AKAZI
[formë e shkurtuar e emrit Jehoahaz që do të thotë «Jehovai kaptë; Jehovai ka kapur»].
1. Biri i Jotamit, mbretit të Judës. Akazi u bë mbret në moshën 20-vjeçare dhe mbretëroi për 16 vjet.—2Mb 16:2; 2Kr 28:1.
Përderisa Hezekia, biri i Akazit, u bë mbret kur ishte 25 vjeç, atëherë Akazi ishte më pak se 12 vjeç kur i lindi ky bir. (2Mb 18:1, 2) Megjithëse në zona me klimë të butë në përgjithësi puberteti te meshkujt arrihet në moshën 12 deri 15-vjeçare, në zona me klimë më të nxehtë mund të arrihet më herët. Veç kësaj, për sa i përket martesës, zakonet ndryshojnë. Në një vepër studimi (Zeitschrift für Semitistik und verwandte Gebiete, nga E. Litmani, Lajpcig, 1927, vëll. 5, f. 132) raportohet se edhe në kohët moderne në Tokën e Premtuar nuk është e pazakontë martesa që fëmijë. Në të përmendet rasti i dy vëllezërve të moshës 8 dhe 12 vjeç që u martuan dhe gruaja e më të madhit shkonte në shkollë me të shoqin. Megjithatë, sipas një dorëshkrimi në hebraisht, Peshitës siriake dhe disa dorëshkrimeve të Septuagintës greke, te 2 Kronikave 28:1 thuhet se Akazi filloi të mbretëronte kur ishte «njëzet e pesë vjeç».
Sado të ketë qenë kur u bë mbret, Akazi vdiq relativisht i ri dhe la pas kujtimin e një mbreti që bëri vazhdimisht të keqen. Ndonëse Isaia, Hozea dhe Mikea profetizuan me zjarr gjatë kohës së Akazit, mbretërimi i tij u karakterizua nga një idhujtari e pacipë. Ai jo vetëm që e lejoi atë mes nënshtetasve të tij, por edhe vetë mori pjesë rregullisht në flijime pagane, aq sa kaloi në zjarr dhe birin (bijtë) e tij në luginën e Hinomit. (2Mb 16:3, 4; 2Kr 28:3, 4) Meqenëse u dha kaq shumë pas adhurimit të rremë, sundimi i Akazit kaloi plot telashe. Siria dhe mbretëria veriore e Izraelit i bashkuan forcat për të sulmuar Judën nga veriu, edomitët shfrytëzuan rastin për të goditur nga juglindja dhe filistinët mësynë nga perëndimi. Akazi humbi portin e çmuar të Elathit në gjirin e ʽAkabës. Zikri, një efraimit i fortë, vrau një nga bijtë e mbretit dhe dy nga njerëzit kryesorë të tij kur Judën e sulmoi mbretëria veriore. Gjatë këtij sulmi humbën jetën 120.000 burra të Judës dhe u morën robër rreth 200.000 judenj të tjerë. Robërit u lejuan të ktheheshin në Judë vetëm pas ndërhyrjes së profetit Oded, që arriti të siguronte mbështetjen e disa burrave të shquar të Efraimit.—2Kr 28:5-15, 17-19; 2Mb 16:5, 6; Is 7:1.
Akazi, të cilit ‘i dridhej zemra’, duhej të kishte marrë forcë nga fjalët që tha Perëndia me anë të profetit Isaia. Në atë mesazh Perëndia Jehova e siguronte se nuk do ta lejonte aleancën siro-izraelite të rrënonte Judën dhe të hipte në fron një njeri që nuk i përkiste trungut të Davidit. Megjithatë, kur iu tha t’i kërkonte Perëndisë një shenjë, Akazi idhujtar u përgjigj: «Nuk do të kërkoj asgjë nga Jehovai dhe as do ta vë në provë.» (Is 7:2-12) Sidoqoftë, Perëndia paratha se si shenjë, një vashë do të lindte një djalë që do ta quante Emanuel (me ne është Perëndia) dhe se para se djali të rritej, aleanca siro-izraelite nuk do të ishte më një kërcënim për Judën.—Is 7:13-17; 8:5-8.
Lidhur me Isainë 7:8, ku profeti paratha se Efraimi ‘do të bëhej copë e çikë’ brenda «gjashtëdhjetë e pesë vjetësh», një vepër referimi thotë: «Izraeli pësoi dëbimin e parë brenda një ose dy vjetëve që pasuan [shpalljen profetike të Isaisë], në kohën e Tiglath-Pileserit (2 Mbretërve 15. 29). Një tjetër ngjau rreth njëzet vjet më vonë gjatë mbretërimit të Hoshesë, në kohën e Shalmaneserit (2 Mbretërve 17. 1-6). Megjithatë, i fundit që ‘e copëtoi’ përfundimisht Izraelin, sa të ‘mos ishte më një popull’, i ndjekur nga kolonizimi i Samarisë me të huaj, ndodhi në kohën e Esar-Hadonit që mori syrgjyn edhe Manaseun, mbretin e Judës, vitin e njëzetedytë të mbretërimit të tij, gjashtëdhjetë e pesë vjet pas shpalljes së profecisë (krahaso Ezdrën 4.2, 3, 10 me 2 Mbretërve 17.24; 2 Kronikave 33.11).»—Commentary on the Whole Bible, nga Xhemisoni, Foseti dhe Brauni.
Vasal i Asirisë; vdekja e tij. Megjithatë, në vend që të mbështetej te Jehovai, nga frika e një komploti siro-izraelit, Akazi zgjodhi të ndiqte një politikë dritëshkurtër. I dha ryshfet mbretit të Asirisë, Tiglath-Pileserit III, që t’i shkonte në ndihmë. (Is 7:2-6; 8:12) Lehtësimi që i solli Akazit mbreti ambicioz asirian, duke shpartalluar Sirinë dhe Izraelin, ishte vetëm i përkohshëm. Në fund kjo aleancë «jo vetëm që nuk e ndihmoi, por i shkaktoi vuajtje» (2Kr 28:20), madje për faj të tij, Juda kishte përfunduar nën zgjedhën e rëndë të Asirisë.
Duke qenë mbret vasal, ka shumë mundësi që Akazin ta kenë thirrur në Damask për t’i bërë nderime Tiglath-Pileserit III dhe gjatë qëndrimit atje, Akazi të jetë mrekulluar me altarin pagan të atij qyteti, të ketë kopjuar skicën e tij dhe të ketë urdhëruar priftin Urijah ta riprodhonte për ta vënë para tempullit në Jerusalem. Pastaj, Akazi pati guximin të paraqiste flijime mbi këtë ‘altar të madh’. Altari prej bakri që kishte qenë më parë ishte vënë mënjanë derisa mbreti të vendoste ç’të bënte me të. (2Mb 16:10-16) Ndërkohë ai sakatoi një pjesë të mirë të pajisjeve prej bakri të tempullit dhe bëri ndryshime të tjera në zonën e tempullit, të gjitha «për shkak të mbretit të Asirisë», ndoshta për të paguar haraçin e madh që i ishte vënë Judës ose ndoshta për të fshehur një pjesë të pasurive të tempullit nga sytë lakmitarë të asirianit. Dyert e tempullit u mbyllën dhe Akazi «bëri altarë në çdo cep të Jerusalemit».—2Mb 16:17, 18; 2Kr 28:23-25.
Pas një keqqeverisjeje që zgjati 16 vjet dhe një apostazie të pafytyrë, Akazi vdiq. Megjithëse, njësoj si paraardhësit e tij, u varros «në qytetin e Davidit» (2Mb 16:20), trupi i tij nuk u vendos në varret e mbretërve. (2Kr 28:27) Emri i tij renditet në listat e gjenealogjive të mbretërve.—1Kr 3:13; Mt 1:9.
Emri i Akazit del në një mbishkrim të Tiglath-Pileserit III si Jauhazi.
2. Stërnip i Jonatanit, birit të mbretit Saul.—1Kr 8:35, 36.