Programi i asamblesë qarkore
Jehovai meriton t’i japim lavdi. Si e lëvdojmë Jehovain? Çfarë sfidash po hasin disa në këtë drejtim? Çfarë bekimesh kanë ata që lëvdojnë Perëndinë tani? Këtyre pyetjeve do t’u japë përgjigje të kënaqshme programi i asamblesë qarkore për vitin e shërbimit 2008. Ajo mban temën «Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë». (1 Kor. 10:31) Shqyrtoni se çfarë do të na ofrojnë këto dy ditë të asamblesë të pasura në udhëzime frymore.
Mbikëqyrësi krahinor do të trajtojë temat «Pse t’i japim lavdi Perëndisë?» dhe «Jini shembullorë në plotësimin e kërkesave të Perëndisë». Ai do të mbajë fjalimin publik «Cilët janë ata që i japin lavdi Perëndisë?» dhe fjalimin e fundit «T’i japim lavdi Perëndisë së bashku në mbarë botën». Do të drejtojë edhe Shkollën e Shërbimit Teokratik. Mbikëqyrësi qarkor do të flasë për temat «Gjeni kënaqësi në pasqyrimin e lavdisë së Perëndisë», «T’u kushtojmë vëmendje nevojave të qarkut» dhe «Të mbetemi ‘të patundur në të vërtetën’» që bazohet te 2 Pjetrit 1:12. Përveç këtyre, do të mësojmë edhe se si «Me shërbimin si pionierë i japim lavdi Perëndisë». I pari nga dy simpoziumet që do të na bëjnë të reflektojmë, ka temën «T’i japim lavdi Perëndisë në çdo fushë të jetës sonë». Ky simpozium do të shqyrtojë kuptimin e thellë të fjalëve të frymëzuara te 1 Korintasve 10:31. Ndërsa simpoziumi «Të bëjmë shërbim të shenjtë për të lëvduar Jehovain» do të marrë në shqyrtim aspekte të ndryshme të adhurimit tonë. Të dielën do të bëhet edhe përmbledhja e Kullës së Rojës dhe shqyrtimi i shkrimit të ditës. Kjo asamble do të jetë një rast i mirë edhe për ata që duan të pagëzohen.
Shumica e njerëzimit nuk pranon ta njohë Perëndinë. Shumë prej tyre janë tepër të shpërqendruar nga planet njerëzore e nuk meditojnë për madhështinë e Jehovait. (Gjoni 5:44) Por ne jemi të bindur se ia vlen vërtet të kalojmë kohë duke shqyrtuar se si ‘gjithçka ta bëjmë për lavdi të Perëndisë’. Planifikoni të jeni të pranishëm në asamble dhe të përfitoni plotësisht nga të katër sesionet.