Mund të japësh dëshmi joformale
1. (a) Ç’do të thotë dëshmi joformale? (b) Sa prej të pranishmëve në këtë mbledhje kanë dëgjuar për të vërtetën nëpërmjet dëshmisë joformale?
1 Sa veta në kongregacionin tuaj kanë dëgjuar për të vërtetën me anë të dëshmisë joformale? Mund të habiteni se sa shumë mund të jenë. Dëshmi joformale do të thotë t’u japim lajmin e mirë njerëzve që takojmë në jetën e përditshme—kur udhëtojmë, kur shkojmë për vizitë te të afërmit ose fqinjët, kur jemi në pazar, në shkollë, në punë e kështu me radhë. Në një grup prej mbi 200 Dëshmitarësh të pagëzuar, 40 për qind prej tyre e kanë marrë të vërtetën nëpërmjet dëshmisë joformale. Pra, kjo metodë predikimi është mjaft e frytshme.
2. Çfarë shembujsh gjejmë për dëshminë joformale në Shkrime?
2 Ungjillëzuesit në shekullin e parë shpesh jepnin dëshmi joformale. Për shembull, ndërsa udhëtonte përmes Samarisë, Jezui i dëshmoi një gruaje që po mbushte ujë nga burimi i Jakobit. (Gjoni 4:6-26) Filipi filloi një bisedë me një zyrtar etiopas i cili po lexonte nga libri i Isaisë, duke e pyetur: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» (Vep. 8:26-30) Kur ishte i burgosur në Filipi, apostulli Pavël i dha dëshmi rojës së burgut. (Vep. 16:23-34) Më vonë, kur ishte nën arrest shtëpie, Pavli «priste me dashamirësi të gjithë ata që shkonin tek ai. Ai u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte . . . gjërat për Zotërinë Jezu Krisht.» (Vep. 28:30, 31) Edhe ti mund të japësh dëshmi joformale, ndonëse je i ndrojtur. Si?
3. Çfarë na ndihmon të kapërcejmë ndrojtjen?
3 Çfarë të bëjmë në fillim? Shumë prej nesh e kanë të vështirë të fillojnë një bisedë me një të panjohur. Madje, t’u flasësh për të vërtetën edhe të njohurve mund të duket pak e sikletshme. Por, do të nxitemi për të folur, nëse meditojmë për mirësinë e Jehovait, thesarin frymor që u ka dhënë shërbëtorëve të tij dhe kushtet e mjerueshme të njerëzve në botë. (Jon. 4:11; Psal. 40:5; Mat. 13:52) Përveç kësaj, mund t’i kërkojmë Jehovait të na ndihmojë ‘të marrim guxim’. (1 Sel. 2:2) Një student i Galaadit tha: «Shpesh kam parë që lutja më ndihmon shumë kur e kam të vështirë të flas.» Nëse ngurron të flasësh, bëj një lutje të shkurtër në heshtje.—Neh. 2:4.
4. Çfarë synimi duhet të kemi si fillim dhe pse?
4 Ashtu siç tregon edhe vetë emri, dëshmia joformale nuk kërkon që ta fillojmë bisedën me një prezantim formal ose me një shkrim. Është mirë të kemi si synim thjesht të fillojmë një bisedë pa menduar se duhet të japim dëshmi menjëherë. Shumë lajmëtarë thonë se kjo gjë u jep guximin e nevojshëm për të folur më pas për lajmin e mirë. Nëse personi nuk dëshiron të bisedojë, nuk ka nevojë ta detyrojmë që të vazhdojë bisedën. Mbylle bisedën me mirësjellje dhe vazhdo me punët e tua.
5. Çfarë e ndihmon një motër të ndrojtur të japë dëshmi joformale?
5 Kur është në pazar, një motër, që është e ndrojtur, në fillim i sheh në sy njerëzit dhe u buzëqesh miqësisht. Nëse edhe personi tjetër i buzëqesh, ajo i thotë diçka për ndonjë gjë. Nëse ai reagon mirë, kjo i jep guxim që ta vazhdojë bisedën. E dëgjon me vëmendje dhe përpiqet të kuptojë se cili aspekt i lajmit të mirë do t’i interesonte më shumë. Me këtë metodë, ajo ka shpërndarë shumë literaturë, madje ka filluar një studim biblik.
6. Si mund të fillojmë një bisedë në një rrethanë joformale?
6 Si ta fillojmë bisedën? Çfarë mund të themi për të filluar bisedën? Kur Jezui foli me gruan te pusi, ai filloi thjesht duke i kërkuar ujë. (Gjoni 4:7) Prandaj edhe ne mund të fillojmë ndoshta me një përshëndetje miqësore ose me një pyetje. Ndërsa flitni, mund të gjesh një mënyrë për t’i treguar një mendim nga Bibla e ndoshta të mbillni farën e së vërtetës tek ai. (Ekl. 11:6) Disa kanë pasur sukses duke bërë një pohim interesant që ngjall kureshtje dhe i bën të tjerët të pyesin. Për shembull, ndërsa presim për t’u vizituar te mjeku, mund të nisim një bisedë duke thënë: «Do të jem i lumtur kur të mos sëmurem më.»
7. Pse kur vëzhgojmë me kujdes e kemi më të lehtë të japim dëshmi joformale?
7 Nëse vëzhgojmë me kujdes, kemi mundësi të fillojmë më lehtë biseda. Kur shohim një prind me një fëmijë të edukuar, mund ta lavdërojmë prindin dhe ta pyesim: «Çfarë të ka ndihmuar ta edukosh kaq mirë?» Një motër mban shënim temat për të cilat flasin shokët e punës dhe pastaj u jep informacione specifike për atë që atyre u intereson. Kur dëgjoi se një shoqe e punës do të martohej, i dha një revistë Zgjohuni! ku flitej për përgatitjet e dasmës. Kjo i hapi rrugën bisedave biblike.
8. Si mund t’i përdorim botimet tona për të filluar biseda?
8 Një mënyrë tjetër për të filluar biseda është duke lexuar botimet tona në një vend ku të tjerët mund të na shohin. Një vëlla e hap revistën Kulla e Rojës ose Zgjohuni! në një artikull me titull tërheqës dhe fillon ta lexojë me qetësi. Nëse vë re ndonjë aty afër që ia ka ngulur sytë revistës, ai i bën një pyetje ose një koment të shkurtër për artikullin. Kjo shpesh i jep mundësi të hapë biseda dhe të japë dëshmi. Thjesht duke lënë një botim në një vend ku bie në sy, mund të ngjallë kureshtjen e shokëve të punës ose të klasës dhe mund t’i nxitë të bëjnë pyetje.
9, 10. (a) Si mund të krijojmë mundësi për të dhënë dëshmi joformale? (b) Çfarë metodash ke përdorur?
9 Të krijojmë mundësi: Duke pasur parasysh urgjencën e veprës së predikimit, dëshminë joformale nuk duhet t’ia lëmë vetëm rastësisë. Përkundrazi, duhet të përpiqemi të krijojmë mundësi për të dhënë dëshmi gjatë veprimtarive të përditshme. Mendo që më përpara se cilët mund të takosh dhe si mund të fillosh një bisedë miqësore me ta. Mbaj me vete një Bibël, si dhe literaturë që mund t’ua lësh atyre që tregojnë interes.—1 Pjet. 3:15.
10 Duke përdorur imagjinatën, mjaft lajmëtarë kanë krijuar mundësi për të dhënë dëshmi joformale. Një motër që jeton në një pallat me masa të larta sigurie, përdor vendin e zbavitjes atje, për të bashkuar pjesë të mozaikëve që paraqesin peizazhe të bukura. Kur njerëzit ndalojnë dhe komentojnë për bukurinë e këtyre peizazheve, ajo shfrytëzon rastin për të filluar biseda dhe për t’u treguar premtimin e Biblës për «një qiell të ri dhe një tokë të re». (Zbul. 21:1-4) A mund të krijosh mundësi për të dhënë dëshmi joformale?
11. Si mund të ndjekim interesin që gjejmë gjatë dëshmisë joformale?
11 Të ndjekim interesin: Nëse gjen dikë që të dëgjon, përpiqu të ndjekësh interesin. Nëse është e përshtatshme, mund t’i thuash: «Më pëlqeu shumë biseda me ju. Ku mund t’ju gjej që të bisedojmë përsëri?» Disa lajmëtarë thjesht i japin personit adresën dhe numrin e tyre të telefonit dhe i thonë: «Më pëlqeu biseda me ju. Nëse keni dëshirë të dini më shumë për atë që folëm, këtu keni adresën dhe numrin tim të telefonit.» Nëse nuk ke mundësi të ndjekësh interesin e tij, plotëso formularin Ju lutemi, ndiqni interesin (S-43) dhe jepja sekretarit të kongregacionit tënd në mënyrë që interesin e tij ta ndjekë kongregacioni përkatës.
12. (a) Pse duhet të mbajmë shënim dhe të përfshijmë në raport kohën që kalojmë duke dhënë dëshmi joformale? (b) Çfarë rezultatesh janë arritur nëpërmjet dëshmisë joformale? (Shih kutinë «Dëshmia joformale jep rezultat.»
12 Koha që kalojmë duke dhënë dëshmi joformale nuk duhet lënë pa raportuar. Prandaj, sigurohu që ta shënosh, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për disa minuta në ditë. Mendoni pak: nëse çdo lajmëtar jep dëshmi joformale për pesë minuta çdo ditë, kjo do të thotë mbi 17 milionë orë më shumë çdo muaj.
13. Çfarë duhet të na shtyjë të japim dëshmi joformale?
13 Kemi arsyet më fisnike për të dhënë dëshmi joformale—dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin. (Mat. 22:37-39) Zemra plot vlerësim për cilësitë dhe qëllimet e Jehovait, na shtyn të flasim për «lavdinë e shkëlqimin e mbretërisë [së tij]». (Psal. 145:7, 10-12) Interesimi i sinqertë për të afërmin na nxit të shfrytëzojmë çdo mundësi të përshtatshme për të përhapur lajmin e mirë ndërsa ka akoma kohë. (Rom. 10:13, 14) Duke u menduar dhe përgatitur që më përpara, të gjithë mund të japim dëshmi joformale dhe ndoshta të ndiejmë gëzimin që vjen kur i japim të vërtetën dikujt me zemër të sinqertë.
[Diçitura në faqen 4]
Mund të jetë dobiprurëse kur kemi si synim thjesht të takojmë njerëz dhe të fillojmë një bisedë me ta
[Diçitura në faqen 5]
Duke përdorur imagjinatën, mjaft lajmëtarë kanë krijuar mundësi për të dhënë dëshmi joformale
[Kutia në faqen 5]
Sugjerime për të filluar biseda
◼ Lutju Jehovait për ndihmë që të fillosh bisedën
◼ Zgjidh ata njerëz që duken miqësorë dhe nuk janë duke nxituar
◼ Shihi në sy, buzëqeshu dhe komento për diçka që është me interes të përbashkët
◼ Dëgjoji me vëmendje
[Kutia në faqen 6]
Dëshmia joformale jep rezultat
• Ndërsa priste te mekaniku që t’i rregullonte makinën, një vëlla u predikonte atyre që kishte afër dhe u jepte ftesën për të ndjekur një fjalim publik në kongres. Një vit më vonë, në një kongres, një vëlla që nuk e njihte, e përshëndeti me ngrohtësi. Ishte njëri prej atyre që u kishte dhënë ftesën e fjalimit një vit më parë te mekaniku. Ai kishte shkuar të dëgjonte fjalimin publik dhe kishte kërkuar një studim biblik. Tani, ai dhe gruaja e tij ishin pagëzuar.
• Një motër që mori të vërtetën me anë të dëshmisë joformale i konsideron si territorin e saj të veçantë ata që takon nëpërmjet tre fëmijëve të saj. Në këtë grup futen fqinjët dhe prindërit që takon në shkollën e tyre dhe gjatë takimeve me prindërit. Sa herë prezantohet me dikë, thotë thjesht e me gjithë zemër se Bibla për të është një ndihmë me vlerë për rritjen e fëmijëve dhe pastaj flet për ndonjë temë tjetër. Por, kur tashmë ka thyer akullin, e ka më të lehtë të përmendë Biblën në bisedat e mëpasshme. Me këtë metodë, ka ndihmuar 12 veta deri në pagëzim.
• Kur një motre i shkoi në shtëpi një punonjës i siguracioneve, shfrytëzoi rastin për t’i dhënë dëshmi. E pyeti nëse do t’i pëlqente t’i garantonin një shëndet të mirë, lumturi dhe jetë të përhershme. Ai tha po, dhe e pyeti se për ç’lloj siguracioni e kishte fjalën. Ajo i tregoi premtimet e Biblës dhe i ofroi një nga botimet tona, që ai e lexoi brenda një nate. Pasi filloi një studim biblik, nisi të ndiqte mbledhjet dhe më vonë u pagëzua.
• Ndërsa udhëtonte me aeroplan, një motër hyri në bisedë me gruan ulur përbri saj dhe arriti t’i jepte dëshmi. Aty nga fundi i udhëtimit, motra i dha adresën dhe numrin e saj të telefonit dhe e inkurajoi të kërkonte një studim biblik herën tjetër që Dëshmitarët e Jehovait do t’i shkonin në shtëpi. Pikërisht të nesërmen, dy Dëshmitare i trokitën në derë kësaj gruaje. Filloi të studionte Biblën, përparoi shumë shpejt, u pagëzua dhe pa kaluar shumë drejtonte edhe vetë tri studime.
• Një vëlla i verbër që është 100 vjeç dhe jeton në azil, shpesh thotë: «Kemi nevojë për Mbretërinë.» Ky pohim i bën infermierët dhe pacientët ta pyesin se çfarë është Mbretëria dhe ai ua shpjegon. Një nga gratë që punon atje, e pyeti se çfarë do të bëjë në Parajsë. Ai iu përgjigj: «Do të shoh e do të eci përsëri dhe do ta djeg karrigen me rrota.» Ngaqë është i verbër, i kërkon asaj t’ia lexojë revistat. Kur vajza e këtij vëllai erdhi njëherë për vizitë, kjo grua i mori leje vajzës së tij që t’i merrte revistat në shtëpi. Një infermiere i tha së bijës: «Tema jonë në azil tani është: ‘Kemi nevojë për Mbretërinë.’»
• Një motër, ndërsa mbante radhë në një restorant, dëgjoi një grup të moshuarish ulur në një tavolinë aty afër që po flisnin për politikën. Njëri tha se qeveria nuk mund t’i zgjidhte problemet e tyre. Motra mendoi: ‘Ky është një rast i mirë.’ Bëri një lutje të shpejtë dhe u afrua pranë tyre. Pasi u prezantua, u tha se kishte një qeveri që do të zgjidhte problemet e njerëzimit, Mbretëria e Perëndisë, dhe u ofroi një broshurë që kishte me vete. Në atë çast ia behu administruesi i restorantit. Motra mendoi se do t’i kërkonte të largohej. Por ai i tha se kishte dëgjuar bisedën dhe se donte edhe ai një broshurë. Një punonjëse që po dëgjonte, u afrua me lotët që i binin faqeve. Kishte studiuar më parë Biblën dhe donte të rifillonte studimin.