MËSIMI 3
Shqiptimi i saktë
JO TË gjithë të krishterët kanë shumë vite arsimimi. Edhe apostujt Pjetër e Gjon u përshkruan si ‘njerëz të thjeshtë që nuk kishin marrë stërvitje rabinike’. (Vep. 4:13) Pavarësisht nga kjo, është e rëndësishme që të mos ia ulësh vlerën prezantimit të së vërtetës biblike duke i shqiptuar keq fjalët.
Faktorë që duhen marrë parasysh: Nuk ka një listë rregullash që zbatohen për të gjitha gjuhët. Shumë gjuhë përdorin alfabete. Përveç alfabetit latin ekzistojnë edhe alfabete të tjera, si ai arab, cirilik, grek dhe hebraik. Kurse gjuha e shkruar kineze, në vend të alfabetit përdor shenja që mund të përbëhen nga disa elemente. Këto shenja zakonisht përfaqësojnë një fjalë ose pjesë të një fjale. Por, ndonëse gjuha japoneze dhe koreane përdor edhe shenja kineze, këto shenja mund të përdoren për të përfaqësuar tinguj krejt të ndryshëm dhe mund të mos kenë të njëjtin kuptim.
Në gjuhët që përdorin alfabetin, shqiptimi i duhur kërkon që të përdorësh tingullin e duhur për secilën shkronjë ose kombinim shkronjash. Kur këto gjuhë kanë rregulla të përcaktuara, si për shembull gjuha greke, spanjolle dhe ajo zulu, shqiptimi nuk është edhe aq i vështirë. Megjithatë, nga ndikimet e huaja në një gjuhë mund të ketë fjalë me shqiptime që pasqyrojnë origjinën e tyre. Si pasojë, një shkronjë e veçantë ose një grup shkronjash mund të shqiptohen në disa mënyra e në disa raste nuk shqiptohen fare. Mund të të duhet t’i mësosh përmendësh këto shprehje që bëjnë përjashtim nga rregullat dhe t’i përdorësh shpesh kur flet. Në gjuhën kineze, shqiptimi i duhur kërkon të mësohen përmendësh mijëra shenja. Në disa gjuhë ndryshimi i tonit mund të ndryshojë kuptimin e një fjale. Po të mos i kushtohet vëmendja e duhur këtij aspekti të gjuhës, mund të përcillen ide të gabuara.
Nëse fjalët e një gjuhe përbëhen nga disa rrokje, është e rëndësishme t’i vihet theksi rrokjes së duhur. Shumë gjuhë që përdorin një strukturë të tillë kanë një model pothuajse të rregullt të theksit në të folur, si për shembull edhe gjuha shqipe, në të cilën theksi te fjalët zakonisht bie në rrokjen e parafundit. Mirëpo, nëse nuk ka një model të tillë të rregullt, problemi është më i vështirë. Për t’ia dalë mbanë me sukses kërkohet që t’i mësosh përmendsh rregullat.
Lidhur me shqiptimin, duhet të shmangësh disa gracka. Të qenët tepër i saktë mund të japë përshtypjen e një të foluri artificial, e madje prej mendjemadhi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shqiptimin që nuk përdoret më gjerësisht nga njerëzit. Të folurit e tillë vetëm sa do të tërheqë vëmendjen tek oratori. Nga ana tjetër, është mirë të shmanget edhe ekstremi tjetër, pra, të folurit dhe shqiptimi i shkujdesur. Disa nga këto gjëra janë trajtuar tashmë në mësimin «Fjalë të thëna qartë».
Shqiptimi i përshtatshëm i fjalëve të një gjuhe mund të ndryshojë nga një vend në tjetrin e madje edhe nga një pjesë në një tjetër të po atij vendi. Një person i ardhur nga një vend tjetër mund ta flasë gjuhën vendëse me theks karakteristik. Në disa gjuhë, fjalorët mund të renditin më shumë se një shqiptim të pranueshëm për një fjalë. Veçanërisht nëse një person ka pasur mundësi të kufizuara arsimimi ose nëse gjuha që flet tani nuk është gjuha e tij e nënës, ai do të nxjerrë shumë dobi duke dëgjuar me kujdes ata që e flasin mirë gjuhën vendëse dhe duke e përshtatur shqiptimin e tij sipas shqiptimit të tyre. Si Dëshmitarë të Jehovait, duam të flasim në një mënyrë e cila i jep dinjitet mesazhit që predikojmë dhe që do të kuptohet menjëherë nga njerëzit në zonën tonë.
Në të folurit e përditshëm zakonisht është më mirë të përdorim fjalë të cilat i njohim mirë. Në bisedat e zakonshme, shqiptimi në përgjithësi nuk përbën ndonjë problem. Mirëpo, kur lexon me zë, mund të hasësh disa fjalë që nuk i përdor në të folurit e përditshëm. Në të vërtetë, si Dëshmitarë të Jehovait na duhet të lexojmë shpesh me zë. U lexojmë Biblën njerëzve kur u predikojmë. Disa vëllezërve u kërkohet të lexojnë paragrafët gjatë Studimit të Kullës së Rojës ose në Studimin e Librit të Kongregacionit. Është e rëndësishme të lexojmë saktë dhe të mos ia ulim vlerën mesazhit duke i shqiptuar keq fjalët.
A të duket se disa emra të përveçëm dhe fjalë të huaja në Bibël shqiptohen me vështirësi? Së pari, ndaji fjalët në rrokje dhe sigurohu që të lexosh saktë çdo rrokje. Pastaj, përpiqu që t’i lexosh të plota fjalët pak më shpejt dhe saktë.
Mënyra për t’u përmirësuar: Shumë veta nuk janë të vetëdijshëm për problemin që kanë me shqiptimin. Në rast se mbikëqyrësi i shkollës të tregon disa aspekte të shqiptimit ku duhet të kushtosh vëmendje, çmoje këtë veprim dashamirës. Por si mund të përmirësohesh pasi e ke kuptuar problemin?
Kur je caktuar për të lexuar me zë, mënyra e parë është që të lësh kohë për të kërkuar në fjalor fjalët që nuk njeh. Nëse nuk ke përvojë në përdorimin e fjalorit, shfleto faqet e para të tij ku shpjegohen simbolet që janë përdorur ose, në qoftë se është e nevojshme, kërkoji dikujt që të t’i shpjegojë ato. Fjalori do të të tregojë se ku duhet ta vendosësh theksin në ato fjalë që kanë më shumë se një rrokje. Çfarëdo fjale që po kërkon, thuaje disa herë me zë para se ta mbyllësh fjalorin.
Mënyra e dytë në të cilën mund të përmirësohesh është duke lexuar në prani të një tjetri që i shqipton mirë fjalët dhe duke i kërkuar atij të të ndreqë kur gabon.
Kurse mënyra e tretë për t’u përmirësuar është duke dëgjuar me kujdes oratorët e mirë. Nëse ke audiokasetat e Përkthimit Bota e Re ose të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, përdori mirë ato. Ndërsa dëgjon, vëru veshin fjalëve që shqiptohen ndryshe nga si do t’i shqiptoje ti. Mbaji shënim dhe provoje shqiptimin e tyre. Me kalimin e kohës do të flasësh pa gabime në shqiptim, dhe kjo do ta përmirësojë shumë të folurit tënd.