Një ditë e caktuar për të filluar studime biblike
1 Duke filluar nga janari, çdo kongregacion do të caktojë një fundjavë në muaj, ndoshta fundjavën e parë, për të ofruar kryesisht studime biblike. Mund të caktohet ose një e shtunë ose një e diel, në varësi të rrethanave lokale. Nëse atë ditë i zoti i shtëpisë nuk pranon një studim biblik, prapëseprapë lajmëtari mund t’i ofrojë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? ose t’i lërë revistat më të fundit. Të gjithë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës duhet të marrin pjesë sa më shumë në këtë veprimtari dhe t’i ndihmojnë lajmëtarët të fillojnë studime biblike.
2 Komiteti i Shërbimit i Kongregacionit do të vendosë se në cilën fundjavë do të caktojë një ditë për të ofruar studime biblike. Herë pas here do të bëhen njoftime në mënyrë që lajmëtarët të përgatiten dhe të bëjnë çmos të ofrojnë studime biblike nga shtëpia në shtëpi dhe kur të kthehen përsëri tek ata që kanë treguar interes më parë.
3 Si të përgatitemi: Te shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë janar 2006 dhe në faqen 12 të librit Të arsyetojmë, mund të gjejmë sugjerime si të fillohen studime biblike. Disa mund të zgjedhin të përdorin një fletushkë, si A do të dish të vërtetën? Gjithashtu, në faqen 3 të Shërbimi ynë i Mbretërisë gusht 2007 ka sugjerime se si mund të fillohen studime biblike me ata që kanë pranuar revistat. Sipas një programi, pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës do të drejtojnë një mbledhje të shkurtër për shërbim prej 10-15 minutash, gjatë së cilës do të trajtohen ose demonstrohen një ose dy sugjerime praktike për të filluar studime biblike.
4 Sigurisht, jo të gjithë do të pranojnë të studiojnë Biblën dhe jo të gjithë ata që kanë filluar, do ta çojnë deri në fund. Kjo nuk duhet të na sprapsë, pasi është Jehovai që i tërheq në organizatën e tij njerëzit si delet. (Gjoni 6:44) Përgjegjësia jonë nuk është vetëm të mbjellim farën e së vërtetës, por edhe të kultivojmë dhe të ujitim atë që ka zënë rrënjë, dhe këtu përfshihet edhe studimi i Biblës me ata që janë të prirur të mësojnë për Jehovain. Kur veprojmë kështu, kemi privilegjin të jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë.—1 Kor. 3:9.