GOZANI
Me sa duket, emri i një vendi, si edhe i një lumi. Te 2 Mbretërve 19:12 dhe tek Isaia 37:12, Gozani duket se përfshin një zonë më të madhe se një qytet, pasi banorët e tij renditen mes «kombeve» të pushtuara nga asirianët. Shumë studiues, duke i bazuar siç duket përfundimet e tyre në ngjashmëritë mes emrave, mendojnë se Gozani mund të jetë Gauzaniti, një krahinë në Mesopotami e përmendur nga Ptolemeu dhe që besohet se është «Guzana» e dokumenteve asiriane. Guzanën e lashtë në përgjithësi e lidhin me Tell-Halafin e sotëm, që ndodhet në rrjedhën e sipërme të lumit Kabur, rreth 590 km në lindje-verilindje të detit të Galilesë.
Te 2 Mbretërve 17:6 dhe 18:11, në disa përkthime lexohet ‘Habori, lumë i Gozanit’ (Dio, AS ), në vend të ‘Habori, pranë lumit Gozan’ (BR, Yg), e kështu edhe në këto shkrime Gozani del si një vend. Megjithatë, përkthimi ‘Habori, lumë i Gozanit’ nuk është në harmoni me 1 Kronikave 5:26. Në këtë varg, Habori renditet mes Halahut dhe Harës; para Gozanit nuk përmendet Habori, por Hara. Kjo tregon se Habori dhe ‘lumi i Gozanit’ (AS ) nuk janë sinonime. Kështu, ata që e nxjerrin Gozanin si një vend në të gjitha vargjet, janë të detyruar të mos e mbajnë parasysh referimin e Kronikave. Mirëpo, përderisa hebraishtja lë vend për një përkthim koherent të shprehjes ‘lumi Gozan’ në të tria këto vargje, ka arsye për të besuar se mbreti i Asirisë i vendosi me banim disa mërgimtarë izraelitë të mbretërisë veriore pranë një lumi të quajtur Gozan. Është hedhur ideja se ‘lumi Gozan’ është Kezel-Ovzani në veriperëndim të Iranit. Ai buron nga malet në juglindje të liqenit Urmia (ku shtrihej dikur vendi i medëve) e në fund derdhet si lumi me emrin Safit-Rud ose Lumi i Bardhë (emri i rrjedhës së tij të poshtme) në jugperëndim të detit Kaspik. Sipas një pikëpamjeje tjetër, Gozani është një lumë në Mesopotami.