ASAHELI
[Perëndia ka bërë].
1. Bir i Zerujasë, motrës së Davidit ose i motrës së tij nga nëna, dhe vëlla i Abishait e i Joabit; pra, nip i Davidit. (1Kr 2:15, 16) Asaheli ishte një nga 30 luftëtarët më të mirë të Davidit dhe njihej veçanërisht se ishte këmbëshpejtë «si gazela në fushë». (2Sa 2:18; 23:24) Pikërisht kjo i kushtoi jetën. Pas përleshjes së dy grupeve kundërshtare për të matur forcën afër rezervuarit të Gibeonit dhe pas shpartallimit të forcave izraelite të komanduara nga Abneri, me kokëfortësi Asaheli u vu në ndjekje të Abnerit që po ia mbathte. Abneri iu lut dy herë Asahelit të mos e ndiqte më, por më kot, sepse ai nuk ia vuri veshin. Atëherë Abneri, një luftëtar i fuqishëm, i nguli në bark pjesën e prapme të heshtës dhe Asaheli vdiq në vend. Pas protestës së Abnerit, Joabi, vëllai i Asahelit, më në fund i tërhoqi forcat e Judës. Megjithatë, vdekja e Asahelit e hidhëroi aq shumë Joabin, sa në një rast tjetër, me dredhi, ai e futi Abnerin në një rrëzë dhe e vrau me shpatë.—2Sa 2:12-28; 3:22-27.
Te 1 Kronikave 27:7 Asaheli përmendet si komandant i një ndarjeje me trupa të organizuara në turne mujore. Përderisa Asaheli vdiq para se Davidi të bëhej mbret në mbarë Izraelin, përmendja e tij këtu mund të lidhet jo me atë vetë, por me shtëpinë e tij që përfaqësohej nga i biri, Zebadiahu, i cili në varg përmendet si pasues i Asahelit. Një hipotezë tjetër është ajo që jep një fjalor biblik: «Ka mundësi që këtu të kemi prototipin e milicisë davidike, të organizuar nga mbreti në fillim të mbretërimit të tij në Judë, dhe që kjo listë origjinale të jetë përditësuar me përfshirjen e Zebadiahut, djalit dhe pasuesit të Asahelit në postin e komandantit.»—The Interpreter’s Dictionary of the Bible, nga Xh. A. Batriku, 1962, vëll. 1, f. 244; krahaso 1Kr 12.
2. Një nga levitët e ngarkuar për të mësuar Ligjin në mbarë Judën, duke filluar nga viti i tretë i mbretërimit të Jehozafatit (934 p.e.s.).—2Kr 17:7, 8; krahaso Lp 33:8-10.
3. Mbikëqyrës që kujdesej për kontributet dhe të dhjetat në tempull gjatë mbretërimit të Hezekisë (745-717 p.e.s.).—2Kr 31:13.
4. I ati i një burri me emrin Jonatan, bashkëkohës i Ezdrës.—Ezd 10:15; shih JAHZEJAHU.