Të mbajmë një sjellje të shkëlqyer që lavdëron Perëndinë
1 Kudo që jemi, sjellja, veshja dhe krehja jonë japin dëshmi për ne dhe për Perëndinë që adhurojmë. Kjo gjë bëhet veçanërisht e dukshme në grumbullimet e mëdha të popullit të Perëndisë, ku vëzhgohemi nga shumë njerëz. Kur jemi shembullorë, emri i Jehovait lavdërohet. (1. Pjet. 2:12) Megjithatë, sjellja e papërshtatshme ose veprimet e pamenduara të vetëm pak personave, mund të shkaktojnë që të shahet emri i Perëndisë dhe populli i tij. (Ekl. 9:18b) Duke mbajtur parasysh faktin që të jashtmit e gjykojnë organizatën tonë dhe Perëndinë që adhurojmë në bazë të sjelljes sonë, duhet të bëhemi më të ndërgjegjshëm lidhur me nevojën ‘për t’i bërë të gjitha gjërat në lavdi të Perëndisë’.—1. Kor. 10:31, BR.
2 Sjellja shembullore në vendet e strehimit: Në shumicën e rasteve, personelit të hoteleve, konvikteve dhe dhomave me qira i ka bërë shumë përshtypje rregullsia, sjellja e mirë dhe pastërtia e Dëshmitarëve të Jehovait. Një administrator, duke folur për familjet e Dëshmitarëve që qëndruan në hotelin e tij, tha: «Fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait janë fëmijët më të mirë që kam parë ndonjëherë! Ata vishen si zonjusha e zotërinj, janë të pastër, të sjellshëm, me edukatë dhe nuk kanë shkaktuar asnjë lloj problemi. Jeni vërtet për t’u lavdëruar për fëmijët tuaj. Për ne ishte një kënaqësi që i patëm ata fëmijë këtu.» Komente si këto dalin natyrshëm, sepse ata që kanë të bëjnë me ne mund të shohin dashurinë dhe respektin që ekziston mes popullit të Jehovait.
3 Nga ana tjetër, vërejtjet e bëra nga personeli në të tjera hotele, konvikte dhe dhoma me qira, tregon se ka ende ndonjë problem me disa që sillen në mënyrë të pakujdesshme ose që abuzojnë me ambientet e këtyre vendstrehimeve. Kjo gjë shkakton probleme dhe nxit kritikën, gjë që nuk duhet të ekzistojë. Disa administratorë ankohen që fëmijët dhe adoleshentët janë të zhurmshëm e të parregullt, duke qenë se lihen pa mbikëqyrje nga prindërit e tyre, ndërsa përdorin pishinat dhe ambientet e tjera për shlodhje.
4 Në shumicën e hoteleve, konvikteve dhe dhomave me qira ka rregulla që pritet të zbatohen nga mysafirët. Disa vëllezër i kanë thyer këto rregulla duke e tejkaluar me zhurmën ose duke gatuar në dhomat e tyre. Administruesit e hoteleve, konvikteve dhe dhomave me qira na thonë se gatimi aty ku nuk lejohet është një abuzim i zakonshëm në pronat e tyre. Dhomat jo vetëm që janë dëmtuar fizikisht, por nga erërat e mbetura ka qenë, gjithashtu, e pamundur që ato të jepeshin me qira për ditë ose javë të tëra pas kësaj. Në rast se nuk është thënë në mënyrë specifike që lejohet të gatuhet në dhomë, kjo gjë nuk duhet bërë.
5 Duhet bërë një përpjekje e sinqertë për të bashkëpunuar plotësisht me administruesin. Sigurisht, ne nuk duam të lëmë një përshtypje jo të mirë për popullin e Jehovait. Si të krishterë duhet të sillemi me ndershmëri në çdo rast. Nuk duhet të marrim pajisje ose «suvenire» nga hotelet, konviktet dhe dhomat me qira, pasi kjo është një vjedhje; as nuk duhet të gënjejmë kur raportojmë se sa persona planifikojmë të kemi në dhomë kur bëjmë rezervimin ose regjistrimin.
6 Paraqitja dhe sjellja e duhur në kongres: Pavarësisht se e çfarë lloji është ndërtesa që përdoret, ajo duhet konsideruar si një Sallë e madhe Mbretërie gjatë kongresit. Veshja dhe krehja e përshtatshme duhet të jenë po aq të dukshme, sa në rastin kur ndjekim mbledhjet me kongregacionin tonë lokal. Si gjatë sesioneve të kongresit, ashtu edhe pas tyre, nuk duhet të veshim rroba jomodeste ose disi të çuditshme që pasqyrojnë frymën e botës dhe që e bëjnë të vështirë të dallohemi si të ndryshëm nga bota për faktin që kemi një mendje të shëndoshë. Motrat duhet të bëjnë kujdes që modelet e fundeve dhe fustaneve të jenë modeste dhe të kenë një gjatësi të përshtatshme. (1. Tim. 2:9, 10) Qoftë kur jemi në kongres, qoftë kur qëndrojmë në hotel, në konvikt ose në një dhomë me qira, qoftë kur hamë në një restorant ose qoftë kur shkojmë në ndonjë dyqan, duhet që në çdo rast të pasqyrojmë se jemi shërbëtorë të Perëndisë, duke mos dhënë asnjë shkak pengese për të tjerët.—2. Kor. 6:3.
7 Pagëzimi do të bëhet të shtunën paradite, në vendin e kongresit. Kulla e Rojës e 1 korrikut 1995, faqe 30, përshkruan qëndrimin që duhet të shfaqim në atë rast. Në të thuhet se «duhet ta shohim pagëzimin me seriozitetin e duhur. Nuk është kohë për shpërthime, për festime a për të qeshura plot zhurmë. Por nuk është as edhe një kohë e zymtë ose e vrazhdë». Do të ishte mjaft e papërshtatshme për ata që pagëzohen—qofshin burra a gra—të përdornin rroba banje transparente ose që nuk e mbulojnë trupin ashtu si duhet. Pra, të gjithë duhet të pasqyrojmë si seriozitetin, ashtu edhe gëzimin e pagëzimit të krishterë.
8 Pjetri na kujton se ‘ç’lloj personash duhet të jemi në vepra të shenjta sjelljeje dhe veprime të devocionit hyjnor!’ (2. Pjet. 3:11, BR) Le të ndihmojmë me fjalët dhe veprat tona gjatë Kongresit Krahinor «Zbatues të Fjalës së Perëndisë» vëzhguesit me zemër të sinqertë që të njohin dhe të adhurojnë Perëndinë tonë të madh, i cili është i denjë të marrë të gjithë nderin dhe lavdinë!—1. Kor. 14:24, 25.