Programi i asamblesë së re speciale njëditore
Kur shohim ose dëgjojmë një sinjal paralajmërues dhe nuk i bindemi, pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Është edhe më e rëndësishme t’i bindemi drejtimit frymor që na jep Jehovai. Kjo do të theksohet në programin e asamblesë speciale njëditore për vitin e ardhshëm të shërbimit. Tema është: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni».—Luka 8:18.
Në fjalimin e tij të parë, oratori vizitues do të shqyrtojë se si zbatohet sot për ne këshilla që jep apostulli Pavël në kapitujt e parë të letrës së frymëzuar drejtuar hebrenjve. Në fjalimin përmbyllës, «T’i kushtojmë vëmendje vazhdimisht mësimit hyjnor», ai do t’i ndihmojë të gjithë të kuptojnë nëse po e dëgjojnë vërtet Jehovain, Birin e tij dhe ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’.—Mat. 24:45.
Disa pjesë të programit do të jenë dobiprurëse në mënyrë të veçantë për familjet. Fjalimi «Familje që e dëgjojnë Fjalën e Perëndisë pa u shpërqendruar» do të na ndihmojë që të mos i lejojmë gjërat e botës të na mbytin nga ana frymore. Kjo pjesë do të përmbajë intervista të atyre që kanë bërë ndryshime në jetë në mënyrë që të vënë në radhë të parë gjërat frymore. Gjatë fjalimit «Si forcohen të rinjtë kur e dëgjojnë me vëmendje Fjalën e Perëndisë?» do të intervistohen disa të rinj që i kanë qëndruar besnikë së vërtetës në shkollë, përballë bashkëmoshatarëve ose në shërbim. Ndërsa fjalimi «Fëmijë që e dëgjojnë Perëndinë dhe mësojnë» do të na ndihmojë që të mos e nënvlerësojmë aftësinë e të vegjëlve për të mësuar. Nga intervistat e të rinjve dhe të prindërve do të kuptojmë dobitë që vijnë nëse i stërvitim fëmijët në rrugët e Jehovait që në foshnjëri.
Ndërsa Satanai po «mashtron gjithë tokën e banuar», Jehovai u tregon shërbëtorëve të tij besnikë rrugën që duhet të ndjekin. (Zbul. 12:9; Isa. 30:21) Nëse i dëgjojmë me vëmendje këshillat e tij dhe me gatishmëri i vëmë në zbatim në jetë, jo vetëm që do të bëhemi të mençur dhe do të jemi të lumtur, por edhe do të shkojmë drejt jetës së përhershme.—Prov. 8:32-35.