E enjte, 31 korrik
Vazhdoni të siguroheni çfarë është e pranueshme për Zotërinë.—Efes. 5:10.
Kur gjendemi para vendimeve të rëndësishme, duhet të dallojmë «cili është vullneti i Jehovait» e pastaj të veprojmë në harmoni me të. (Efes. 5:17) Kur përpiqemi të kuptojmë cilat parime të Biblës vlejnë për situatën tonë, po kërkojmë të zbulojmë si mendon Perëndia për atë çështje. E ndërsa i zbatojmë parimet e tij, ka më shumë të ngjarë të marrim vendime të mençura. «Të Ligut», armikut tonë Satanait, do t’i pëlqente të jepeshim aq shumë pas aktiviteteve të kësaj bote, sa të mos na mbetej kohë për të adhuruar Perëndinë. (1 Gjon. 5:19) Kështu fare lehtë mund të fillonim t’i vinim të mirat materiale, arsimimin ose karrierën para mundësive për t’i shërbyer Jehovait. Kjo do të ishte një shenjë se po infektohemi nga mënyra si mendon bota. Natyrisht, këto gjëra nuk janë të gabuara në vetvete, ama nuk duhet të bëhen kurrë qendra e jetës sonë. w24.03 24 ¶16-17
E premte, 1 gusht
Hallet e të drejtit s’kanë të sosur, por Jehovai e çliron nga të gjitha.—Psal. 34:19.
Vër re dy pika të rëndësishme te psalmi i mësipërm: (1) Njerëzve të drejtë u bien halle. (2) Jehovai na çliron nga sprovat. Si na çliron Jehovai? Një mënyrë është duke na ndihmuar të kemi një pikëpamje realiste për jetën në këtë sistem. Ndonëse na premton se do të gjejmë gëzim në shërbim të tij, ai nuk na garanton një jetë pa telashe sot. (Isa. 66:14) Jehovai na nxit të përqendrohemi tek e ardhmja—te koha kur do të bëjmë atë jetë që ai dëshiron ta gëzojmë përgjithnjë. (2 Kor. 4:16-18) Ndërkohë, po na ndihmon të ecim para çdo ditë pa u dorëzuar. (Vajt. 3:22-24) Çfarë mund të mësojmë nga shembujt e adhuruesve besnikë të Jehovait në lashtësi dhe në ditët tona? Mund të hasim probleme të papritura. Por kur e lëmë veten me besim në duart e Jehovait, ai do të na mbështetë në çdo rast.—Psal. 55:22. w23.04 14-15 ¶3-4
E shtunë, 2 gusht
[Jini të] nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.—Rom. 13:1.
Mund të mësojmë nga shembulli i Jozefit dhe Marisë, që ishin gati t’u bindeshin autoriteteve më të larta edhe kur ishte e pavolitshme për ta. (Luka 2:1-6) Kur Maria ishte gati nëntë muajshe shtatzënë, bindja e saj dhe e Jozefit u vu në provë. Augusti, që qeveriste Perandorinë Romake, nxori një dekret që të regjistrohej popullsia. Jozefi dhe Maria duhej të shkonin në Betlehem, pra duhej të udhëtonin deri në 150 kilometra përmes një rajoni malor. Çfarë udhëtimi i parehatshëm, sidomos për Marinë! Si çift, ata mund të ishin në merak për sigurinë e saj dhe të foshnjës së palindur. Po sikur t’i fillonin dhimbjet e lindjes gjatë udhëtimit? Ajo mbante në bark Mesinë, të premtuarin e Jehovait. A mund të ishte ky një justifikim për të mos iu bindur qeverisë? Jozefi dhe Maria nuk lejuan ndonjë nga ato shqetësime të kthehej në justifikim për të mos iu bindur ligjit. E Jehovai e bekoi bindjen e tyre. Maria mbërriti shëndoshë e mirë në Betlehem, lindi një fëmijë të shëndetshëm, e madje ndihmoi të plotësohej një profeci e Biblës.—Mik. 5:2. w23.10 8 ¶9; 9 ¶11-12