BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/98 f. 8-11
  • Të drejtat dhe padrejtësitë e njeriut sot

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të drejtat dhe padrejtësitë e njeriut sot
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Barazi për të gjithë?
  • Fëmijë pa fëmijëri
  • Të zgjedhë dhe të ndryshojë fenë e tij
  • Kurrizi plagë, por xhepi bosh
  • Trajtim mjekësor për të gjithë?
  • Një pamje nga kati i 29-të
    Zgjohuni!—1998
  • «Mbaroi një punë e gjatë»
    Zgjohuni!—1998
  • Të drejta të njeriut për të gjithë: Një realitet mbarëbotëror!
    Zgjohuni!—1998
  • Të drejta pa përgjegjësi?
    Zgjohuni!—1999
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 12/98 f. 8-11

Të drejtat dhe padrejtësitë e njeriut sot

MBROJTËSIT e të drejtave të njeriut kohët e fundit kryen një vepër të guximshme. Së pari, ata i mblodhën më shumë se 1.000 organizata, në 60 vende, në një lëvizje të quajtur Fushata ndërkombëtare për të ndaluar minat tokësore (ICBL). Më pas, ata kaluan për miratim një traktat ndërkombëtar që ndalonte këto armë. Pas kësaj, ICBL-ja dhe kryetari i saj i palodhur, aktivisti amerikan Xhodi Uilliams, fitoi çmimin Nobel për paqen në vitin 1997.

Gjithsesi, këto arritje vijnë bashkë me një përshkrim që të vë në mendime. Siç vërehet edhe në Human Rights Watch World Report 1998, universalizimi i të drejtave të njeriut është ende «nën sulme të vazhdueshme». Për këtë nuk u duhet hedhur faji vetëm diktaturave të papërfillshme. «Fuqitë e mëdha,—thuhet në raport,—treguan një tendencë të spikatur për t’i shpërfillur të drejtat njerëzore, kur këto nuk ishin të volitshme për interesat ekonomike ose strategjike, një e keqe e përbashkët si për Evropën, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.»

Për miliona njerëz përreth botës, dhunimet e të drejtave të njeriut nuk mund të shpërfillen. Gjendja e tyre e përditshme rrezikohet ende nga diskriminimi, varfëria, uria, persekutimi, përdhunimi, abuzimi me fëmijët, skllavëria dhe vdekja e dhunshme. Për këto viktima, kushtet premtuese të premtuara në pirgun e madh të traktateve për të drejtat e njeriut janë shumë larg botës që njohin ata. Në fakt, për shumicën e njerëzimit, edhe të drejtat themelore të renditura në 30 nenet e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut mbeten një premtim i papërmbushur. Për ta ilustruar, shqyrtoni shkurtimisht se si vihen në veprim në jetën e përditshme disa nga të drejtat e larta që përmenden në Deklaratë.

Barazi për të gjithë?

Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe e të drejtave.—Neni 1.

Një version i parë i nenit 1 të Deklaratës universale thoshte: «Të gjithë njerëzit (men) . . . janë të barabartë.» Por, për t’u siguruar se ky pohim nuk do të kuptohej sikur gratë përjashtoheshin, anëtarët femra në komisionin e hartimit këmbëngulën që të ndryshohej gjuha e formulimit të nenit. Ato patën sukses dhe fraza «të gjithë njerëzit (men) . . . janë të barabartë» u bë «të gjitha qeniet njerëzore (human beings) . . . janë të barabarta». (Kursivi është yni.) Megjithatë, a e ndryshoi pozicionin e grave ndryshimi i gjuhës së formulimit të këtij neni?

Më 10 dhjetor 1997, Dita e të Drejtave të Njeriut, First Lady e Shteteve të Bashkuara, Hilari Klinton, tha për OKB-në se bota vazhdon t’i «trajtojë gratë si qytetare jo me të drejta të plota». Ajo dha disa shembuj: nga të varfrit e botës, 70 përqind janë gra; dy të tretat e 130 milionë fëmijëve që nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë janë vajza; dy të tretat e 96 milionë analfabetëve të botës janë gra. Gratë vuajnë së tepërmi nga dhuna shtëpiake e seksuale, që mbetet, siç shtoi znj. Klinton, «një nga dhunimet më të raportuara dhe më të përhapura në botë të të drejtave të njeriut».

Disa femra bien pre e dhunës edhe para se të lindin. Veçanërisht në disa vende aziatike, disa nëna i abortojnë foshnjat vajza, sepse preferojnë djemtë më shumë se vajzat. Në disa vende preferenca për djem e ka bërë ekzaminimin gjenetik për zgjedhjen e seksit një biznes të suksesshëm. Një klinikë për përcaktimin e gjinisë i reklamoi shërbimet e saj, duke sugjeruar se ishte më mirë të shpenzoje 38 dollarë tani për të ndërprerë barrën me një fetus femër, sesa të shpenzoje 3.800 dollarë më vonë për t’i paguar asaj vajze pajën. Këto reklama funksionojnë. Një studim i bërë në një spital të madh aziatik zbuloi se 95,5 përqind e fetuseve të identifikuara si femra abortoheshin. Preferenca për djem është e pranishme edhe në pjesë të tjera të botës. Kur u pyet një ish-kampion boksi në Shtetet e Bashkuara se sa fëmijë kishte, ai u përgjigj: «Një djalë dhe shtatë gabime.» Në botimin e OKB-së Women and Violence vërehet se «do të duhet kohë, të paktën një brez, siç besojnë shumë, e ndoshta më gjatë, për të ndryshuar qëndrimin dhe mentalitetin e njerëzve në lidhje me gratë».

Fëmijë pa fëmijëri

Askush nuk duhet të mbahet në skllavëri apo në ndonjë formë tjetër robërie: skllavëria dhe tregtia e skllevërve janë të ndaluara në çfarëdolloj forme.—Neni 4.

Në teori, skllavëria është zhdukur. Qeveritë kanë nënshkruar traktate të shumta që e nxjerrin jashtë ligjit skllavërinë. Megjithatë, sipas Shoqatës anti-skllavërisë në Britani, e njohur si organizata më e vjetër në botë për të drejtat e njeriut, «sot ka më shumë skllevër se kurrë më parë». Skllavëria e ditëve moderne përfshin një shumëllojshmëri dhunimesh të të drejtave të njeriut. Puna e detyruar e fëmijëve thuhet se është një formë e skllavërisë bashkëkohore.

Derevani, një djalë amerikano-jugor është një shembull i trishtueshëm. ‘Duart e tij të vogla janë të rrjepura nga ngritja e gjetheve të ashpra të kërpit meksikan, një bimë me fije që përdoret për të bërë dyshekë. Puna e tij është t’i marrë gjethet nga një depo dhe t’i transportojë te një makinë përpunimi rreth 90 metra larg. Në fund të një dite pune 12-orëshe, ai ka transportuar një ton gjethe. Derevani filloi të punonte kur ishte pesë vjeç. Tani është 11 vjeç.’—World Press Review.

Organizata ndërkombëtare e punës përllogarit se një çerek miliard fëmijë nga mosha 5 deri në 14 vjeç punojnë, një ushtri punëtorësh të vegjël pothuajse po aq e madhe sa popullsitë e Brazilit dhe të Meksikës, të marra së bashku! Shumica e këtyre fëmijëve pa fëmijëri robëtohen nëpër miniera, duke tërhequr vagona të mbushur me qymyr; çajnë me zor përmes baltës për të mbledhur të korrat ose përkulen mbi avlëmende për të bërë qilima. Madje edhe vogëlushët: tre, katër e pesë-vjeçarë, mblidhen së bashku në skuadra për të punuar, për të mbjellë dhe për të mbledhur të korrat nëpër fusha, që nga mëngjesi deri në mbrëmje. «Fëmijët,—thotë një pronar tokash në një vend aziatik,—janë më ekonomikë se traktorët dhe më të zgjuar se buajt.»

Të zgjedhë dhe të ndryshojë fenë e tij

Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë.—Neni 18.

Më 16 tetor 1997, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mori një «raport provizor mbi eliminimin e të gjitha formave të intolerancës fetare». Raporti, i përgatitur nga reporteri special i Komisionit mbi të drejtat e njeriut, Abdelfatah Amor, radhit dhunime të vazhdueshme të nenit 18. Duke folur për një grup të madh vendesh, në raport citoheshin raste të shumta ‘ngacmimi, kërcënimesh, keqtrajtimi, arrestimesh, burgimesh, zhdukjesh dhe vrasjesh’.

Në mënyrë të ngjashme, në 1997 Human Rights Reports, të përpiluar nga Byroja e Demokracisë, e të Drejtave të Njeriut dhe e Punës në SHBA, theksohet se edhe vendet me një traditë të lashtë demokracie «kanë kërkuar të kufizojnë liritë për një grup besimesh të ndryshme minoritare, duke i grupuar të gjitha së bashku si ‘kulte’». Prirjet e tilla janë shkak për t’u shqetësuar. Uilli Fotrej, presidenti i organizatës «Të drejtat e njeriut pa kufi» me bazë në Bruksel, vëren: «Liria fetare është një nga treguesit më të mirë të gjendjes së përgjithshme të lirisë njerëzore në çdo shoqëri.»

Kurrizi plagë, por xhepi bosh

Kushdo që punon ka të drejtë për një shpërblim të drejtë dhe të kënaqshëm që t’i sigurojë atij dhe familjes së tij një jetesë, në përputhje me dinjitetin njerëzor.—Neni 23.

Punëtorët që presin kallamin e sheqerit në ishujt e Karaibeve mund të fitojnë tre dollarë në ditë, por kostoja e marrjes me qira ose e veglave i rëndon ata me një borxh të menjëhershëm ndaj pronarëve të plantacionit. Përveç kësaj, ata nuk paguhen me para në dorë, por me kuponë. E meqë dyqani i shoqërisë pronare të plantacionit është i vetmi dyqan i afërt, ata janë të detyruar për të blerë atje vajin, orizin dhe fasulet. Megjithatë, si një tatim shërbimi për faktin që pranon kuponët e punëtorëve, dyqani i zbret 10 deri në 20 përqind të vlerës së një kuponi. Bill O’Neil, zëvendës/drejtor i Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, tha në një program radiofonik të OKB-së: «Në fund të sezonit të korrjes, ata nuk kanë asgjë në dorë për javët dhe muajt e një pune të mundimshme që të thyen kurrizin. Nuk kanë asnjë para si kursim dhe mezi ia kanë dalë mbanë për të mbijetuar përgjatë sezonit.»

Trajtim mjekësor për të gjithë?

Çdo njeri ka të drejtën për një nivel jetese të mjaftueshëm për të siguruar shëndetin, mirëqenien e tij dhe të familjes, veçanërisht për ushqimin, veshjen, strehimin, trajtimin mjekësor.—Neni 25.

‘Rikardo dhe Justina janë fermerë të varfër latino-amerikanë që jetojnë rreth 80 kilometra larg qytetit më të afërt. Kur Hema, vogëlushja e tyre, u sëmur, ata e çuan në një klinikë private aty afër, por personeli i ktheu mbrapsht sepse ishte e dukshme që Rikardo nuk mund të paguante për shërbimet. Ditën tjetër, Justina u mori para hua fqinjëve për të paguar transportin publik dhe bëri udhëtimin e gjatë deri në qytet. Kur më në fund Justina dhe foshnja mbërritën në spitalin e vogël shtetëror të qytetit, Justinës iu tha se nuk kishte shtretër në dispozicion dhe se duhej të kthehej të nesërmen në mëngjes. Meqë nuk kishte asnjë të afërm në qytet dhe nuk kishte para për të marrë me qira një dhomë, ajo e kaloi natën në një tezgë në tregun publik. Justina e shtrëngonte fort pas vetes foshnjën për t’i dhënë ngrohtësi dhe mbrojtje, por më kot. Atë natë, Hema e vogël vdiq.’—Human Rights and Social Work.

Përreth botës, 1 në 4 njerëz mezi ia dalin me një dollar (amerikan) në ditë. Ata hasin të njëjtën dilemë si Rikardo dhe Justina: trajtimi mjekësor privat është në dispozicion, por nuk mund të paguhet, kurse trajtimi mjekësor publik mund të paguhet, por nuk është në dispozicion. Në mënyrë tragjike, edhe pse më shumë se një miliard të varfrit e botës kanë marrë ‘të drejtën për trajtimin mjekësor’, dobitë e trajtimit mjekësor janë ende larg tyre.

Katalogu i tmerrshëm i abuzimeve me të drejtat e njeriut nuk njeh mbarim. Situatat si ato që u raportuan më sipër mund të shumëfishohen qindra milionë herë. Me gjithë përpjekjet kolosale të organizatave të të drejtave të njeriut dhe me gjithë përkushtimin e mijëra aktivistëve, të cilët në kuptim real rrezikojnë jetën e tyre për të përmirësuar gjendjen e burrave, grave dhe fëmijëve në mbarë botën, të drejtat e njeriut për të gjithë mbeten vetëm një ëndërr. Por, a do të jenë ndonjëherë realitet? Është më se e sigurt që po, por më përpara duhet të ndodhin disa ndryshime. Artikulli vijues do të shqyrtojë dy prej tyre.

[Burimi i figurës në faqen 8]

Me mirësjellje nga MgM Stiftung Menschen gegen Minen (www.mgm.org)

[Burimet e figurave në faqen 9]

FOTOGRAFI E OKB-së 148051/J. P. Laffont—SYGMA

Fotografi e OBSH/PAHO nga J. Vizcarra

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo