Një shkëmbim i veçantë inkurajimi
1 Nuk kalon as edhe një ditë që populli i Jehovait të mos hasë sprova besimi. Duke e ditur se i ka mbetur vetëm një periudhë e shkurtër kohe, Djalli po bën një sulm të egër përfundimtar për të thyer integritetin tonë ndaj Jehovait. (Zbul. 12:12) Është jetësore që ‘të vazhdojmë të marrim fuqi në Zotërinë dhe në fuqinë e forcës së tij’ në mënyrë që ‘të jemi në gjendje të rezistojmë në ditë të ligë dhe pasi të kemi bërë në mënyrë të plotë gjithçka, të qëndrojmë të patundur’.—Efes. 6:10, 13.
2 Të mbledhurit bashkë me besimtarët e tjerë është një masë që ka marrë Jehovai për të na ndihmuar që të fitojmë fuqi. Apostulli Pavël e kuptonte rëndësinë e të mbledhurit së bashku. Ai digjej nga dëshira që të ishte në shoqëri me vëllezërit e tij të krishterë, në mënyrë që ‘të kishte një shkëmbim inkurajimi’ dhe ‘të bëheshin të patundur’. (Rom. 1:11, 12) Për të na forcuar që të bëjmë vullnetin e Perëndisë, me dashuri, Trupi Udhëheqës ka marrë masa që të na japë mundësinë të përfitojmë plotësisht nga një shkëmbim inkurajimi në Kongresin Krahinor që po afron «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë».
3 Të jemi atje për të nxjerrë dobi: Të vëmë si synim që të jemi të pranishëm në të tria ditët. ‘I sjellim dobi vetes’ duke ardhur para këngës hapëse dhe duke qëndruar deri sa të themi «Amin» me gjithë zemër në lutjen përmbyllëse. (Isa. 48:17, 18, BR) Shumë vetave do t’u duhet të bëjnë rregullime kohë përpara në programin e punës që të sigurojnë kohën e nevojshme për të ndjekur të tria ditët. Kuptohet, mund të mos jetë e lehtë ta bindim punëdhënësin që të na japë leje, por Jehovai na siguron se do të na ndihmojë të bëjmë vullnetin e tij. (1 Gjon. 5:14, 15) Nëse ende nuk e kemi bërë këtë, tani është koha për të bërë rregullime të përcaktuara mirë në lidhje me shpenzimet e udhëtimit dhe strehimin, duke mos ia lënë asgjë rastësisë. Mund të kemi besim që Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona për të ndjekur të tria ditët.—Prov. 10:22.
4 Të presim me padurim inkurajimin që do të jepet: A na ka ndodhur që pas një kongresi krahinor të largohemi, duke thënë: «Ky ishte më i miri që kam ndjekur deri tani.» Përse mund të jemi ndier në këtë mënyrë? Arsyeja është se si njerëz të papërsosur dalëngadalë mund të lodhemi dhe fillojmë të ndiejmë se kemi nevojë për inkurajim frymor. (Isa. 40:30) Një motër vërejti: «Ky sistem më lodh, kurse kongreset më ndihmojnë të përqendrohem sërish në gjërat frymore, duke më dhënë inkurajimin frymor për të cilin kam nevojë. Duket se ky inkurajim vjen tamam në kohën kur kam aq shumë nevojë për të.» Ndoshta edhe ne kemi provuar ndjenja të njëjta.
5 Inkurajimin e nevojshëm e marrim jo vetëm nëpërmjet fjalimeve dhe intervistave, por edhe nga aspekte të tjera të kongreseve tona, të cilat na pasurojnë frymësisht. Një vëlla komentoi: «E çmoj me të vërtetë aplikimin e qartë e praktik të parimeve biblike. Natyrisht, dramat janë shumë të çmuara duke qenë se na tregojnë si mund të nxjerrim dobi nga shembujt e së kaluarës, qofshin këta të mirë ose të këqinj. Botimet e reja janë diçka që i pres gjithmonë me padurim dhe më sjellin kënaqësi edhe mjaft kohë pas kthimit në shtëpi.»
6 Kongreset janë një masë jetësore nga Jehovai në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Ato na ndihmojnë t’i vëmë veshin këshillës së frymëzuar: «Rrini zgjuar, qëndroni të patundur në besim, silluni si burrat, bëhuni të fuqishëm.» (1 Kor. 16:13) Prandaj, le të jemi të vendosur që të ndjekim çdo sesion e të gëzojmë një shkëmbim inkurajimi të bollshëm në Kongresin tonë Krahinor «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë»!
[Kutia në faqen 3]
Të planifikojmë që të ndjekim të tria ditët
■ Të kërkojmë leje nga puna.
■ Të sigurojmë strehimin në qytetin ku mbahet kongresi.
■ Të bëjmë rregullime lidhur me shpenzimet e udhëtimit për në kongres.