Të ruhet
Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim
Kjo shtojcë është një përmbledhje e pikave kryesore nga seria e artikujve të botuar te Shërbimi ynë i Mbretërisë, se si të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim. Të gjithë inkurajohen që ta ruajnë këtë shtojcë dhe ta shfletojnë kur kanë për të drejtuar studime biblike. Përveç kësaj, disa pika nga kjo shtojcë mund të përdoren edhe gjatë mbledhjeve për shërbim, dhe mbikëqyrësit e shërbimit mund ta përdorin si bazë për fjalimet që mbajnë kur vizitojnë grupet e studimit të librit.
Pjesa 1: Çfarë është një studim biblik?
Nëse rregullisht dhe sistematikisht bëni biseda biblike, edhe pse të shkurtra, gjatë të cilave përdorni Biblën dhe një nga botimet e rekomanduara, atëherë jeni duke drejtuar një studim biblik. Studimi mund të raportohet nëse është bërë dy herë pasi studentit i është treguar se si kryhet një studim biblik dhe nëse duket se studimi do të vazhdojë.—km 7/04 f. 1.
Botimet që rekomandohen
◼ Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?
◼ Njohuria që të çon në jetën e përhershme
◼ Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë
◼ Ti mund të jesh miku i Perëndisë! mund të përdoret për t’u drejtuar studimin atyre që kanë arsim të kufizuar ose që nuk dinë të lexojnë mirë.
Pjesa 2: Përgatitja për të drejtuar një studim
Duhet që ta paraqesim informacionin në një mënyrë të tillë që të prekë zemrën e studentit. Kjo kërkon përgatitje të mirë duke pasur në mendje studentin.—km 8/04 f. 1.
Si të përgatitemi?
◼ Shqyrto titullin, nëntitujt dhe figurat ndihmëse të kapitullit ose të mësimit.
◼ Gjej përgjigjet e pyetjeve të kapitullit a mësimit, duke nënvizuar vetëm fjalët dhe shprehjet kyçe.
◼ Vendos se cilat shkrime të cituara do të lexosh gjatë studimit. Mbaj shënime të shkurtra në anë të paragrafëve.
◼ Përgatit një përsëritje të shkurtër të pikave kryesore.
Ta përshtatim studimin sipas nevojave të studentit
◼ Lutu për studentin dhe për nevojat e tij.
◼ Përpiqu të marrësh me mend ato pika që mund t’i ketë të vështira për t’i kuptuar ose pranuar.
◼ Mendo: Çfarë duhet të kuptojë apo përmirësojë ai, në mënyrë që të bëjë përparim frymor? Si mund t’ia prek zemrën?
◼ Nëse është e nevojshme, përgatit një ilustrim, një shpjegim ose disa pyetje për ta ndihmuar studentin të kapë kuptimin e ndonjë pike ose të ndonjë shkrimi.
Pjesa 3: T’i përdorim mirë Shkrimet
Kur drejtojmë studime biblike, qëllimi ynë është ‘të bëjmë dishepuj’ duke i ndihmuar njerëzit të kuptojnë e të pranojnë mësimet e Fjalës së Perëndisë dhe t’i zbatojnë në jetë. (Mat. 28:19, 20; 1 Sel. 2:13) Kështu që studimi duhet të përqendrohet te Shkrimet.—km 11/04 f. 4.
T’i mësojmë nga Fjala e Perëndisë
◼ Tregoji studentit se si të gjejë shkrime specifike në Biblën e vet.
◼ Lexo dhe shqyrto me të ato shkrime që tregojnë bazën biblike të bindjeve tona fetare.
◼ Përdor pyetjet. Në vend që t’ia shpjegosh shkrimet studentit, gjej mënyrën që t’i shpjegojë ai.
◼ Bëje sa më të thjeshtë studimin. Mos u përpiq të shpjegosh çdo aspekt të një shkrimi. Përmend vetëm ato që janë të nevojshme për të bërë të qartë pikën.
◼ Trego si zbatohen shkrimet. Ndihmoje studentin të kuptojë se si shkrimet biblike lidhen drejtpërdrejt me të.
Pjesa 4: Ta mësojmë studentin se si të përgatitet
Një student që e lexon mësimin që më parë, nënvizon përgjigjet dhe mendon se si të shprehet me fjalët e veta, zakonisht bën përparim të shpejtë frymor. Prandaj, në momentin kur fillon ta drejtosh rregullisht studimin me të, përgatitni një mësim së bashku, në mënyrë që t’i tregosh studentit se si duhet ta bëjë këtë personalisht. Për shumë studentë, do të ishte mirë të përgatitnit së bashku një kapitull ose një mësim të tërë.—km 12/04 f. 1.
Nënvizimi dhe shënimet
◼ Shpjegoji studentit si të gjejë në paragraf përgjigjen e drejtpërdrejtë të pyetjeve të dhëna.
◼ Tregoji kopjen tënde të librit ose të broshurës që studioni, ku ke nënvizuar vetëm fjalët ose shprehjet kyçe.
◼ Ndihmoje të kuptojë se çdo shkrim që jepet, mbështet një pikë në paragraf, dhe tregoji se si të mbajë shënime të shkurtra në anë të faqes së botimit që po studion.
Shqyrtimi paraprak dhe një përmbledhje e shkurtër
◼ Tregoji studentit se si të analizojë titullin, nëntitujt dhe figurat e kapitullit ose të mësimit, para se të fillojë me përgatitjen e paragrafëve një për një.
◼ Inkurajoje që, në fund të përgatitjes së studimit, të bëjë një përmbledhje të pikave kryesore.
Pjesa 5: Të përcaktojmë se sa material do të trajtojmë
Sasia e materialit që mund të trajtohet është në varësi të aftësive dhe rrethanave si të mësuesit, ashtu edhe të studentit.—km 1/05 f. 1.
T’i ndihmojmë të krijojnë një besim të fortë
◼ Më e rëndësishme se shpejtësia me të cilën trajtojmë një sasi të konsiderueshme materiali, është fakti që studenti të kuptojë qartë atë që po studiohet.
◼ Kalo me studentin kohën që i nevojitet për të kuptuar dhe pastaj për të pranuar atë që po mëson.
◼ Lëri kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar shkrimet kyçe, që janë baza e mësimeve.
Të mos dalim nga tema
◼ Nëse studenti ka prirjen të flasë gjatë për çështje personale, ta lëmë me të që të flasim për këto çështje pas studimit.
◼ Nuk duhet të flasësh tepër gjatë studimit. Kufizo trajtimin e pikave shtesë ose të përvojave, në mënyrë që kjo të mos e pengojë të marrë njohurinë e saktë për mësimet themelore të Biblës.
Pjesa 6: Çfarë të bëjmë kur studenti bën një pyetje?
Kur studimi biblik të ketë filluar të zhvillohet rregullisht, është më mirë që mësimet biblike t’i shqyrtojmë me radhë, sesa të kapërcejmë nga njëra temë te tjetra. Kjo do ta ndihmojë studentin të marrë njohurinë e saktë bazë dhe të bëjë përparim frymor.—km 2/05 f. 6.
Të tregojmë aftësi dalluese
◼ Pyetjeve që lidhen me materialin që po studiohet, zakonisht mund t’u përgjigjemi menjëherë.
◼ Pyetjet që nuk kanë lidhje fare me materialin që po studiohet ose për të cilat duhen bërë kërkime, mund të diskutohen një herë tjetër. Është mirë që këto pyetje t’i mbajmë shënim.
◼ Nëse studenti e ka të vështirë ta pranojë një mësim, shqyrtoni edhe materiale të tjera shtesë ku trajtohet gjerësisht ajo temë.
◼ Nëse nuk është bindur ende, lëre diskutimin për një herë tjetër e ndërkohë vazhdo me studimin.
Të tregohemi modestë
◼ Nëse nuk e di përgjigjen e një pyetjeje, mos u përgjigj me hamendje.
◼ Pak nga pak, mësoje studentin se si të bëjë kërkime.
Pjesa 7: Rëndësia e lutjeve në studim
Që një student i Biblës të bëjë përparim frymor, është themelore të ketë bekimin e Jehovait. Kështu që është e përshtatshme ta fillojmë dhe ta mbyllim studimin biblik me një lutje.—km 3/05 f. 4.
Lutja: Si dhe kur?
◼ Me dikë që është fetar, mund të bëjmë lutje që herën e parë që zhvillojmë studimin.
◼ Me të tjerë, duhet të kuptojmë se kur është e përshtatshme që ta fillojmë studimin me lutje.
◼ Mund të përdorim Psalmin 25:4, 5 dhe 1 Gjonit 5:14 për t’i shpjeguar pse bëhet lutja.
◼ Mund të përdorim Gjonin 15:16 për t’i treguar që lutjet t’ia drejtojmë Jehovait nëpërmjet Jezu Krishtit.
Çfarë të përfshijmë në lutje?
◼ Është e përshtatshme që t’i japësh lavdi Jehovait si Burimi i mësimit.
◼ Shpreh interesin tënd të sinqertë për studentin.
◼ Shpreh vlerësimin për organizatën që po përdor Jehovai.
◼ Kërkoji Jehovait që të bekojë përpjekjet e studentit për të zbatuar atë që po mëson.
Pjesa 8: T’i drejtojmë studentët tek organizata
Qëllimi ynë kur drejtojmë studime biblike nuk është që t’i mësojmë studentit vetëm informacione doktrinale, por edhe ta ndihmojmë që të bëhet pjesë e kongregacionit të krishterë. Çdo javë gjatë studimit, programo që të flitni disa minuta për një aspekt të organizatës së Jehovait.—km 4/05 f. 8.
Mbledhjet e kongregacionit
◼ Përshkruaj çdo mbledhje të kongregacionit. Që herën e parë që zhvilloni studimin, ftoje të vijë në mbledhje.
◼ Tregoji pika interesante që ke dëgjuar në mbledhje.
◼ Nxiti interesin për Përkujtimin, për asambletë dhe për vizitën e mbikëqyrësit qarkor.
◼ Përdor figurat që janë në botimet tona për ta ndihmuar që të krijojë një ide se si zhvillohen mbledhjet.
◼ Inkurajoje të lexojë broshurën Dëshmitarët e Jehovait—Kush janë? Çfarë besojnë?
Të përdorim videokasetat për të rritur çmueshmërinë
◼ Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas emrit
◼ E gjithë shoqëria jonë e vëllezërve (anglisht)
◼ Të bashkuar nga mësimi hyjnor (anglisht)
◼ Deri në skajet e tokës (anglisht)
Pjesa 9: T’i përgatitim studentët për të dhënë dëshmi joformale
Studentët biblikë nxiten të flasin me të tjerët, kur fillojnë të krijojnë besim tek ajo që po mësojnë.—km 5/05 f. 1.
Ta inkurajojmë studentin të japë dëshmi
◼ A ka miq ose pjesëtarë të familjes që mund t’i ftojë të ulen aty me ne ndërsa zhvillojmë studimin?
◼ A ka ndonjë shok pune, shok shkolle a ndonjë të njohur që ka treguar interes?
T’i mësojmë që të flasin me të tjerët për atë që besojnë
◼ Në momente të caktuara gjatë studimit, pyete studentin: «Si do ta përdorje Biblën për t’ia shpjeguar familjes sate këtë të vërtetë që mësove?»
◼ Ndihmoje që të kuptojë se duhet të tregojë respekt dhe të jetë i sjellshëm kur flet me të tjerët për Perëndinë dhe për qëllimet e tij.
◼ Studenti mund të përdorë broshurën Dëshmitarët e Jehovait—Kush janë? Çfarë besojnë?, për të ndihmuar miqtë dhe familjarët të kuptojnë bindjet dhe veprimtaritë tona të bazuara në Bibël.
Pjesa 10: Si t’i stërvitim studentët për shërbimin nga shtëpia në shtëpi?
Kur pleqtë e kongregacionit përcaktojnë se një student i Biblës kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar, ai mund të dalë bashkë me kongregacionin në veprën e predikimit.—km 6/05 f. 1.
Të përgatitemi së bashku
◼ Tregoji studentit se ku mund të gjejë sugjerime për prezantimet.
◼ Ndihmoje që të zgjedhë një prezantim të thjeshtë e të përshtatshëm për territorin.
◼ Nxite të përdorë Biblën në shërbim.
◼ Bëni prova së bashku. Tregoji se si të reagojë me takt ndaj qëndrimeve që zakonisht hasen në territor.
Të dalim bashkë në predikim
◼ Në fillim studenti le të të shohë ty se si e bën prezantimin që keni përgatitur bashkë.
◼ Ki parasysh karakterin dhe aftësitë e studentit. Në disa raste, mund të jetë më mirë që ai të bëjë vetëm një pjesë të prezantimit.
◼ Ndihmoje lajmëtarin e ri që të bëjë një program të rregullt për të dalë në shërbim.
Pjesa 11: T’i stërvitim lajmëtarët e rinj për të bërë rivizita
Përgatitja për rivizitën fillon që kur predikon për herë të parë. Ta inkurajojmë studentin të tregojë interes të sinqertë për ata me të cilët bisedon. Ta stërvitim gradualisht që ta ftojë të zotin e shtëpisë të shprehë mendimin e vet, t’u kushtojë vëmendje fjalëve të tij dhe t’i mbajë shënim gjërat që i interesojnë.—km 7/05 f. 1.
Përgatitja për rivizitën
◼ Rishiko të dhënat e vizitës së parë dhe tregoji studentit se si të zgjedhë një temë që mund të jetë me interes për të zotin e shtëpisë.
◼ Përgatit një prezantim të shkurtër që përfshin një shkrim nga Bibla dhe një paragraf nga një botim që përdoret për studim.
◼ Përgatit një pyetje për ta lënë pezull në fund të bisedës.
Të jemi të zellshëm për të ndjekur interesin
◼ Inkurajoje studentin që t’i rivizitojë pa vonuar të gjithë ata që tregojnë interes.
◼ Ndihmoje studentin të kuptojë se duhet të këmbëngulë derisa të gjejë ata që zakonisht nuk i gjen në shtëpi.
◼ Tregoji lajmëtarit të ri si të lërë takim me të zotin e shtëpisë dhe ndihmoje të kuptojë se është e rëndësishme të shkojmë atëherë kur i kemi dhënë fjalën.
Pjesa 12: T’i ndihmojmë studentët të fillojnë e të drejtojnë studime biblike
Është shumë e rëndësishme që të imitoni Jezuin, duke lënë një shembull të mirë në shërbimin që bëni. Kur studenti ju vëzhgon në shërbim, ai do ta kuptojë se qëllimi i rivizitave është që të fillohen studime biblike.—km 8/05 f. 1.
Kur ofron një studim biblik
◼ Shpjegoji studentit që në përgjithësi nuk është e nevojshme t’ia përshkruajmë me hollësi të interesuarit se si zhvillohet studimi.
◼ Shpesh është mirë t’ia demonstrojmë se si bëhet një studim biblik duke përdorur një ose ndoshta dy paragrafë nga një botim për studim.
◼ Të rishikojmë dhe të provojmë një nga sugjerimet se si të fillohet një studim biblik.—km 8/05 f. 8; km 1/02 f. 6.
T’i stërvitim studentët që të bëhen mësues
◼ Inkurajoje studentin të regjistrohet në Shkollën e Shërbimit Teokratik.
◼ Ftoji lajmëtarët e rinj të të shoqërojnë në studime të tjera biblike, ku mund të përfshihen sadopak në mësimdhënie.