BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • km 2/01 f. 5-6
  • Dëshmi e suksesshme me telefon

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Dëshmi e suksesshme me telefon
  • Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
  • Material i ngjashëm
  • Dëshmia me telefon mund të jetë e efektshme
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2009
  • Të fillojmë studime biblike te dera dhe nëpërmjet telefonit
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2005
  • Kutia e pyetjes
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2003
  • Prediko lajmin e mirë kudo
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1996
Shih më tepër
Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
km 2/01 f. 5-6

Dëshmi e suksesshme me telefon

1 Objektivi ynë si Dëshmitarë të Jehovait, nuk është që thjesht të angazhohemi në predikimin e lajmit të mirë, por edhe të arrijmë çdo person që është e mundur me mesazhin e Mbretërisë. (Vep. 10:42; 20:24) Ndonëse vepra shtëpi më shtëpi vazhdon të jetë mënyra kryesore për të arritur njerëzit, e kuptojmë se as me këtë metodë sistematike nuk mund të takojmë çdo njeri. Prandaj, për ‘ta kryer plotësisht shërbimin tonë’, ne po përdorim metoda të tjera, duke përfshirë dëshminë me telefon, për të gjetur individët ngjashëm deleve.​—2 Tim. 4:5.

2 Në shumë vende, njerëzit jetojnë në apartamente të sigurisë së lartë, në komplekse banimi me shumë familje ose nëpër bashkësi të siguruara me porta në hyrje, ku është e vështirë të zhvillohet metoda jonë tradicionale e arritjes së njerëzve shtëpi më shtëpi. Madje edhe në territoret ku mund të punohet shtëpi më shtëpi, një numër i konsiderueshëm njerëzish nuk gjenden në shtëpi. Megjithatë, shumë lajmëtarë po kanë një sukses të shkëlqyer duke i arritur këta banorë nëpërmjet telefonit. Një mëngjes, gjatë veprës shtëpi më shtëpi, një çift të martuarish patën nëntë jo në shtëpi. Kur u kthyen në Sallën e Mbretërisë, i kërkuan ata në një numërator që rendit adresat me numrat telefonikë përkatës. Ata u ranë numrave dhe gjetën tetë nga pronarët e shtëpive.

3 A ngurrojmë ta përfshijmë dëshminë me telefon në shërbimin tonë? Një vëlla pranon: «Mua s’më pëlqen që ndokush të më telefonojë në shtëpi për të më shitur diçka, prandaj kam një pengesë mendore për këtë lloj dëshmie.» Megjithatë, pasi bëri dy vizita telefonike, tha: «Më pëlqen shumë! S’mendoja kurrë se do të ndodhte kështu, por ja që më pëlqen shumë! Njerëzit ndihen lirshëm në telefon dhe ti ke gjithçka që të duhet për t’i arritur. Është diçka shumë e efektshme!» Një motër pati një reagim të ngjashëm: «Dëshmia me telefon në të vërtetë s’më tërhiqte. T’ju them të vërtetën, nuk doja fare ta bëja. Por e provova dhe pashë që ishte mjaft e frytshme. Kam 37 rivizita nga dëshmia me telefon dhe më shumë studime nga ç’mund të mbaj!» Nëse jemi të gatshëm të provojmë të japim dëshmi me telefon, edhe ne mund të jemi të suksesshëm.

4 Të organizohemi për dëshminë me telefon: Veprimtaria e dëshmisë së kongregacionit është nën mbikëqyrjen e mbikëqyrësit të shërbimit. Në varësi të nevojës, trupi i pleqve mund të zgjedhë të caktojë një tjetër plak ose shërbëtor ndihmës të kualifikuar, që të punojë ngushtësisht me të për organizimin e dhënies së dëshmisë me telefon. Në këtë organizim duhet të përfshihet edhe vëllai që kujdeset për territoret, pasi do t’i caktojë ai territoret dhe do të mbajë një regjistrim të përditësuar. Veç kësaj, mbikëqyrësi qarkor do të interesohet për ecurinë e mirë të programit.

5 Nëse ka zona në territorin tonë që nuk arrihen me anë të dëshmisë shtëpi më shtëpi, duhen përgatitur territore për dëshminë me telefon. Vëllai i caktuar do të bëjë me kujdes një listë të adresave që duhen kthyer në territore të tilla, të cilat duhen mbajtur relativisht të vogla, që të mund të punohen rregullisht. Të gjitha hartave të territorit që përmbajnë këto zona, duhet t’u bëhet një shënim që tregon se pjesa e specifikuar është caktuar për dëshminë me telefon.

6 Ku mund t’i gjejmë numrat telefonikë? Një numërator që rendit numrat telefonikë sipas adresave përkatëse, mund të jetë në dispozicion në libraritë publike. Nëse një kompleks i sigurisë së lartë, ka listën e tij telefonike, ndoshta numrat mund t’i gjejmë në të. Përndryshe, mund të kemi mundësi t’i kopjojmë emrat e banorëve nga lista e emrave në hyrje dhe më pas t’i kërkojmë ata në një numërator standard telefonik.

7 Pleqtë mund të tregojnë një interes të gjallë në këtë vepër, duke bërë rregullime që ata me përvojë në dhënien e dëshmisë me telefon të stërvitin të tjerët, ndoshta nëpërmjet programit Pionierët Ndihmojnë të Tjerët. Herë pas here, në Mbledhjen e Shërbimit kjo çështje mund të trajtohet në pjesën Nevoja lokale për të bërë që të rritet suksesi në këtë aspekt të dhënies së dëshmisë.

8 Kur pleqtë u bëjnë vizita baritore invalidëve të bllokuar në shtëpi ose atyre që janë shëndetligë, s’duhet të harrojnë që t’i inkurajojnë të marrin pjesë në dhënien e dëshmisë me telefon. Ndoshta një plak mund të bëjë disa telefonata, ndërsa lajmëtari e vëzhgon. Më pas, lajmëtarit mund t’i jepet një mundësi për të bërë një telefonatë. Shumë që kanë filluar në këtë mënyrë, harxhojnë disa minuta çdo ditë në këtë vepër dhe me të vërtetë që gjejnë kënaqësi duke e bërë atë.

9 Sugjerime për të pasur sukses: Kur Jezui i nisi dishepujt e tij për të predikuar, ‘i dërgoi ata dy e nga dy’. (Luka 10:1) Përse? E dinte se duke punuar së bashku do të mësonin nga njëri-tjetri dhe do ta inkurajonin njëri-tjetrin. Po njësoj është dhe në dëshminë me telefon. Duke punuar me një partner, mund të mësojmë nga njëri-tjetri, mund të diskutojmë rezultatet dhe të japim sugjerime për bisedën tjetër. Edhe gjatë një thirrjeje telefonike mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të gjetur një informacion të përshtatshëm.

10 Për të menduar në një mënyrë të qartë dhe për t’u përqendruar, të ulemi aty ku mund të kemi hapur para vetes materialet që përdorim për të dhënë dëshmi, që mund të jenë Bibla, broshura Çfarë kërkon?, revista etj. Të shkruajmë disa prezantime dhe t’i mbajmë në një vend ku mund t’i lexojmë. Të përgatitemi për të mbajtur shënime të sakta dhe të plota, duke përfshirë datën, orarin e asaj dite, në mënyrë që të dimë se kur të telefonojmë përsëri për të ndjekur interesin e gjetur.

11 Njerëzit shpesh tregohen të kujdesshëm kur dëgjojnë një zë të panjohur në telefon. Prandaj, le të jemi të ngrohtë, miqësorë dhe me takt. Pronari i shtëpisë ka vetëm tingullin e zërit tonë për të përcaktuar karakterin dhe sinqeritetin tonë. Të jemi të lirshëm e të flasim nga zemra. Të flasim ngadalë, qartë, si edhe me një volum të mjaftueshëm zëri për t’u dëgjuar. T’i japim mundësi pronarit të shtëpisë që të flasë. Të përdorim emrin tonë të plotë dhe të përmendim që jetojmë në atë zonë. Nuk duam që njerëzit të mendojnë se jemi shitës me anë të telefonit. Në vend që të themi se po u telefonojmë të gjithë banorëve në një ndërtesë ose kompleks të veçantë, të bëjmë që të kuptohet se është diçka personale.

12 Hyrjet në dëshminë me telefon: Shumë hyrje në Shërbimi ynë i Mbretërisë mund të përshtaten për dëshminë me telefon. Mund të themi: «Po ju marr në telefon, sepse nuk kam mundësi të vij e t’ju takoj personalisht. Qëllimi i telefonatës sime është që të kërkoj mendimin tuaj për një pyetje shumë interesante.» Pastaj të themi pyetjen.

13 Një prezantim për argumentin kriminalitet/siguri, mund të përdoret në këtë mënyrë: «Mirëdita, (a mirëmbrëma sipas orarit). Më quajnë _____. Jetoj në këtë zonë. Dua t’ju siguroj se nuk ju mora për të shitur ndonjë gjë ose për ndonjë anketë. Po ju telefonoj pasi jam i shqetësuar lidhur me çështjen e sigurisë personale. Ka kudo krime përreth nesh, dhe kjo ndikon në jetën tonë. A mendoni se do të vijë një kohë kur të gjithë njerëzit do të mund të ecin në rrugë natën e të ndihen të sigurt? [Ta lëmë të përgjigjet.] Më lejo të të lexoj se çfarë ka premtuar Perëndia të bëjë.»

14 Ofrimi i drejtpërdrejtë i studimeve biblike nëpërmjet telefonit ka dhënë rezultate të mira. Studimi mund të demonstrohet brenda pak minutash. Të ofrohemi për ta vizituar individin në shtëpi që ta vazhdojmë studimin aty, ose nëse personi ngurron t’i ofrojmë që ta vazhdojmë studimin nëpërmjet telefonit një ditë tjetër.

15 Kur përfundojmë një bisedë, të kemi parasysh të themi diçka që mund të na hapë rrugën për t’i bërë një vizitë në shtëpi personit ose për t’i postuar ndonjë literaturë. Nëse personi ngurron të na japë adresën, t’i themi se do t’i telefonojmë përsëri. Mund të duhen disa telefonata para se ai të ndihet mjaft i qetë për të na ftuar në shtëpinë e tij.

16 Të marrim iniciativën: Një motër 15-vjeçare e filloi shërbimin e saj në mëngjes me një telefonatë. Ajo bisedoi me një grua që pranoi të merrte librin Njohuria. Kur motra i dërgoi librin në shtëpi, gruaja donte të dinte se si e kishte gjetur kjo vajzë e re numrin e saj të telefonit, sepse ai nuk ishte në listë. Motra e kishte formuar atë gabimisht. Gruaja pranoi një studim dhe tani është një lajmëtare e papagëzuar.

17 Një motër mori një territor për dëshminë me telefon, por e la pa punuar për tri javë, sepse kishte frikë. Çfarë i dha asaj guxim për të filluar? Ajo kujtoi artikullin në revistën Zgjohuni!, 22 janar, 1997, me titull: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» Në të flitej për një Dëshmitar që predikon me telefon, me gjithë kufizimet fizike që ka. Motra tha: «Iu luta Jehovait për forcë. I kërkova që të më jepte fjalët e përshtatshme për të bërë prezantimin tim.» Cili qe rezultati i ditës së parë të saj në dëshminë me telefon? Ajo tregon: «Jehovai iu përgjigj lutjes sime. Njerëzit më kushtuan vëmendje dhe bëra rregullime për një rivizitë.» Më vonë, dëshmia e saj me telefon rezultoi në një studim biblik. Ajo përfundon: «Jehovai më mësoi edhe një herë që të besoj tek ai dhe jo te vetja.»​—Prov. 3:5.

18 Prezantimi i së vërtetës me anë të telefonit është bërë një metodë e suksesshme për të predikuar lajmin e mirë. Të përgatitemi mirë dhe të marrim pjesë me gjithë zemër. Të mos shkurajohemi, nëse nuk marrim ndonjë përgjigje të favorshme gjatë telefonatave të para. Të lutemi për drejtimin e Jehovait dhe t’i krahasojmë shënimet me të tjerët që po predikojnë në këtë mënyrë emocionuese. Me dëshirën për të mos humbur asnjë në territorin që kemi, le ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë dhe këtë ta bëjmë me urgjencë!​—Rom. 10:13, 14.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo