Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Një qëndrim i vendosur në shkollë sjell shpërblime
BIBLA paratha: «Të gjithë bijtë e tu do të jenë persona të mësuar nga Jehovai dhe paqja e bijve të tu do të jetë e bollshme.» (Isaia 54:13, BR) Në mënyrë më të gjerë, shprehja «të gjithë bijtë e tu» mund të zbatohet për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë mbi tokë, duke përfshirë edhe më të rinjtë. Sot, prindërit e krishterë marrin masa që fëmijët e tyre «të mësohen nga Jehovai» në shtëpi dhe në mbledhjet e krishtere.
Megjithatë, kur ndjekin shkollat, të rinjtë e krishterë ballafaqohen me sfida të vështira. Shpesh, ata e shohin të nevojshme të marrin një qëndrim të fortë, të bazuar në atë ç’kanë mësuar prej Biblës. Duke vepruar kështu, rezultatet mund të jenë të dobishme për studentët dhe për mësuesit, siç tregon edhe përvoja e mëposhtme nga Mikronezia.
Në ishullin e vogël Tol, në Paqësorin Perëndimor, në Ishujt Çuk, mësuesit e shkollës lokale u thanë nxënësve të përgatiteshin dhe të merrnin pjesë për kremtimin e festës së 31 tetorit (Halloween) në shkollë. Nxënësit Dëshmitarë ishin të vetëdijshëm se kremtimi do të kishte zbukurime dhe kostume, të cilat përfaqësonin fantazma, djaj dhe shtriga, të gjitha të lidhura me traditat spiritiste. Në mënyrë të ndërgjegjshme, këta fëmijë s’mund të merrnin pjesë.a
Falë stërvitjes së bazuar në Bibël që kishin marrë në shtëpi dhe në mbledhjet e kongregacionit, ata e dinin se praktika të tilla nuk i pëlqejnë Perëndisë, edhe kur bëhen thjesht për zbavitje. Për t’i ndihmuar që të shpjegonin më qartë qëndrimin e tyre, fëmijët ftuan Barakun, një nga misionarët e Dëshmitarëve në ishull, që të fliste me mësuesit.
Pasi dëgjuan shpjegimin, mësuesit morën masa për një mbledhje të dytë, në të cilën Baraku mund të fliste me gjithë personelin e shkollës. Në këtë mbledhje, Baraku paraqiti fakte që tregonin natyrën e vërtetë të kësaj feste. Ai i nxorri informacionet nga botime të ndryshme të Shoqatës Watch Tower, si dhe nga burime të tjera. Mësuesit dhe administratorët mbetën të habitur nga ato që mësuan në lidhje me origjinën, historinë dhe natyrën fetare të kremtimit. Ata menduan të mbanin një mbledhje të grupit drejtues, për të vendosur se si të zgjidhnin situatën.
Pak ditë më vonë, u lajmërua një vendim i papritur. Të gjitha përgatitjet për festën e 31 tetorit ishin anuluar. Thjesht, shkolla s’do ta kremtonte këtë festë atë vit. Ç’rezultat të favorshëm solli vendosmëria e atyre Dëshmitarëve të rinj, për të bërë atë që është e drejtë në shkollë! Të rinjtë s’duhet të kenë kurrë frikë apo turp, për të marrë një qëndrim të vendosur përkrah të vërtetës biblike.
Anembanë botës, Dëshmitarët e Jehovait i mësojnë fëmijët e tyre që të studiojnë me zell në shkollë. Gjithashtu, të rinjtë Dëshmitarë stërviten për të jetuar sipas parimeve të Biblës dhe për të ndarë shpresën dhe bindjet e tyre me nxënësit e tjerë, sa herë të kenë rast. Edhe nëse rezultatet nuk do të jenë kaq të favorshme e të menjëhershme si në këtë rast, të rinjtë mund të kenë mirëbesimin dhe kënaqësinë që vjen nga bërja e asaj që është e drejtë. Por më e rëndësishmja, ata mund të jenë të sigurt se Ati i tyre qiellor është i kënaqur dhe do t’i bekojë për bindjen e tyre plot besim.
[Shënimi]
a Për më shumë informacion në lidhje me festën e 31 tetorit (Halloween) dhe origjinat e saj spiritiste, shiko numrin e 22 nëntorit 1993 të revistës Zgjohuni!, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.