Të përdorim ngjarjet e fundit për të ngjallur interes
1 A do të na pëlqente të ishim vazhdimisht të pajisur me ide të mira që do të na e mbanin shërbimin të freskët dhe që do të ngjallnin interesin e njerëzve për mesazhin biblik? Atëherë, le të përdorim ngjarjet që po ndodhin në skenën botërore dhe në zonën tonë për të filluar biseda. Mund të zgjedhim ngjarjet e fundit lokale dhe kombëtare ose çështjet në lajmet ndërkombëtare. Këto gjëra janë gjithnjë në ndryshim. (1 Kor. 7:31) Të shqyrtojmë shembujt e mëposhtëm.
2 Problemet ekonomike dhe kostoja e jetesës janë një shqetësim i vërtetë për njerëzit. Prandaj, mund të themi:
◼ «A dëgjuat në lajme se çmimet [të përmendim artikullin] po ngrihen përsëri?» Ose mund të komentojmë rreth papunësisë nëse një kompani e madhe ka nxjerrë në rrugë shumë punëtorë. Në varësi të asaj se si duam të vazhdojmë me diskutimin më pas mund të pyesim «A keni menduar ndonjëherë përse është kaq e vështirë jetesa?» ose «A mendoni se do të jetë gjithnjë i vështirë sigurimi i mjeteve të jetesës?»
3 Raportet e dhunës të tilla, si tragjeditë në familje ose ndërmjet nxënësve në shkollë, sigurojnë bazën për një tjetër diskutim. Ne mund të pyesim:
◼ «A lexuat në gazetë se [të përmendim tragjedinë në zonë]?» Më pas të pyesim «Si mendoni, cili është shkaku i gjithë kësaj dhune në botë?» ose «A mendoni se do të vijë ndonjëherë një kohë kur mund të ndihemi të sigurt?»
4 Lajmet rreth përmbytjeve shkatërrimtare, tërmeteve ose trazirave civile në pjesë të ndryshme të botës, ofrojnë, gjithashtu, material që ngjall interes. Për shembull, mund të bëjmë pyetjen:
◼ «A është Perëndia përgjegjës për [të përmendim shkatërrimin natyror]?» Ose mund të tërheqim vëmendjen në trazirën më të fundit civile që ka shpërthyer dhe të themi: «Nëse çdo person dëshiron paqe, përse është kaq e vështirë që ajo të arrihet?»
5 Të jemi vigjilentë ndaj ngjarjeve aktuale, që të mund t’i përdorim në prezantimet tona. Megjithatë, të mos mbajmë anën e njërës palë ose tjetrës në çështjet politike dhe ato shoqërore. Në vend të kësaj, ta drejtojmë vëmendjen te Shkrimet dhe te Mbretëria e Perëndisë, si e vetmja zgjidhje e përhershme e problemeve të njerëzimit.