MËSIMI 42
Informativ për auditorin
PËR ta bërë fjalimin tënd informativ për auditorin, nuk mjafton vetëm që të flasësh për një argument me vlerë. Pyet veten: ‘Pse ka nevojë ky auditor ta dëgjojë këtë argument? Çfarë mund të them, me qëllim që auditori ta ndiejë se me të vërtetë ka nxjerrë dobi nga fjalimi?’
Në qoftë se në shkollë je caktuar të demonstrosh se si t’i japësh dëshmi dikujt, si auditor do të kesh të zotin e shtëpisë. Në raste të tjera mund të jesh duke folur para gjithë kongregacionit.
Çfarë di auditori? Pyet veten: ‘Çfarë di auditori rreth argumentit?’ Përgjigjja e kësaj pyetjeje duhet të përcaktojë pikënisjen tënde. Në qoftë se po flet para një kongregacioni që ka shumë të krishterë të pjekur, mos përsërit thjesht mësimet themelore, të cilat shumica prej tyre i njohin. Ndërto mbi këto të vërteta themelore. Natyrisht, po të jenë të pranishëm edhe shumë persona të sapointeresuar, duhet të marrësh parasysh nevojat e të dyja grupeve.
Rregulloje ritmin e të folurit sipas asaj që auditori e di tashmë. Po qe se do të përfshish disa hollësi të cilat ka të ngjarë që ata t’i dinë, përmendi disi shpejt. Por, kur paraqet ide që mund të jenë të reja për shumicën e dëgjuesve të tu, ngadalësoje ritmin me qëllim që t’i kuptojnë qartë.
Çfarë është informative? Të jesh informativ nuk do të thotë gjithnjë të kesh diçka të re për të thënë. Disa oratorë i shpjegojnë disa të vërteta të njohura me kaq thjeshtësi, saqë shumë veta në auditor për herë të parë i kuptojnë plotësisht ato.
Në shërbimin në fushë nuk mjafton të përmendësh një lajm për të ilustruar që po jetojmë në ditët e fundit. Përdor Biblën për të treguar domethënien e ngjarjes. Kjo do të jetë vërtet informative për të zotin e shtëpisë. Po ashtu, kur përmend ndonjë hollësi për ligjet e natyrës ose për jetën e bimëve e të kafshëve, qëllimi yt nuk duhet të jetë të paraqesësh ndonjë fakt shkencor mahnitës që i zoti i shtëpisë nuk e ka dëgjuar kurrë më parë. Përkundrazi, qëllimi yt duhet të jetë t’i ndërthurësh dëshmitë nga natyra me pohimet e Biblës për të treguar që ekziston një Krijues i cili na do. Kjo do ta ndihmojë të zotin e shtëpisë për t’i parë gjërat nga një këndvështrim i ri.
Mund të jetë një sfidë të flasësh për një argument para një auditori që e ka dëgjuar shumë herë më parë. Por, për të qenë mësues i efektshëm, duhet të mësosh si ta bësh me sukses këtë. Si mund të bëhet?
Kërkimet do të të ndihmojnë. Në vend që të përfshish në fjalim vetëm faktet që të vijnë menjëherë në mendje, përdor mjetet e kërkimit për të cilat është folur në faqet 33 deri në 38. Mbaj parasysh sugjerimet që jepen atje lidhur me synimet që duhet të përpiqesh të arrish. Gjatë kërkimeve mund të zbulosh që një ngjarje historike jo shumë e njohur ka lidhje të drejtpërdrejtë me argumentin tënd. Ose mund të dëgjosh a të lexosh një lajm të kohëve të fundit, i cili ilustron pikën që ke ndër mend të trajtosh.
Ndërsa shqyrton materialin, vëre mendjen në punë duke bërë pyetje të tilla, si: Çfarë? Pse? Kur? Ku? Kush? Si? Për shembull: Pse është e vërtetë kjo? Si mund ta provoj? Cilat koncepte të përhapura mund t’ua bëjnë të vështirë disave që të kuptojnë këtë të vërtetë biblike? Pse është e rëndësishme kjo e vërtetë? Si duhet të ndikojë në jetën e një personi? Cili shembull e tregon dobinë e zbatimit të saj? Çfarë zbulon kjo e vërtetë biblike rreth personalitetit të Jehovait? Në varësi të materialit që po trajton, mund të pyesësh: Kur ndodhi kjo? Si mund ta zbatojmë në mënyrë praktike këtë material sot? Madje, mund ta gjallërosh fjalimin duke i bërë disa nga këto pyetje gjatë fjalimit dhe duke u dhënë përgjigje.
Fjalimi mund të të kërkojë të përdorësh shkrime që auditori i njeh mirë. Çfarë të bësh për ta bërë informativ trajtimin e tyre? Mos u mjafto vetëm duke i lexuar, por shpjegoji.
Trajtimi i një shkrimi të njohur mund të bëhet më informativ nëse e ndan shkrimin në pjesë, veçon pjesët që lidhen me temën e fjalimit dhe i shpjegon ato. Shqyrto mundësitë që të ofron një shkrim si Mikea 6:8 në Përkthimin Bota e Re. Çfarë është ‘drejtësia’? Për normën e drejtësisë së kujt bëhet fjalë? Si do ta ilustroje se çfarë nënkupton shprehja «të ushtrosh drejtësinë»? Ose «të duash mirëdashjen»? Ç’është modestia? Si do ta zbatoje materialin në rastin e një personi të moshuar? Natyrisht, materiali që pastaj do të përdorësh duhet të përcaktohet nga faktorë të tillë, si: tema, pikësynimi, auditori dhe koha në dispozicion.
Zakonisht përkufizimet e thjeshta të termave janë të dobishme. Disave u hapen sytë kur mësojnë domethënien e termit «mbretëri» që përmendet te Mateu 6:10. Duke rikujtuar një përkufizim mund të ndihmosh madje edhe dikë që është i krishterë nga shumë kohë të dallojë më saktë çfarë thotë një shkrim i caktuar. Kjo bëhet e qartë kur lexojmë 2 Pjetrit 1:5-8 dhe pastaj përkufizojmë elementet e ndryshme të përmendura në këto vargje: besimin, virtytin, njohurinë, vetëkontrollin, qëndrueshmërinë, përkushtimin hyjnor, përzemërsinë vëllazërore dhe dashurinë. Kur në të njëjtin kontekst përdoren fjalë me kuptim të ngjashëm, përkufizimi mund të ndihmojë për të dalluar njërën nga tjetra. Kjo është e vërtetë për terma të tillë, si: mençuria, njohuria, aftësia dalluese dhe kuptueshmëria, të cilët përdoren te Proverbat 2:1-6.
Auditorit mund t’i duket informativ edhe thjesht arsyetimi rreth një shkrimi. Shumë njerëz habiten kur kuptojnë për herë të parë që te Zanafilla 2:7 në disa përkthime të Biblës, për Adamin thuhet se është një shpirt i gjallë dhe që sipas Ezekielit 18:4, shpirti vdes. Në një rast, Jezui i habiti saducenjtë duke iu referuar Daljes 3:6, të cilën ata pohonin se e besonin, dhe duke i bërë një zbatim për ringjalljen e të vdekurve.—Luka 20:37, 38.
Disa herë është informative të tregosh kontekstin e një shkrimi, rrethanat në të cilat u shkrua dhe identitetin e atij që flet ose të atij që dëgjon. Farisenjtë e njihnin mirë Psalmin 110. Megjithatë, Jezui e drejtoi vëmendjen e tyre te një hollësi e rëndësishme që gjendet në vargun e parë. Ai pyeti: «‘Ç’mendoni për Krishtin? Bir i kujt është?’ Ata i thanë: ‘I Davidit.’ Ai u tha: ‘Atëherë, si vallë Davidi nën frymëzim e quan “Zotëri”, duke thënë: «Jehovai i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu poshtë këmbëve të tua’»? Nëse, pra, Davidi e quan “Zotëri”, si atëherë qenka bir i tij?’» (Mat. 22:41-45) Kur arsyeton nga Shkrimet siç bëri Jezui, do t’i ndihmosh njerëzit ta lexojnë më me kujdes Fjalën e Perëndisë.
Kur një orator përmend kohën në të cilën u shkrua një libër i Biblës ose në të cilën ndodhi një ngjarje e caktuar, duhet të përshkruajë edhe kushtet që mbizotëronin në atë kohë. Në këtë mënyrë, auditori do ta kuptojë më mirë rëndësinë e librit ose të ngjarjes.
Krahasimet mund të të ndihmojnë për ta bërë më informative atë që thua. Mund të krahasosh një koncept të përhapur me atë që thotë Bibla për të njëjtën gjë. Ose mund të krahasosh dy tregime paralele të Biblës. A ka ndryshime? Pse? Çfarë mësojmë prej tyre? Kjo mund t’i ndihmojë dëgjuesit e tu ta shohin argumentin nga një këndvështrim i ri.
Në rast se je caktuar për të trajtuar ndonjë aspekt të shërbimit të krishterë, mund ta pasurosh pjesën duke filluar me një përmbledhje. Trego çfarë duhet bërë, pse duhet bërë dhe si lidhet me synimet tona të përgjithshme si Dëshmitarë të Jehovait. Pastaj shpjego ku, kur dhe si duhet bërë kjo vepër.
Po sikur fjalimi të kërkojë që të trajtosh disa nga «gjërat e thella të Perëndisë»? (1 Kor. 2:10) Në qoftë se fillon duke veçuar dhe duke shpjeguar disa elemente kyçe të argumentit, hollësitë do të kuptohen më lehtë. Gjithashtu, nëse përfundon me një përmbledhje të shkurtër të materialit, ka të ngjarë që auditori të mbetet i kënaqur duke e ndier se vërtet ka mësuar diçka.
Këshilla për jetën e krishterë. Dëgjuesit do të nxjerrin veçanërisht dobi po t’i ndihmosh që të kuptojnë se si zbatohet në jetën e tyre informacioni i fjalimit tënd. Ndërsa shqyrton shkrimet në materialin që të është caktuar, pyet veten: ‘Pse është ruajtur ky informacion në Shkrime deri sot e kësaj dite?’ (Rom. 15:4; 1 Kor. 10:11) Mendo për situatat që dëgjuesit e tu po përballojnë në jetë. Shqyrtoji situatat nën dritën e këshillave dhe të parimeve biblike. Gjatë fjalimit arsyeto me anë të Shkrimeve për të treguar se si ato mund ta ndihmojnë dikë për t’i përballuar me mençuri situata të tilla. Mos ji përgjithësues. Trajto qëndrime dhe veprime specifike.
Si fillim, zbato një ose dy nga sugjerimet e mësipërme në një fjalim që je duke përgatitur. Ndërsa fiton përvojë, zbatoji edhe të tjerat. Me kalimin e kohës do të shohësh që auditori do t’i presë me padurim fjalimet e tua, duke qenë i sigurt se do të dëgjojë diçka që do t’i sjellë vërtet dobi.