‘Të ndjekim gjithmonë atë që është e mirë’
1 Mënyra e krishterë e jetesës kërkon që ‘të ndjekim gjithmonë atë që është e mirë ndaj të gjithë njerëzve’. (1 Sel. 5:15) Kur ndjekim kongreset tona krahinore kemi shumë mundësi të bëjmë diçka të mirë për të tjerët. Në këto raste publiku na vëren dhe të gjithë ata që takojmë krijojnë një përshtypje për ne në bazë të mënyrës se si i trajtojmë. Për të ruajtur një emër të shkëlqyer si Dëshmitarë të Jehovait, duhet të tregojmë me anë të veprave tona se ‘i nderojmë njerëzit e çdo lloji’. (1 Pjet. 2:17) Kjo përfshin ‘të shohim me interes personal jo vetëm çështjet tona, por me interes personal edhe ato të të tjerëve’. (Filip. 2:4) Le të shohim se si zbatohet kjo në lidhje me rregullimet e kongresit për strehimin.
2 A kemi kërkuar tashmë një vendstrehim në qytetin e kongresit? (1) Të mos porositim më shumë dhoma nga ç’kemi ndër mend të përdorim. (2) Nëse kërkohet, të japim kaparin e përshtatshëm para se të mbërrijmë. (3) Kur regjistrohemi në një hotel ose vendstrehim, të tregojmë durim dhe respekt ndaj personelit ndërsa përpiqet të na rregullojë një vend. (4) T’u bindemi të gjitha rregullave të hotelit dhe të vendit të strehimit në lidhje me përdorimin e gjërave që janë pronë e tij. (5) Të lëmë ndonjë bakshish sipas zakonit për shërbimin e bërë.
3 T’i mësojmë fëmijët si të sillen mirë: Ka ndodhur që fëmijët e lënë në hotel pa mbikëqyrjen e duhur të të rriturve kanë shkaktuar probleme. (Prov. 29:15) Në disa raste, prindërit kanë qenë të zënë me veprimtari të tjera dhe i kanë lënë pa mbikëqyrje fëmijët në dhomë, në pishinë ose në ndonjë vend tjetër të hotelit. Disa nga fëmijët u bënë kaq poterexhinj, saqë pronari e pa të nevojshme t’i ndalonte të përdornin disa ambiente të hotelit dhe iu desh të mbyllte pishinën ose mjedise të tjera çlodhëse. Kjo gjë shqetësoi dhe u prishi rehatinë mysafirëve të tjerë në hotel si Dëshmitarëve, ashtu edhe atyre që nuk ishin të tillë.
4 Prindër, do të ishte e dobishme që përpara kongresit të kushtonit pak kohë për të shqyrtuar me fëmijët tuaj llojin e sjelljes së krishterë që pritet prej tyre në çdo kohë dhe në çdo vend. (Efes. 6:4) Për shembull, tregojuni atyre se dashuria e vërtetë e krishterë «nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk acarohet». (1 Kor. 13:5) Të rriturit mund t’i përforcojnë këto fjalë duke qenë vetë një shembull i mirë për të gjithë. Fëmijë, ju mund të ndiqni atë që është e mirë, duke iu bindur prindërve tuaj, duke treguar respekt për gjërat që janë pronë e hotelit dhe duke u treguar të kujdesshëm ndaj atyre që janë rreth jush. (Kolos. 3:20) Duke u përpjekur të gjithë së bashku të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, arrijmë që ‘në çdo gjë të stolisim mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’.—Tit. 2:10
5 Sjellja jonë e shkëlqyer ndikon për mirë jo vetëm tek ata që na vështrojnë në përgjithësi, por edhe tek ata që për një arsye ose një tjetër kanë qenë kritikues ndaj nesh. Në çdo gjë që bëjmë në kongres dhe në të gjithë qytetin ku mbahet kongresi, duhet të tregojmë me mënyrën se si flasim dhe me veprimet tona të krishtere se duam të ndjekim atë që është e mirë. Kjo mund të përfshijë për shembull rastet kur ecim rrugës, kur hamë në një restorant, kur pushojmë në vendin e strehimit ose kur na jepet mundësia për të dhënë dëshmi joformale.
[Kutia në faqen 4]
Le të mbajmë parasysh:
■ Të tregojmë durim dhe respekt ndaj personelit të hotelit.
■ T’u përmbahemi rregullave të hotelit, për dobinë e të gjithë mysafirëve.
■ Të mbikëqyrim në masën e duhur veprimet e fëmijëve tanë.