A po e zvarritni?
Çfarë po zvarritim? Plotësimin e deklaratës AKP (Autorizim) që është siguruar për Dëshmitarët e pagëzuar në vendet ku një dokument i tillë njihet nga ligji. Në vendet e tjera mund të jetë e nevojshme një deklaratë e re mjekësore «Jo gjak». Ose një individ mund të përgatitë një deklaratë personale të shkruar e të firmosur me dorën e vet, për të shprehur vullnetin e tij në çështjet e lidhura me gjakun. Meqë «nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj», është jetësore që të vendosni më përpara e ta tregoni me shkrim se cilat mjekime dhe procedura do të pranonit në një rast urgjence mjekësore. (Jak. 4:14; Vep. 15:28, 29) Për t’ju ndihmuar, është përgatitur videoja Transfuzioni: Kujdesi mjekësor alternativ plotëson nevojat dhe të drejtat e pacientit. Shikojeni e më pas shqyrtoni në lutje ç’keni mësuar, me ndihmën e pyetjeve të mëposhtme.—Shënim: Videoja përmban disa skena të shkurtra operacionesh, kështu që prindërit duhet të tregojnë maturi kur e shohin me fëmijët e vegjël.
(1) Pse disa personalitete në fushën e mjekësisë po e rishqyrtojnë vlerën e përdorimit të transfuzioneve? (2) Jepni tre shembuj të operacioneve të ndërlikuara që janë kryer pa transfuzione gjaku. (3) Sa mjekë dhe kirurgë në mbarë botën janë treguar të gatshëm për t’i trajtuar pacientët pa transfuzione gjaku? Pse janë të gatshëm të veprojnë kështu? (4) Çfarë kanë zbuluar studimet spitalore të kohëve të fundit në lidhje me përdorimin e gjakut? (5) Cilat janë rreziqet mjekësore që lidhen me transfuzionet? (6) Në ç’përfundim kanë arritur shumë specialistë lidhur me dobitë e alternativave të tjera përveç transfuzionit? (7) Nga se shkaktohet anemia? Deri në ç’masë mund ta tolerojë njeriu? Çfarë mund të bëhet për ta kompensuar atë? (8) Si mund të stimulohet prodhimi i rruazave të kuqe te trupi i një pacienti? (9) Cilat teknika po përdoren për të minimizuar humbjen e gjakut gjatë operacioneve? (10) A mund të jenë të efektshme alternativat e tjera, përveç transfuzionit, te fëmijët e vegjël ose te njerëzit që ndodhen në situata urgjente ku rrezikohet jeta? (11) Cili është një nga parimet etike kryesore të një kujdesi mjekësor të mirë? (12) Pse është e rëndësishme për të krishterët të vendosin që më përpara se cilat mjekime pa gjak do të pranojnë? Si mund ta bëjmë këtë?
Pranimi i disa trajtimeve që paraqiten në këtë video është një vendim personal që duhet të marrë çdo individ në bazë të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla. A keni vendosur qartë se cilat mjekime dhe procedura do të pranoni për vete e për fëmijët? Për një trajtim më të plotë të këtyre çështjeve, shih «Pyetje nga lexuesit» te Kulla e Rojës e 15 qershorit 2004 dhe e 15 tetorit 2000, si dhe shtojcën «Si t’i konsideroj fraksionet e gjakut dhe procedurat mjekësore ku përdoret gjaku im?» te shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë, nëntor 2006. Për vendimet tuaja duhet të informoni me hollësi përfaqësuesit tuaj të kujdesit mjekësor dhe familjarët që s’janë Dëshmitarë.