Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 8
T’i drejtojmë studentët tek organizata
1. Pse është e dobishme që, çdo javë gjatë një studimi biblik, të flitni për një aspekt të organizatës së Jehovait?
1 Qëllimi ynë kur drejtojmë studime biblike nuk është që t’i mësojmë studentit vetëm informacione doktrinale, por edhe ta ndihmojmë që të bëhet pjesë e kongregacionit të krishterë. (Zak. 8:23) Broshura Dëshmitarët e Jehovait: Kush janë? Çfarë besojnë? mund të na ndihmojë që ta bëjmë këtë. Studentit që sapo ka filluar studimin jepi një kopje dhe inkurajoje që ta lexojë. Dhe, çdo javë gjatë studimit, programo që të flitni disa minuta për një aspekt të organizatës së Jehovait.
2. Si mund ta inkurajosh studentin e Biblës që të ndjekë mbledhjet e kongregacionit?
2 Mbledhjet e kongregacionit: Ajo që i ndihmon më shumë studentët e Biblës të vlerësojnë organizatën e Perëndisë është shoqërimi me ne në mbledhjet e kongregacionit. (1 Kor. 14:24, 25) Kështu që mund të filloni duke i treguar studentit për pesë mbledhjet javore, duke i shpjeguar çdo herë njërën prej tyre. Thuaji temën e fjalimit publik për atë javë. Tregoji materialin që do të trajtohet gjatë Studimit të Kullës së Rojës dhe në Studimin e Librit të Kongregacionit. Përshkruaji Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit. Kur ke një caktim në shkollë, ndoshta mund t’i bësh provat me të. Tregoji pika interesante që ke dëgjuar në mbledhje. Përdor figurat që janë në botimet tona për ta ndihmuar që të krijojë një ide se si zhvillohen mbledhjet. Që herën e parë që drejton studimin me të, ftoje të vijë në një mbledhje.
3. Për çfarë aspektesh të organizatës mund të flasim me studentin?
3 Kur afrohet Përkujtimi, asambletë, kongresi dhe vizita e mbikëqyrësit qarkor, programo disa minuta për t’i shpjeguar këto raste dhe për t’i nxitur interesin. Dalëngadalë jepi përgjigje për pyetje të tilla, si: ‘Pse quhemi Dëshmitarë të Jehovait? Pse e quajmë Sallë Mbretërie vendin ku mblidhemi? Cilat janë detyrat e pleqve dhe të shërbëtorëve ndihmës? Si organizohet vepra e predikimit dhe territoret? Si prodhohet literatura jonë? Si financohet organizata? Çfarë rolesh luajnë zyra e degës dhe Trupi Udhëheqës në mbikëqyrjen e veprës?’
4, 5. Si ndihmojnë videokasetat tona për ta njohur dhe për ta vlerësuar organizatën?
4 Videokaseta informative: Një mënyrë tjetër se si studentët e Biblës mund të shohin organizatën e mrekullueshme të Jehovait është me anë të videokasetave tona. Për ata që kuptojnë një gjuhë të huaj mund të përdoren edhe këto videokaseta: Deri në skajet e tokës, E gjithë shoqëria jonë e vëllezërve dhe Të bashkuar nga mësimi hyjnor. Një grua, e cila për pesë vjet kishte marrë revistat tona dhe botime të tjera, u prek dhe qau kur pa videokasetën Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas emrit. Tashmë kishte krijuar besim te Dëshmitarët që e vizitonin, por, kur pa videokasetën, e ndjeu se mund të kishte besim edhe tek organizata. Filloi një studim biblik dhe javën pasuese filloi të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë.
5 Duke folur çdo javë për disa minuta me studentin e Biblës dhe duke përdorur mjetet që kemi në dispozicion, hap pas hapi mund ta drejtojmë atë student tek e vetmja organizatë që Jehovai po përdor sot.