Cili është synimi?
1 Përse drejtojmë studime biblike? Thjesht për të dhënë njohuri, për të përmirësuar jetën e njerëzve apo për të ndriçuar pikëpamjen e tyre për të ardhmen? Jo. Synimi ynë kryesor është që të bëjmë dishepuj të Jezu Krishtit! (Mat. 28:19; Vep. 14:21) Ja pse ata me të cilët studiojmë duhet të shoqërohen me kongregacionin. Përparimi i tyre frymor lidhet drejtpërdrejt me çmueshmërinë që kanë për organizatën e krishterë.
2 Si ta arrijmë synimin tonë?: Që në fillim, ta nxitim vazhdimisht studentin që të ndjekë mbledhjet e kongregacionit. (Hebr. 10:24, 25) T’i shpjegojmë se si do ta forcojnë ato besimin e tij, si do ta ndihmojnë që të bëjë vullnetin e Perëndisë dhe si do t’i japin mundësi të gëzojë një shoqëri të shëndetshme me të tjerë që, gjithashtu, dëshirojnë të lëvdojnë Jehovain. (Psal. 27:13; 32:8; 35:18) Shprehjet tona personale të dashurisë e të çmueshmërisë për kongregacionin dhe mbledhjet do të nxitin dëshirën e tij për t’i ndjekur ato.
3 Të interesuarit e rinj duhet të kuptojnë se organizata e Jehovait është një vëllazëri ndërkombëtare. T’u tregojmë videokasetën Dëshmitarët e Jehovait: Organizata pas emrit. T’i ndihmojmë të kuptojnë se Jehovai po përdor miliona individë të dedikuar në të gjithë botën për të kryer vullnetin e tij. T’u lëmë të kuptojnë këtyre të interesuarve të rinj se edhe ata janë të ftuar që t’i shërbejnë Perëndisë.—Isa. 2:2, 3.
4 Është një shkak për gëzim të madh kur sheh një student të Biblës të bëhet dishepull i vërtetë i Jezuit. Ky është synimi ynë!—3 Gjon. 4.