Një masë për shërbëtorët e krishterë
1. Çfarë rregullimi i ri filloi në vitin 1938 dhe me ç’qëllim?
1 Në vitin 1938, organizata e Jehovait bëri një rregullim të ri. Grupe kongregacionesh u ftuan të ndiqnin asambletë e zonës, që tani quhen asamble qarkore. Me ç’qëllim? Fletushka mujore Njoftuesi (tani Shërbimi ynë i Mbretërisë) i janarit 1939 përgjigjet: «Këto asamble janë një masë që Organizata Teokratike e Jehovait ka marrë për të drejtuar shërbimin e Mbretërisë së tij. Udhëzimet që jepen aty janë themelore që secili ta bëjë si duhet veprën që i është caktuar.» Kur mendojmë se numri i lajmëtarëve të Mbretërisë nga 58.000 në vitin 1938 është rritur në mbi 7.000.000 në vitin 2009, është e qartë se asambletë qarkore po e përmbushin qëllimin e tyre për t’i ndihmuar lajmëtarët ‘ta bëjnë si duhet veprën që u është caktuar’.
2. Ç’informacione do të paraqiten në asamblenë qarkore për vitin e ri të shërbimit?
2 Tema për vitin e ardhshëm: E presim me padurim programin e asamblesë qarkore për vitin e ri të shërbimit, që do të fillojë në shtator, dhe inkurajimin që do të na japë. Tema «Nuk jeni pjesë e botës» është marrë nga Gjoni 15:19. Cilat janë disa prej fjalimeve nga të cilët shërbëtorët e krishterë me siguri do të nxjerrin dobi? Të shtunën do të dëgjojmë fjalimin «Shërbimi i plotkohor na mbron—Si?» Gjithashtu do të dëgjojmë simpoziumin me tri pjesë «Mos u ndotni nga . . . » ‘Bisha’, ‘Prostituta e madhe’ dhe ‘Tregtari shëtitës’. Të dielën do të dëgjojmë simpoziumin me temë: «Duaj Jehovain, jo botën.» Fjalime të tjera janë: «Vazhdoni ‘si të ardhur e banorë të përkohshëm’» dhe «Merrni zemër! Mund ta mundni botën».
3. Çfarë dobish mund të nxjerrim duke ndjekur asamblenë qarkore?
3 Pasi kishte ndjekur një asamble qarkore të viteve të fundit, një motër, e cila nuk kishte më zellin e dikurshëm për shërbimin, shkroi se asambleja e kishte nxitur të shqyrtonte përsëri rrethanat dhe të ishte e vendosur ‘të dilte në shërbim e të mos nxirrte më justifikime’. Pa dyshim, asambleja qarkore për vitin e ri të shërbimit do të na ndihmojë të gjithëve të duam Jehovain dhe jo botën. (1 Gjonit 2:15-17) Sigurohuni që të jeni të pranishëm dhe të vëmendshëm, në mënyrë që të përfitoni plotësisht nga kjo masë e dashur për shërbëtorët e krishterë!