Programi familjar: Predikimi si familje
1 Jehovai kënaqet kur sheh që të rinjtë lëvdojnë emrin e tij. (Psal. 148:12, 13) Në ditët e Jezuit, edhe ‘fëmijët dhe foshnjat e gjirit i sollën lavdi’ Perëndisë. (Mat. 21:15, 16) E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Si mund t’i ndihmoni, ju prindër, fëmijët që të bëhen lavdërues të zellshëm të Jehovait në shërbimin e krishterë? Ashtu siç u theksua edhe në artikullin e mësipërm për mbledhjet e kongregacionit, një faktor kyç është shembulli juaj. Siç do të thoshte edhe çdo prind tjetër, një baba tha: «Fëmijët nuk bëjnë siç u thua ti, por siç bën ti.»
2 Një motër e rritur nga prindër të krishterë kujton: «Kurrë nuk jemi ngritur ndonjë të shtunë në mëngjes e të kemi pyetur nëse do të shkonim në shërbim. E dinim se po.» Po kështu, edhe ju mund të ngulitni te fëmijët tuaj rëndësinë e veprës së predikimit, duke e bërë zakon të dilni çdo javë në predikim si familje. Kjo gjë, jo vetëm që u krijon mundësinë fëmijëve të mësojnë duke ju parë juve në shërbim, por edhe ju ndihmon që të vëzhgoni qëndrimin, sjelljen e tyre dhe aftësitë që po zhvillojnë.
3 Stërvitje e vazhdueshme: Që fëmijët të kënaqen në shërbim, duhet të jenë të përgatitur për të qenë sa më të efektshëm. Motra që u përmend më sipër tha: «Ne kurrë nuk kemi shkuar thjesht për të shoqëruar prindërit në veprën e tyre. E dinim se edhe ne kishim pjesën tonë, edhe pse kjo donte të thoshte vetëm t’i binim ziles së ndonjë dere apo të linim një fletë ftese. Falë përgatitjes së kujdesshme përpara aktiviteteve të çdo fundjave, ne e dinim ç’duhej të thoshim.» Mund t’i stërvitni fëmijët tuaj në këtë aspekt duke kaluar ca minuta çdo javë për t’i përgatitur për shërbim, qoftë gjatë studimit familjar, qoftë në një rast tjetër.
4 Predikimi së bashku si familje ju jep edhe më tepër mundësi për të ngulitur të vërtetën te fëmijët tuaj. Një baba i krishterë e kishte zakon ta merrte me vete vajzën kur bënte rreth 20 kilometra rrugë vajtje-ardhje në këmbë, për t’u shpërndarë fletushka fshatarëve në luginën tjetër. Ajo kujton me nostalgji: «Gjatë atyre udhëtimeve, babai më rrënjosi të vërtetën në zemër.» (Ligj. 6:7) Edhe ju, që e bëni predikimin pjesë të programit familjar javor, qofshi po kaq të bekuar!