga vepra e të dëshmuarit. Me iniciativën e tyre, ata kanë përdorur një shumëllojshmëri mënyrash për të bërë dëshmi joformale. Ata që kanë qenë të mbyllur në shtëpi kanë përdorur telefonin, duke hapur kështu një derë të madhe për të dëshmuar. Çdo vizitor e kanë konsideruar si një dëgjues të mundshëm. Edhe pse një grua me një familje kundërshtare nuk mund të jetë në gjendje të dëshmojë në shtëpi, ajo shfrytëzon rastet për të folur me fqinjët ose me të tjerë që ajo takon në rutinën e saj të përditshme.
4 Një i ri mund të jetë i ndaluar nga një prind jobesimtar për të marrë pjesë në dëshminë tonë publike. Në vend që ta pranojë si një pengesë të pakalueshme, ai mund t’i shohë shokët e klasës dhe mësuesit, si «territorin» e tij personal e të mund të japë një dëshmi të mirë, ndoshta edhe të drejtojë studime biblike. Shumë persona që jetojnë në vende të izoluara, kanë mundur të marrin pjesë duke shkruar letra. Ata që janë të nxitur nga zelli i krishterë do të gjejnë gjithmonë ndonjë mënyrë për të shmangur të qenët «joaktivë apo të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë të Zotërisë tonë Jezu Krisht».—2. Pjet. 1:8, BR.
5 Në lidhje me pjesëmarrjen tonë në veprën e dëshmimit, Jehovai ka vënë një standard të njëjtë për të gjithë, d.m.th. që ne duhet ta bëjmë atë «me gjithë shpirt». (Kol. 3:23) Megjithëse sasia e kohës që harxhojmë dhe e asaj që kryejmë do të ndryshojë, nxitja jonë e brendshme është e njëjtë—dashuria e pastër që lind nga «një zemër e plotë». (1. Kron. 28:9; 1. Kor. 16:14) Nëse ne po japim më të mirën tonë, nuk do të kemi kurrë arsye që të ndihemi se kemi munguar në besim apo jemi të pavlefshëm si pjesëtarë të kongregacionit, pasi sasia e asaj që bëjmë është e vogël. Si Pavli, ne me të drejtë mund të themi se ‘nuk kemi fshehur asnjë nga ato gjëra që ishin të dobishme për ju, por jua shpallëm juve dhe jua mësuam botërisht’.—Vep. 20:20, Dio.