Duhet të shkojmë herë pas here
1 A ke reaguar në mënyrë të favorshme kur dikush të ka folur për herë të parë për lajmin e mirë? Nëse jo, duhet të jesh mirënjohës që Dëshmitarët e Jehovait të kanë predikuar herë pas here derisa ti më në fund pranove propozimin për një studim biblik. Kur ti punon vazhdimisht territorin që të është caktuar, është mirë të mendosh për këtë gjë.
2 Jeta e njerëzve është vazhdimisht në ndryshim. Ata hasin probleme ose situata të reja, dëgjojnë për ngjarje shqetësuese në zonën ku jetojnë ose në botë, pësojnë humbje ekonomike ose përjetojnë sëmundje a vdekje në familje. Gjëra të tilla mund të bëjnë që ata të duan të mësojnë arsyen e këtyre vuajtjeve. Ne duhet të shquajmë faktorët që u rëndojnë në mend njerëzve dhe pastaj t’u përgjigjemi me një mesazh ngushëllues.
3 Kjo është një vepër shpëtimi: Mendo pak për skuadrat e shpëtimit në një vend katastrofe. Edhe pse disa punëtorë mund të jenë duke kërkuar në një zonë ku janë gjetur pak të mbijetuar, ata nuk ulin ritmin dhe nuk ndalojnë për shkak se kolegët e tjerë janë duke gjetur më shumë të mbijetuar gjetkë. Puna e shpëtimit tonë nuk ka mbaruar ende. Çdo vit po gjenden me qindra mijë njerëz, të cilët duan t’i shpëtojnë «mjerimit të madh».—Zbul. 7:9, 14, BR.
4 «Gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë.» (Rom. 10:13-15, BR.) Këto fjalë duhet të ngulitin te secili prej nesh nevojën për të këmbëngulur në predikim. Që nga koha kur territori ynë filloi të punohej, fëmijët janë rritur dhe tani janë mjaft të mëdhenj për të menduar seriozisht për veten e tyre, rreth së ardhmes dhe qëllimit të jetës. Ne nuk mund ta dimë se kush do të dëgjojë në fund. (Ekl. 11:6) Shumë ish-kundërshtarë e kanë pranuar të vërtetën. Puna jonë është, jo që të gjykojmë njerëzit, por që të vazhdojmë t’u japim atyre një mundësi për të dëgjuar dhe për të shpëtuar nga kjo botë e vjetër. Ashtu siç bënë edhe dishepujt e parë të Jezuit, ne duhet të «shkojmë vazhdimisht» te njerëzit dhe të përpiqemi të ngjallim interesin e tyre për mesazhin e Mbretërisë.—Mat. 10:6, 7, BR.
5 Fakti që e kemi akoma të hapur rrugën për të predikuar, është një shprehje e mëshirës së Jehovait. (2. Pjet. 3:9) Ndërsa lejojmë që të tjerët ta dëgjojnë mesazhin herë pas here, nxjerrim në pah dashurinë e Perëndisë dhe në këtë mënyrë e lavdërojmë atë.