Farat duhen ujitur që të rriten
1. Çfarë duhet ujitur në mënyrë që të rritet?
1 Farat e mbjella në kopsht duhen ujitur që të rriten. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për farat e së vërtetës që mbillen në zemrat e njerëzve në territor. (1 Kor. 3:6) Duhet të kthehemi për rivizitat dhe t’i ujitim këto fara figurative duke përdorur fjalën e Perëndisë, nëse duam që të lëshojnë rrënjë, të rriten e të lulëzojnë.
2. Si mund të hedhim bazat për vizitën e ardhshme?
2 Të ngremë një pyetje: Kur përgatitni prezantimet, është mirë të përgatitni edhe një pyetje që ngjall interes në mënyrë që t’i jepni përgjigje kur të ktheheni për rivizitën? Bëjani pyetjen në fund të bisedës së parë dhe lini takim për t’u kthyer sërish duke përcaktuar qartë orarin. Shumë lajmëtarëve u duket e efektshme të zgjedhin diçka nga libri Çfarë mëson vërtet Bibla? pasi kjo u jep mundësi të tregojnë se si bëhet një studim biblik.
3. Çfarë informacionesh mund të mbani shënim pas vizitës së parë?
3 Mbani shënime: Sapo mbaroni bisedën e parë, mbani shënime të qarta. Shkruani emrin dhe adresën e personit. Është mirë të shënoni edhe datën e orën kur folët me të, temën për të cilën biseduat dhe botimin që i dhatë, nëse i latë diçka për të lexuar. Mos vallë përmendi se i përkiste një feje të caktuar? A ka përgjegjësi familjare? A tha se çfarë i interesonte dhe çfarë e shqetësonte? Këto informacione do t’ju ndihmojnë që herën tjetër të flitni për gjëra që atij i interesojnë. Gjithashtu, shkruani orën se kur do të ktheheni dhe pyetjen që latë pezull.
4. Pse duhet të ngulmojmë kur përpiqemi të ndjekim interesin?
4 Ngulmoni: Satanai nuk do të reshtë së përpjekuri që të marrë fjalën që u mboll në zemrën e personit. (Mar. 4:14, 15) Prandaj, mos hiqni dorë nëse nuk e gjeni të interesuarin herë tjetër në shtëpi. A mund t’i dërgoni një letër ose t’i lini një shënim te dera? Një pioniere filloi një studim te dera me një grua, por nuk arrinte ta gjente në shtëpi përsëri, prandaj i dërgoi një letër. Kur më në fund e gjeti, gruaja tha se ishte mjaft e prekur nga interesi që ajo kishte treguar për të. Ndërsa ujitim farat e së vërtetës, mund të provojmë gëzimin që vjen kur i shohim që mbijnë, rriten dhe «japin fryt, tridhjetë, gjashtëdhjetë dhe njëqindfish».—Mar. 4:20.